Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë ku u vu guri i themelit të projektit të Parkut të Vlorës, që do të quhet “Parku i Shtëpisë së Pavarësisë” dhe do të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe Lungomaren.

“Jemi këtu në Vlorë për të nisur një tjetër projekt, pjesë e mozaikut të transformimit të Vlorës, projekt që do të sjellë lidhjen e natyrshme mes bulevardit të ri dhe Lungomares, për të gjithë banorët dhe vizitorët. Rrisim përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijojmë mundësi të lidhim aksin kryesor. Ky projekt sjell me vetë më shumë punësim”- tha Rama duke premtuar edhe prjekte si porti i jahteve dhe sistemimi i portit të peshkatarëve.

Po ashtu kryeministri sqaroi arsyet pse projekti i aeroportit të Vlorës ngeci në mes. Ai tha se pavarësisht gënjeshtrave që mund të qarkullojnë, e vërteta është ndryshe.
“Nuk e kemi thënë e as çuar nëpër mend që do jemi të dytët pas Gjermanisë. Por kur gënjeshtra e ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat. Prirja për të besuar gënjeshtra është më e madhe se ajo për të zbuluar të vërtetat dhe faktet.

Po ju sqaroj se procesi i punës për aeroportin u ndërpre nga karantina e përgjithshme e Covid 19. Të gjitha kompanitë e interesuara bënë kërkesa që të shtyhen proceset. Ne e ngrimë aty ku ishte, që do të thotë në pak ditë, në fillim të tetorit procesi do të hapet. Janë vetëm pak ditë ende që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur kontratat për ndërtimin. Do kisha dashur që kjo të kishte ndodhur më parë por eksperienca më ka mësuar se projektet nisin kur ideohen nga ideja në koncept, projket dhe zbatim, garantim financimi dhe pastaj në procesin e garës dhe pastaj bëhen negociata për kontratën e më pas nis puna në terren. Projektimi nuk është proces i thjeshtë . Nuk kemi bërë mrekulli por unë jam i bindur se në çdo lloj diskutimi për realizimin e projekteve nuk ka krahasim puna e bërë prej nesh me qeverinë e kaluar. Ne i vëmë shumë rëndësi projekteve dhe standardeve të këtyre projekteve”,- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb