Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se nuk ka në Shqipëri një politikan tjetër përveç tij që të ketë qenë më korrekt me SHBA. Duke thumbuar kryeministrin Edi Rama, Meta tha në “Syri.net” se nuk ka pasur nevojë për të lobuar për foto, pasi kur ka kërkuar diçka e ka arritur dhe do ta arrijë gjithmonë.

Lidhur me këtë, ai solli në vëmendje takimin me Presidentin e SHBA, George Bush, në kohën kur ishte kryeministër i vendit, duke thënë se e kërkoi këtë takim dhe e realizoi brenda ditës.

“Nuk kam kërkuar asnjë lekë për një foto, se nuk kam nevojë. Kur kam kërkuar takim me Presidentin e SHBA, ma kanë sjellë brenda ditës, sepse ai takim ishte i rëndësishëm, me Bush. Marrëdhëniet e mia me SHBA janë të shkëlqyera. Unë flas në emër të shqiptarëve.

Atë takim, vizita ishte zyrtare, agjenda ishte e shkëlqyer. Qëlloi ditët që isha unë në Washington, doli lajmi që Presidenti i SHBA do takonte kryeministrin e Maqedonisë. Dhe kur pashë lajmin thashë “bobo do e dëgjojë Doktori dhe do e shfrytëzojë që këtë e takoi, këtë tjetrin jo”.

Ndaj e takova, nuk ishte planifikuar. Nuk kam pas nevojë të loboj ndonjëherë, por kur kam kërkuar diçka e kam arritur pa vështirësi dhe do ta arrijë gjithmonë. Marrëdhëniet e mia me Amerikën janë të papara, për miliarderët nuk kam interes. Nuk ka në Shqipëri një politikan që të ketë qenë më korrekt me SHBA”, tha Kreu i Shtetit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb