Teksa ora 00:00 e së hënës është fati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, drejtuesi i fushatës elektorale të PD, Alfred Rushaj tha se depozitimi i emrave nga demokratët do të bëhet brenda këtij afati.

I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ tha se ka ende disa procedura politike dhe administrative që duhet të bëhen, ndërsa nuk zbuloi detaje të tjera.

“PD do t’i dorëzojë listat brenda afatit. Brenda afatit, kur të mbarojmë. Një pjesë është procedura politike dhe pjesa tjetër është ajo administrative, janë për t’u plotësuar dokumentacionet. Tek takimet me të rinjtë kam konstatuar humbjen e shpresës, jemi pak a shumë si para 30 viteve kur nisi eksodi masiv. Kur takohesh me të rinjtë, duhet të jesh pak i kujdesshëm, por unë jam munduar që të bashkëbisedojë me ta.”, -tha Rushaj.

Rushaj mes të tjerash tha se këtë herë PD ka në qendër të planit të saj familjen shqiptare, siç janë dhe socialistët e zhgënjyer.

“Programi i PD këtë radhë ka në qendër të saj familjen. Familjet shqiptare janë varfëruar m ritme të jashtëzakonshme. Kostoja e jetesës është rritur për të gjithë. Kur flet për gjera konkrete, njerëzit i harrojnë llogoret politike.”, pohoi ai. Mes të tjerash Rushaj tha se PD e ka gati programin për fushatën elektorale, siç janë kalendarët.

“Ne kemi programin tonë se si do të fillojë fushata të ngrihet. Kemi kalendarin dhe se çfarë do të bëjmë nga pikëpamja e debateve publike, prezantimin e programit dhe takimet derë më derë. Çdo qark është i njohur me kalendarin. Është një punë e madhe, por entuziaste në terren. Pjesëmarrja do të jetë masive. Dita e zgjedhjeve është një sfidë e vërtetë, që nga organizimi apo dhe ndjekja e zgjedhjeve. Organizmi ynë këtë radhë është që të sigurojë zgjedhësit që votat e tyre nuk do të ikin kot, do të shkojnë në kutitë e votimit. Jemi të organizuar dhe jemi në pozicion të mirë që ditën e zgjedhjeve ta kthejmë në fitore.”, -pohoi drejtuesi i fushatës elektorale të PD.

Ai tha se PD e shqetëson praktika e ndjekur më parë në zgjedhje. “Na shqetëson praktika e zgjedhur më parë, përfshirja e personave me rekorde kriminale. Ne kemi garantuar paprekshmërinë e votës. Kemi strukturat tona që janë gati.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: