Gazetari i pavarur Mir Ali Koçer ishte 200 milje nga epiqendra kur Turqia u godit nga një tërmet vdekjeprurës më 6 shkurt. Duke rrëmbyer kamerën dhe mikrofonin e tij, ai zbriti me makinë në rajonin e prekur për të intervistuar të mbijetuarit.

Ai ndau histori të të mbijetuarve dhe shpëtuesve në Twitter dhe tani është nën hetim me dyshimin për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe mund të përballet me deri në tre vjet burg.

Ai është një nga të paktën katër gazetarët që po hetohen për raportim ose koment për tërmetin.

Grupet e lirisë së shtypit thonë se dhjetëra të tjerë janë arrestuar, ngacmuar ose penguar të raportojnë.

Të paktën 50,000 njerëz u vranë kur tërmetet goditën Turqinë dhe Sirinë.
Autoritetet turke nuk kanë komentuar mbi ndalimet.

‘Nuk mund t’i mbaja lotët’
Natën e tërmetit, z. Koçer, i cili është kurd dhe kontribuon në faqet e lajmeve pro opozitës si Bianet dhe Duvar po pinte duhan në ballkonin e tij në qytetin juglindor të Dijarbakirit, kur dy qentë e tij papritmas filluan të lehin.

Më vonë ai kujtoi se si kishin lehur ashtu në vitin 2020, disa sekonda përpara se një tërmet më i vogël të godiste Turqinë lindore.

“Ndjeva se po dridhesha. Ndjeja se si po dridhej shtëpia, ndjeva se po dridhej televizori”, thotë z. Koçer. Ai u fsheh nën një tavolinë darke me qentë dhe më pas doli jashtë.

Z. Koçer u largua nga Diyarbakiri dhe u nis me makinë për në qytetin e Gaziantepit. Ai u trondit nga skenat e shkatërrimit dhe viktimat që i duruan temperaturat e ulëta në qytete afër epiqendrës së tërmetit.

Të paktën 3,000 nga viktimat e tërmetit vdiqën në Gaziantep.

“Kur mbaja mikrofonin, pas kamerës apo para kamerës, nuk i mbaja dot lotët”, kujton z. Koçer.

‘Provokatorët’

Z. Koçer u prek nga fluksi i vullnetarëve dhe ekipeve të shpëtimit që vinin nga Turqia Perëndimore dhe ai ndau historitë e tyre në Twitter. Disa nga të mbijetuarit i thanë atij se nuk morën asnjë ndihmë për ditë të tëra. Ankesa të ngjashme u cituan nëpër media pro opozitës.

Duke vizituar zonat e prekura nga tërmeti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha njerëzve se do të rindërtonte qytetet e tyre. Por ai paralajmëroi gjithashtu se ata që përhapin “lajme të rreme” dhe “shkaktojnë kaos social” do të ndiqen penalisht, duke i quajtur ata “provokatorë”.

Z. Koçer thotë se ndërsa raportonte nga rajoni i goditur nga tërmeti, policia e Dijarbakirit la një shënim në banesën e tij, duke e udhëzuar të vizitonte komisariatin dhe të jepte një deklaratë.

Në stacion, atij iu tha se po hetohej sipas një ligji për dezinformimin. Ai tha se policia e mori në pyetje për raportimin e tij nga epiqendra e tërmetit dhe e akuzoi për përhapje të informacionit të rremë.

Ligji i ri i Turqisë u miratua në tetor. Ai kriminalizoi përhapjen publike të dezinformatave dhe i dha shtetit kompetenca shumë më të gjera për të kontrolluar faqet e lajmeve dhe mediat sociale.

Komisioni i Venecias, një mbikëqyrës ligjor i Këshillit të Evropës, tha se ligji do të ndërhynte në lirinë e shprehjes.

Partitë opozitare e quajnë atë një “ligj censurë”.

“Ata nuk i pëlqejnë kritikat”
Z. Koçer këmbëngul se ishte i përpiktë në punën e tij dhe intervistoi të gjitha palët, nga të mbijetuarit tek policia, xhandarmëria dhe punonjësit e shpëtimit. “Nuk kam ndarë informacione pa hulumtime dhe analiza të plota”, thotë ai.

Reporterët pa Kufij (RSF) e quajtën hetimin kundër z. Koçer “absurd” dhe u kërkuan autoriteteve ta ndalojnë atë.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), një grup avokues, të paktën tre gazetarë të tjerë po përballen me akuza penale.

Merdan Yanardağ dhe Enver Aysever janë komentatorë të shquar politikë me bazë në Stamboll me ndjekës të shumtë në mediat sociale. Të dy kanë kritikuar përpjekjet e qeverisë për shpëtim. Ata janë të dy nën hetim së bashku me Mehmet Güleş, i cili, ashtu si z. Koçer, është i vendosur në Dijarbakir. Ai u arrestua me dyshimin për “nxitje të urrejtjes” për intervistimin e një vullnetari që kritikonte përpjekjet e qeverisë për shpëtim dhe më vonë u lirua, sipas RSF.

Numri i gazetarëve të tjerë nën hetim është i paqartë. Të martën, policia tha se ndaloi 134 persona për “postimet provokuese” dhe arrestoi 25 prej tyre, por identiteti i tyre nuk është bërë i ditur. Disa nga të arrestuarit mund të kenë përhapur gënjeshtra, duke përfshirë atë që emigrantët afganë kishin pastruar në lagjet e shkatërruara.

Por kritikët thonë se shtrëngimi ka shkuar shumë përtej atyre që përhapin dezinformata të dëmshme.
“Qeveria po përpiqet të shtypë informacionin që vjen nga zona e tërmetit”, thotë eksperti i të drejtave kibernetike Yaman Akdeniz, i cili jep mësim në Universitetin Bilgi të Stambollit.

Arrestimet erdhën pasi drejtori i komunikimit presidencial i Turqisë paralajmëroi kundër “dezinformatave vdekjeprurëse” që rrezikojnë përpjekjet e shpëtimit. Drejtoria hapi gjithashtu një aplikacion smartphone të quajtur “Shërbimi i Raportimit të Dezinformimit” duke inkurajuar njerëzit të raportojnë postime manipuluese për tërmetin.

“Sa herë që zyrtarët [turq] dhe qeveria kritikohen, atyre nuk u pëlqen”, thotë Arzu Geybulla, një gazetare në Stamboll që mbulon autoritarizmin dhe censurën dixhitale.

“Por këtë herë ata janë ndoshta më të zëshëm.”

BBC kontaktoi drejtorinë presidenciale të Turqisë për komunikime duke pyetur për gazetarët e hetuar dhe thirrjet nga grupet e avokimit për të hequr dorë nga hetimet, por nuk ka pasur përgjigje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb