Carlo Ancelotti sonte është në Manchester, teksa Reali I tij do të përballen me Cityn e Guardiolas. Trajneri italian, në prag të kësaj supersfide, zbuloi disa nga fazat më të rëndësishme të karrierës së tij dhe rrëfen:

“Juventus? Ata më urrenin që luaja për Milanin, ndonjëherë më duhej të dilja me polici. Nuk fituam tituj, dolëm dy herë të dytët…Nuk ishte një përvojë e mirë. Calciopoli? Dukej pozitive që futbolli italian do të pastrohej”.

Periudha dyvjeçare me bardhezinjtë, megjithatë, nuk ishte krejtësisht negative: “Atje gjithçka u organizua në mënyrë fantastike. Nuk pata një periudhë të mirë për shkak të së kaluarës sime te Milan dhe Roma, por mësova shumë sepse është një klub i nivelit të lartë”.

Ancelotti bëri historinë e Milanit edhe si lojtar edhe si trajner, duke shënuar në mënyrë të pashlyeshme epokën e Berlusconit: “Sfida e tij ishte të fitonte në dy vjet dhe ai ia doli. Ne fituam Kupën e Kampioneve në 1989 dhe 1990. Votova gjithashtu në zgjedhje për të, ishte gjeni.

Kur isha trajner i pëlqente të fliste për futbollin, por më vinte gjithmonë kur gjërat ishin mirë, asnjëherë kur ishin keq. Më fliste shpesh për të luajtur me tre sulmues, donte të luante Kaká, Inzaghi dhe Shevchenko. Kishte një legjendë që ai diktonte formacionet, por kjo nuk është e vërtetë. Presidenti nuk më tha kurrë të vendos këtë lojtar ose tjetrin.”

Ndër eksperiencat italiane është edhe ajo e fundit me Napolin, e cila përfundoi në një mënyrë disi të stuhishme: “Është qyteti më i bukur në botë për të shkuar me pushime. Pas stërvitjes, merja varkën dhe shkoja për darkë në Capri. Në Itali është një klub i madh, që synon të qëndrojë në top katërshe. Vitin e dytë diskutova me klubin për largim, ata nuk donin dhe nuk e bëra, por nuk pati asnjë konflikt”.

Tani koka është te Reali, por edhe për të ardhmen, Carletto duket se i ka të qarta idetë: “Dua të bëhem mësues futbolli në nivel universitar. Të marr një titull nga UEFA apo diçka të tillë, të jap provime për ata që merren me futboll.

Kur të ndaloj stërvitjen do të dua të bëj gjëra të tjera: Kam pesë nipër, jam martuar për herë të dytë dhe dua të jem më pranë familjes. Dua të bëj më shumë dhe të argëtohem me kur të përfundoj karrierën time, do të mbetem tifoz i Real Madrid dhe Milan”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb