Olta Xhaçka e cila pak orë me parë mori në dorëzim postin e ministres së Jashtme, i dorëzoi sot detyrën si ministre e Mbrojtjes, Niko Peleshit.

Xhaçka u shpreh e sigurt që ky i fundit do të përmbyllë me efikasitet punët e lëna përgjysmë. Një projekt i tillë ishte edhe projekti për krijimin e një baze detare të NATO-s.

Ajo nuk nguroi të falenderojë të gjithë bashkëpunëtorët e saj, ndërsa mes emocionesh renditi disa prej arritjeve nën drejtimin e saj.

FJALA E PLOTE

I dashur Niko,
I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA,
Të nderuar gjeneralë, deputetë e të ftuar,

Më kujtohet 3 vite e pothuajse 4 parë kur mu besua detyra e Ministres së Mbrojtjes, flisja me Belën dhe Igli Hasanin në atë kohë, duke ju kërkuar të më sillnin dosje e të më caktonin axhendën e takimeve, e këtë e atë, ata më thonin ta merrja pak më shtruar, sepse ishte vetëm java e parë e kishim kohë.

Por në fakt, kur je në një detyrë si kjo s’ke kurrë kohë. Koha që ke në dispozicion është shumë e shkurtër dhe fluturon me një shpejtësi të pabesueshme. Gjithë çfarë mund të bësh, gjithë çfarë DUHET të bësh, është të shfrytëzosh çdo ditë, çdo orë për të bërë diçka, për të realizuar sa më shumë nga projektet që ke menduar apo ëndërruar, në mënyrë që kur të vijë dita për t’i dorëzuar stafetën një kolegu tjetër, të mund t’i njohësh vetes kënaqësinë se po i lë punët më mirë sesa i gjete.

Ose siç më thoshte, një miku im, kur të vijë dita të largohesh të jesh e qetë që ke merituar një rrjesht në Muzeun e Forcave të Armatosura, që është një nga projektet që kisha më për zemër e që do të finalizohet shpejt, tanimë nën kujdesin e Nikos, jo sepse kam hallin e atij rrjeshtit, por sepse besoj që FA-të meritojnë të kenë një monument të tillë kujtese.

Forcat e Armatosura janë një institucion që kanë lindur bashkë me shtetin shqiptar. Janë një institucion që kanë një histori të jashtëzakonshme pas krahëve dhe, unë besoj, një të ardhur të ndritur përpara. Por për mua janë shumë më tepër se kaq. Sot ato janë familja ime, ku kam pasur mundësinë të kem jo thjesht kolegë e bashkëpunëtorë, por edhe shumë miq të mirë.

Sot dua t’ju falënderoj të gjithëve! Çdo kuadro e çdo efektiv e çdo punonjës të kësaj ministrie! Sepse gjithë çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve e kemi bërë bashkë dhe do të kishte qenë e pamundur po mos kishim punuar bashkë.

Por një falënderim nga zemra dua ta bëj për ta që kanë qenë realisht bashkëpunëtorët e mi më të afërt dhe njerëzit që kanë mbajtur peshën më të madhe të punëve të mira që kemi bërë në këto vite.

Dua të falënderoj shumë Shefin e Shtabit, Gjeneral Bajramin, që ka qenë një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm. I drejte, reformator, efiçent, një këshilltar shumë i mirë, e mbi të gjitha një njeri që ia ka kushtuar jetën e karrierën FA dhe ndan vizionin për një forcë realisht moderne e profesionale. Bashke me të, çdo gjeneral, komandantët e forcave, drejtorët e shtabit dhe çdo oficer me të cilët kemi punuar ngushtësisht për një reformë të gjithanshme, ligjore, institucionale e administrative.

Dua të falënderoj shumë Petro Koçin, kolegun e mikun e mirë, të përkushtuar e të papërtuar. Jam e bindur që Petro do të mbështesë po njësoj Nikon ashtu si edhe mua për modernizimin e FA.
Flori, më vjen shumë keq që nuk do jesh më pjesë e ekipit tim, pasi e di që e ke zemrën tek mbrojtja, dikush me tha qe Flori mbushi plot 20 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes ku do vazhdosh të jesh një aset i jashtëzakonshëm për Forcat e Armatosura. Të jam pafund mirënjohëse për punën dhe përkushtimin tënd.
Për kabinetin kam një falënderim nga zemra për gjithë ditët pa orare, për gjithë javët pa fundjava, e për të gjithë vitet pa pushime që i keni dhënë kësaj pune. E dua ti falënderoj po ashtu posaçërisht, që një pjesë e tyre kanë zgjedhur të punojnë prapë pa orare e pa pushime me mua në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Miqtë e mi,
Sinqerisht, ndihem jo pak e trishtuar që po ndahem nga ju e nga kjo detyrë. Por ama ndihem mirë që së bashku ia kemi dalë të bëjmë aq shumë. Sepse besoj që kemi bërë punë vërtet të rëndësishme.

Sot FA janë një institucion që gëzon respektin dhe admirimin e shqiptarëve. Në momentet më të vështira që kemi kaluar, që nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, tek pandemia, apo zjarret, përmbytjet e bllokimet nga dëbora e të tjera fatkeqësi natyrore, besoj qytetarët shqiptarë kishin sigurinë që nuk do të ishin kurrë vetëm. Që djemtë e vajzat, burrat e gratë me uniformë do të ishin aty pranë tyre për t’i ndihmuar. Me reformën ligjore e institucionale të emergjencave civile, me ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen Civile ia kemi dalë të japim një kontribut vërtet të madh për sigurinë e mirëqenien e qytetarëve shqiptarë nga fatkeqësitë e emergjencat.

Sot FA gëzojnë respektin dhe vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë sepse efektivët tanë nga Afganistani në Letoni e në Egje kanë shkëlqyer me punën dhe profesionalizmin e tyre. Djemtë dhe vajzat tona në misione, meritojnë sot mirënjohjen tonë më të sinqertë për performancën e tyre që ka përforcuar imazhin e Shqipërisë jo thjesht si shtyllë stabiliteti në rajon, por si një eksportuese neto sigurie kudo që është thirrur të kontribuojë.
Të gjitha këto janë në fakt, veç provat e një transformimi të madh që ka filluar në FA. Dhe s’e kam fjalën këtu për pajisjet e infrstrukturën e mjetet, edhe pse edhe në këtë drejtim është bërë një punë e jashtëzakonshme. E kam mbi të gjitha fjalën për filozofinë e re që ka filluar të konsolidohet, atë të profesionalizmit e meritokracisë në FA.

Çelja e programit bachelor në Akademinë e FA, të çertifikuar si institucioni i vetëm i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, jam e bindur që do ta konsolidojë më shumë modelin e një force profesionale duke krijur mundësinë për edukimin e kuadrove drejtuese por edhe thithjen e talenteve më të mira në FA.

Dhe jam e lumtur, që së bashku ia dolëm të përmirësojmë trajtimin financiar për efektivët e FA jo thjesht pse rritem pagat e ushtarakeve apo sepse adresuam një padrejtësi të vitit 2013 e jo thjesht sepse ia dolëm të çojmë më shumë të ardhura në familjet e ushtarakëve, por edhe sepse të gjithë burrat e gratë në uniformë e meritojnë të trajtohen me më shumë dinjitet për shërbimi që i japin këtij vendi.

Sot FA ka nisur të hedhë hapat e para drejt ringrijtes së Forcës Ajrore duke i shtuar flotës helikopterët Blackhaëk por duke filluar së shpejti punën me Lockheed Martin edhe për vëzhgimin e integruar të hapësirës ajrore.

Dhe së shpejti, do të fillojnë punimet për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, e vetmja bazë e tillë në rajon, që do të transformojë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Ndërkohë që, jam shumë optimiste që me angazhimin e Nikos, do të realizohet me sukses edhe objektivi tjetër madhor që ne i kishim vënë vetes dhe në Shqipëri do të ketë së shpejti edhe një bazë detare të NATO-s në Pashaliman. Propozimi ynë për këtë bazë është pritur mjaft pozitivisht edhe pse vendimmarrja lidhur me këtë bazë është shtyrë në kohë për shkak të pandemisë jam optimiste që së shpejti edhe kjo bazë mund të bëhet realitet.

Të gjitha këto e sa e sa punë të tjera, i kemi bërë së bashku. Por asnjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur nëqoftëse nuk do të kishim pasur në çdo hap mbështetjen e pakursyer dhe bujare të partnerëve tanë ku sigurisht dua të veçoj e të falënderoj nga zemra, me shumë mirënjohje aleatët tanë amerikanë. Mbështetja e tyre në çdo fushë, nga Forca Ajrore e deri tek pajisjet e efektivëve tanë, nga mbrojtja kibernetike tek aprovimi i bazës së Kuçovës, tek emergjencat civile ka qenë i jashtëzakonshëm. E me ta partnerët tanë turq, italianë, grek e britanik për kontributin e paçmuar në arsimin dhe trajnimin e oficerëve dhe nënoficerëve tanë dhe modernizimin e forcave. Ne jemi me fat, jemi vërtet me fat që kemi miq kaq të mirë!

Nuk dua të zgjatem më shumë sepse po të më lësh për mbrojtjen mund të flas gjithë ditën. Por sot jam e lumtur që stafetën ia kaloj një kolegu e një miku, të cilin realisht e respektoj për punën e vizionin dhe që jam e sigurt që do të jetë një drejtues efikas e punëmbaruar i këtij dikasteri ashtu siç ka qenë në çdo institucion që ka drejtuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb