Pas transmetimit në emisionin e sotshëm “Stop”, të një rasti ku dyshohet për abuzim me detyrën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra komisar Lorenc Braho shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë.

Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj këtij punonjësi policie, për shkelje të rëndë.

Një nënë e divorcuar denoncoi shefin e krimeve dhe publikoi një bisedë me të, ku Braho i kërkonte t’i prezantonte ndonjë vajzë në këmbim të përgjigjes pozitive pas konkurrimit të saj për police burgu.

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjës policie, sepse Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj çdo abuzues me detyrën dhe besimin e qytetarëve.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në luftën ndaj krimit dhe paligjshmërisë, ndaj askush brenda saj nuk mund të njollosë imazhin e mijëra burra e grave, djemve dhe vajzave të Policisë që punojnë e sakrifikojnë duke zbatuar me korrektësi ligjin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb