Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, ku komentoi zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur kryesisht te goditja e SPAK në Gjykatën e Krujës.

Numri dy i PS tha se arrestimi i gjyqtares së Krujës, Enekelda Hoxha, dhe një sërë zyrtarësh të tjerë, përfshirë dhe mjekun e QSUT, Edvin Prifti, është rasti kuptimplotë i funksionimit të institucioneve të reja të reformës në drejtësi.

“Rasti i gjyqtares është rasti më kuptimplotë i funksionimit të institucioneve të reja të reformës në drejtësi. Puna e SPAK kulmoi me një dosje me 13 të arrestuar. Edhe rasti i mjekut si i përfshirë në përgjimet e këtij hetimi. Ky është një mesazh për të gjithë ata që kanë pasur dyshime se reforma në drejtësi nuk po prodhonte institucionet e duhura. Ka pasur dhe një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se ja kanë hedhur reformës në drejtësi. Sot jemi në kushtet që drejtësia e re po fiton besimin e qytetarëve. Jam shumë i sigurt se cdo goditje tjetër, do të rrisë kredibilitetin e reformës në drejtësi. Përgëzoj publikisht dhe nxis sa më shumë rezultate të tilla të këtyre paudhësive”, tha Balla.

I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa se kur do të vijë dita që SPAK të godasë edhe politikanët, Taulant Balla u përgjigj se “Ne kemi sot pas hekurave ata që konsideroheshin të paprekshëm. Fakt që këta po goditen nuk më bën të kem asnjë lloj dyshimi që goditjet do të vazhdojnë. Jemi në proces. Edhe Shqipëria do të ketë një regjistër të vetin të personave të nivelit të lartë, qofshin në drejtësi apo politikë, që do të jenë subjekt i goditjes së fortë të drejtësisë së re. Kjo drejtësi e re është e pavarur dhe si e tillë nuk pyet se je politikan, biznesmen, punonjës i institucioneve të drejtësisë, se je me apo pa lekë”.

Pyetje: I konsideroni nismat e reja, si Rudina Hajdari, etj.?
Balla: Nuk mund të fsheh vlerësimin se në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë me Hajdarin, Murrizin, Bindjen Demokratike, kemi arritur të paktën të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë për cështje të rëndësishme të Shqipërisë. Pa opozitën parlamentare, që tashmë është shndërruar në lëvizje politike, nuk do të kishim arritur të conim përpara Reformën historike në Drejtësi dhe që më 25 prill të kemi një votim të ndryshëm nga ai i 2008-ës. Listat e hapura kanë krijuar një dritare të re të përfshirjes më të madhe të të rinjve në proces. E them me plot bindje që nuk është aspak e vërtetë që listat janë të mbyllura, listat janë të hapura dhe këtë do ta konfirmojë rezultati i 25 prillit.

Pyetje: Ju politikanët keni bërë thirrje gjithmonë për zbatimin e rregullave anti-Covid, por tani në fushatë jeni më të shumtët që gjobiteni…
Balla: Kur gjobiten politikanët, populli është shumë i kënaqur. Sa më shumë politikanë të gjobiten, aq më shumë rritet besimi i qytetarëve se ligji është njëlloj për të gjithë. Por dua të ndaj që proporcionalisht, vërej një qasje shumë injorante kryesisht të LSI dhe PD, në takimet e tyre në territor, duke mos respektuar rregullat, duke u shfaqur pas maskë. Mendoj që këtu fillon relacioni i drejtpërdrejtë me ligjin dhe me shtetin. Një politikan që nuk respekton këtë, që më duket minimale, por e rëndësishme, një gabim i tillë mund të shndërrohet në një pasojë të madhe. Një politikane, që mund të jetë ministre arsimi apo financash e Bashës, si Kryemadhi, që thotë se ‘mua më mbron Baba Aliu nga Covidi’, nuk besoj që shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë të tilla gjëra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb