NGA: LUAN RAMA
Kush ka shkuar në Korçë dhe ka kërkuar të njohë historinë e këtij qyteti, do të piktakojë padyshim dhe atë varrezë me varre mermeri ku prehen eshtrat e ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ku në portën e saj shkruhet: “Ici réposent 640 soldats de l’Armée Française, morts pour leur patrie, 1916-1918” (“Këtu prehen eshtrat e 640 ushtarëve të Ushtrisë Franceze rënë për atdheun e tyre”). Të ngjan si një copë e Francës, pjesë e trupit të Francës dhe e gjakut të saj që është aty, ngjizur në atë tokë, ku pulson një histori që nuk shlyhet, edhe pse ka kaluar një shekull. Një ditë, kur një mikeshë më tha se banonte pikërisht në lagjen “Varrezat e francezëve”, kjo gjë fillimthi më habiti, por e thënë natyrshëm, çdokush e kupton sesa shumë këto varre, kjo pjesë e historisë së Francës dhe e historisë shqiptare të asaj kohe, kanë hyrë në jetën e përditshme të ditëve tona. Disa herë e kam vizituar atë varrezë, duke kërkuar të njoh nga afër se cilët ishin ata të rinj që një “Luftë e Madhe” (“La Grande Guerre”), siç do të quhej ajo luftë, i kishte sjellë këtu dhe që i kishin dhënë kazasë së Korçës, kësaj zone që përfshinte dhe Pogradecin “Republikën autonome”, vetëvendosjen, në një kohë kur Korça rrezikohej nga pushtimi i ushtrisë greke dhe aneksimi i saj. Ishte kjo Francë, që përmes kësaj autonomie u dha qytetarëve të kazasë perspektivën e një ardhmërie dhe të një qytetërimi të ri.

NJË VARREZË ME PESHËN E NJË SIMBOLIKE TË MADHE
Nëse dikur, në vitet e para të luftës, këto varre ishin të shpërndarë dhe të mbuluar me shpejtësi nën gjëmimet e luftës, lënë në lugina, rrëpira malesh apo lëndinat e përzhitura, shpejt pas lufte, varret do të bashkoheshin dhe të vrarët do të rigjenin njëri-tjetrin, e çuditërisht, me kalimin e viteve dhe ndërtimet e reja, ajo varrezë do të hynte në gjirin e qytetit, rrethuar nga banesat, zërat e fëmijëve dhe jeta e zhurmshme e një qyteti të ri, duke mbartur njëkohësisht një simbolikë të madhe: atë të kontributit historik e të një lidhjeje të fortë të dy kombeve. Pothuaj 100 vite kanë kaluar nga të rënët e parë francezë në tokën shqiptare në frontin jugor të luftës, ku ndesheshin forcat e Antantës kundër ushtrive austro-hungareze, gjermane, bullgare e turke, në beteja që në vitet 1917-1918 do të cilësoheshin nga historianët e luftës si beteja heroike. Sot paqja mbizotëron në këto varre, ku vizitori i zakonshëm lexon emra ushtarësh si Auguste Boiton, Paul Chambault, Georges Pincon, Tayed Merabel, Choung Ngyen… Dhe sigurisht, nuk janë të gjithë, pasi ata kanë qenë mijëra dhe se shumë prej tyre janë transferuar në Francë fill pas lufte, pa përmendur këtu të zhdukurit e luftës, të cilët padyshim kanë humbur në rrethana të panjohura, në greminat apo furtunat e dëborës.

Gazetari francez Albert Londres, ky korrespondent lufte që përshkoi frontin e Ballkanit, duke parë këto varre të shumtë nëpër Ballkan, ndër të tjera shkruante në gazetën ‘Le Petit Journal’: “Ja këta që nuk do e marrin anijen. Të vrarë nga plumbat apo vdekur nga ethet në këtë tokë të huaj dhe që ende e tregojnë shembullin e tyre duke qëndruar në radhë të shtrënguara… Nëna, e cila më vonë do të bëjë udhëtimin e gjatë për të ardhur deri këtu, nuk do kërkojë t’i fshehë ngashërimet e saj. Biri i saj nuk jeton më, por ai nuk ka humbur. Meqë lotët nuk mund t’i shmangë, të paktën ato e dinë se ku do të bien…”. Vite më parë gjatë një bisedë me Jacques Faure, ish- ambasadorin francez në Tiranë në vitet e para të dekadës së fundit të shekullit XX-të, midis kujtimeve të tij, ai ruante dhe atë histori të bukur nga Voskopoja, kur kishte parë që në oborrin e një kishe ishte dhe varri i një ushtari francez. Ai kishte kërkuar që ta zhvendosnin që andej, por fshatarët e atjeshëm i kishin thënë menjëherë: “Ky varr është yni… është varri i mjekut francez që u kujdes dhe për ne…”. Dhe varri i veterinerit francez Alexandre Dehecque, i vrarë gjatë një bombardimi, mbeti atje, varrosur në oborrin e kishës së Shën Kollit, duke qenë i vetmi i vrarë francez i patransferuar në varrezat e Korçës.

Alush Demiri ka vite që ka vdekur. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte luftuar krah francezëve dhe pas lufte kishte shërbyer si roje i varrezave franceze, i atyre ushtarëve me të cilët kishte luftuar në shumë beteja. Siç duket, xha Alushi i “Batalionit të Pushkatarëve Shqiptarë” e kishte pasur të vështirë t’i linte të vetmuar ata ushtarë, prej të cilëve ruante kujtime të dhimbshme e tragjike. Nga ajo luftë, ai ruante jo vetëm “Medaljen Ushtarake”, (dekoratën e dhënë nga kryekomandanti i Ushtrisë Aleate, gjenerali francez Franchet d’Esperay, komandant i “Ushtrisë Aleate të Orientit”), si dhe “Croix de Guerre avec Palme”, (me motivacionin “Njeri shumë guximtar, që me gjakftohtësi e guxim arriti të kapë robër disa ushtarë armiq dhe një oficer, si dhe dy mitralozë”), por dhe dekoratën “Chevalier du Mérite Combattant – Honneur-Devouement”, (“Kalorës i Meritës së Luftëtarit – Nder dhe Devotshmëri”), dhënë në vitin 1959 nga ministri i Luftëtarëve të Vjetër dhe i Viktimave të Luftës së Francës, në cilësinë e shërbimit të kryer në roje të varrezave të ushtarëve francezë në qytetin e Korçës. Ky personazh më kishte frymëzuar të shkruaja poezinë ‘Rojtari i varrezave të Armatës së Lindjes’, vargje të cilat sot ai s’mund t’i lexojë.

TË RËNËT E KOLONEL ORDIONIT
Do të ishte pikërisht koloneli André Ordioni, komandanti i Regjimentit 372 të këmbësorisë franceze, ai që do të kujdesej për të rënët francezë. Ky korsikan i lavdishëm, që e deshi aq shumë Shqipërinë dhe që malet shqiptare i kujtonin gjithnjë vendlindjen, komandoi gjithashtu dhe batalionet shqiptare në Malin e Thatë, Malet e Gorës, në zonën e Devollit, liqenet e Prespës, Maliqit e të Ohrit, si dhe në luginën e Shkumbinit. Një mori letrash, dërguar gruas dhe vajzës së tij nga fronti shqiptar zbulojnë veç të tjerash dhe dhimbjen e tij të madhe për shokët e rënë në Holta apo Guri i Prerë, në Qafa e Gjarpërit, Shënapremte, etj. Ai na përshkruan çastet e fundit të lietnantit të tij Biccot apo detyrimin që kishte për bashkëpunëtorin e tij të afërt André Siegfried, të vrarë në prag të amnistisë. Ai e dinte dhimbjen e ushtarëve dhe siç shkruante në letrat, shumë herë kishte dëgjuar fjalën “nënë” nga goja e trimave të tij në momentet e tyre të fundit: “Për shumë nga ata, fjala nënë ishte si fryma e fundit, ç’trishtim i pafund, lamtumira e fundit ishte për to… Nënë, klithmë dashurie e besimi, të cilën e kam ndjerë në rrethanat më tragjike. Në këto vende të vetmuara, kjo klithmë merrte ngjyrat e një fatkeqësie tepër të trishtë, ku njeriu dukej se vdiste dy herë. Dhe kjo lamtumirë drejtuar jetës, nënës larg, që do t’i mbyllte sytë përgjithnjë, që do të mbyllte ato qepalla që s’do të hapeshin më kurrë. Kjo është sfilitëse. Sa e sa herë e kam bërë këtë veprim me oficerët dhe ushtarët e mi që binin në këto vende të larta, ndërkohë që fitorja na buzëqeshte, duke i hapur fort krahët e saj të mëdha e të praruara”. Pas lufte, koloneli Ordioni u kthye pranë familjes së tij në Bretagne, por shumë shpejt ai do të kthehej përsëri në Shqipëri, kësaj radhe si përfaqësues i Francës në Komisionin Aleat të Përcaktimit të Kufijve në kufi me Greqinë në jug dhe me Jugosllavinë në Vermosh si dhe për çështjen e Shën Naumit, për të cilin ai ishte i vendosur se ky vend duhej t’i përkiste Shqipërisë. Por, imazhi i të rënëve të tij, të shpërndarë në kodrina të ndryshme ishte i dhimbshëm për të.

Ja se çfarë shkruante ai në letrën dërguar nga Korça vajzës së tij më 2 nëntor të vitit 1924, të titulluar “Varrezat ballkanike”: “E dashur Monique. Varrezat ballkanike, ato terrene që rrethojnë ushtarët tanë të rënë, të cilët i kam njohur dhe admiruar për trimërinë e tyre, gjallërinë dhe gjakftohtësinë e tyre, nuk krahasohen aspak me varrezat në Francë. Të gjitha këto varreza ballkanike i kam vizituar: që nga Varsa ku u mblodhën gjithë të vrarët tanë të Luftës së Krimesë, e po kështu dhe ata të Sebd-ul-Bahr, të Kustendilit, Manastirit, Zeitenlick-ut (pranë Selanikut), pa harruar ata të Zhapës (Zapeïon). Ngado i njëjti imazh i braktisjes, ashtu të lënë diku. I njëjti trishtim që të mbërthen shpirtin në këto ditë të nderimit për ta, ku orë të tëra u kushtojmë ushtarëve që s’janë më, të vdekurve, atyre që aq shumë i kemi dashur. Ngado ka kryqe druri, disa prej tyre janë ende në këmbë, ndërsa të tjerët të thyer nga koha. Këndej, ato janë zhdukur plotësisht, përlarë nga uragani, kurse andej matanë ka veçse copa druri që madje s’kanë as shenjën e Zotit. Vetëm një fllad funebër tund disa fije bari që kanë mbirë mbi ato varre që koha i ka sheshuar. E megjithatë, ne u detyrohemi shumë këtyre të vdekurve që i kemi parë të vdesin në furtunën e zjarrit të luftës. Ne i kemi harruar… Kur mendoj për varrezat pariziane që janë aq të bukura e me lule, kur mendoj për ato të provincës që rivalizojnë me nekropolet e kryeqytetit me ato “qyteza” me shapela e varre me pllaka që vizitohen nga të gjithë Ditën e të Vdekurve, trishtimi im është akoma më i madh! I vetëm eci në ato shtigje vetmitare ku aty këtu prehen ushtarët e mi. Rasti i ardhjes me misionet ndërkombëtare, ka bërë të mundur që të vij të përshëndes të vdekurit e mi gjashtë vjet pas ndarjes me ata, të cilët janë këtu si të braktisur përgjithnjë. Por jo, unë u ktheva, ja ku jam pas një mungese të gjatë, sikur të isha thirrur nga ushtarët e mi për të plotësuar një detyrë të fundit.

E kuptova se të gjithë ata donin të ishin së bashku në të njëjtën varrezë dhe jo të ndarë nëpër male e lugina. Zogjtë e vegjël që fluturojnë kryq më kryq, duke cicëruar duket se më flasin për të vdekurit e mi, këta të vrarë e të mjerë që prehen larg tokës së tyre. Këto male, këta drurë e shkurraja që ruajnë ngjyrat e bukura të vjeshtës, krijojnë një dekor të madh që ofron natyra. Këto gardelina të vogla që më shoqërojnë në këtë pelegrinazh funebër, lëshojnë ca klithma therëse, si këngë funeralesh. Askush, asnjë shpirt i gjallë, nuk vjen të vendosë lule këtu mbi këto varre, rreth të cilave bredhin veç fantazma e ndoshta shpirtrat e vetë heronjve të vdekur, disa prej të cilëve ishin bashkëpunëtorët e afërt të mi, siç ishte André Siegfried, ai djalosh i ri që u kosit në lulen e rinisë, në prag të amnistisë. Sa shumë më ka dhembur. Ndërsa sot s’ka më asgjë… veç hija e tij! Dhe kështu thellë vetvetes, rreth meje, kam këtë ndjesi dhimbjeje. Unë nuk arrij ta kuptoj djegien e trupave njerëzore, kthimin e tyre në hi, të cilin pastaj e fusin në poçe, në një sirtar apo në një tas! Ç’gjë e çuditshme! E ndërkohë, unë jam mes këtyre kockave, kocka që kanë qenë një dorë, të cilën dikur ka shtrënguar, kockë që dikur ka krijuar një zgavër ku një zemër ka rrahur, kockë që dikur ka formuar një tru të fuqishëm e të organizuar ku kishte një imagjinatë të gjallë. Kështu, edhe trimi i ndershëm Siegfried më dikton tani detyrën që kam ndaj këtyre skeleteve të braktisur në këtë tokë të pjerrët shqiptare: t’i mbledh të gjithë, në një batalion të ngjeshur pranë njëri-tjetrit, në të njëjtin vend, duke u bërë një varrezë të denjë. Po, do t’i shkruaj “Souvenir Français” (“Kujtimit Francez”), i cili besoj se në këto çaste po merret me këtë misionin bamirës që të mjerët tanë të vdekur të mos bien në harresë. Hija e lietnantit tim, André Siegfried duket tani e kënaqur… Ordioni”.

Pothuaj një shekull ka kaluar dhe këtë 11 nëntor, ditën e fundit të asaj lufte barbare, nuk mund të mos kujtojmë atë kontribut të madh të Francës në ditët kur kërcënoheshin kufijtë shqiptarë. Dhe ja pse midis qytetarëve të shumtë që shkojnë në këto varreza, imagjinojmë dhe hijen e kolonelit Ordioni që nderonte ushtarët e tij, duke u thënë se amanetin për ta ai e çoi në vend. Ata prehen të gjithë në krahët e paqes së madhe dhe në dashurinë e një populli që nuk mund ta harrojë gjakun e tyre.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: