Gazeta Panorama.al publikon sot ekskluzivisht ditarin e rrallë të gjyqit të kundër Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm të regjimit komunist, i cili u vendos në bankën e të akuzuarve pas vetëvrasjes misterioze të Mehmet Shehut.

Shënimet e gjyqit misterioz janë mbajtur nga ish-shefi i Sigurimit të Byrosë Politike, njëherësh njeriu më i afërt i Mehmet Shehut, Gani Kodra.

Ai është ndër të mbijetuarit të këtij gjyqi, i cili pas daljes nga qelitë ka hedhur në letër të gjitha kujtimet e torturave dhe ngjarjeve të rënda që ndodhën në burgun 313.

Në këtë rrëfim që publikohet sot për herë të parë nga Gazeta Panorama.al tregohet më detaje se si Kadri Habziu ka hedhur poshtë të gjitha akuzuat e ngritura  nga miku i tij i ngushtë, Mihallaq Ziçishti, i cili pas torturave dhe kërcënimeve për vrasjen e familjarëve u detyrua të shesë ish-ministrin e Brendshëm.

Por gjatë dëshmisë së tij të treguara nga Gani Kodra, Kadri Hazbiu i quan deponimet e Mihallaq Ziçishtit si shpifje e injorancë, madje nuk nguron ta quaj ish shokun e tij të ngushtë si “k*rvë e vjetër”.

“Ju, duke nxjerrë një dëshmitar si Mihallaq Ziçishti, që nuk është gjë tjetër vetëm një ku*vë e vjetër, nuk bëni gjë tjetër veçse s’keni asnjë bazë që të vërtetoni akuzat kundër personit tim”, ka thënë ai në gjyq.

Ndërkohë që për pohimet e Nesti Kerenxhi, se kishte patur takim me Titon dhe se ai i kishte kërkuar ta mbante afër pasi ishte njeriu i tyre, Kadri Hazbiu i ka hedhur poshtë akuzat.

Sipas Hazbiut në kohën që u akuza për njohjen me Titon, ai ka theksuar se nuk ishte fare në detyrë madje ishte duke u shëruar nga plagët që kishte marrë gjatë luftës.

“Unë jam i bindur se Tito as nuk e ka njohur emrin tim në atë kohë”, theksonte Hazbiu.

KADRI HAZBIU KUNDËR NESTI KERENXHIT

Kështu, ky proces i përgatitur me kujdes pësoi një fiasko të vërtetë. Po radhis më poshtë disa nga akuzat kryesore të Mihallaqit dhe përgjigjet e Kadriut: Ti Mihallaq dhe Nesti Kerenxhi, – vazhdoi Kadriu, – më akuzoni se unë paskam qenë agjent i zbulimit jugosllav, aq sa, sipas Nestit, në takimin që ai ka pasur me Titon në Pulja të Jugosllavisë, ky i fundit e paska pyetur për mua duke i thënë se Kadriu është kuadër i mirë dhe se duhet ta mbani afër. Kjo, sipas jush, bënte me kuptuar se unë isha rekrutuar nga ata që në kohë të luftës dhe, sipas Mihallaqit, lidhjet më të ngushta i kisha me këshilltarët jugosllavë që ishin në Ministrinë e Brendshme.

Duke thënë Nesti Kerenxhi se personalisht Tito interesohej për mua, dhe kjo në mesin e vitit 1946, unë po ju them se ai po tregohet shumë idiot, pasi në atë kohë unë isha akoma i sëmurë nga plaga që kisha marrë në luftë dhe sapo më kishin thirrur për të më emëruar shef të Sigurimit Ushtarak. Kështu që deri në atë kohë unë nuk kisha njohur asnjë kuadër të zbulimit jugosllav.

Unë po ju pyes juve: kur më njohu mua Tito? Unë atëherë isha një kuadër i thjeshtë në Brigadën V, ndërkohë që për kohën që flisni juve unë nuk isha emëruar akoma. Ku më njohu Tito se unë paskam qenë kuadër i zoti dhe të paska këshilluar ty Nesti që të më mbaje afër!? Apo mos ishin detyra të caktuara për të më afruar mua? Por unë jam i bindur se Tito as nuk e ka njohur emrin tim në atë kohë.

Të gjitha këto që thotë Nesti janë udhëzime të hetuesve, apo ata lart të kanë thënë me qëllim për të më akuzuar mua. Ata që të kanë mësuar të flasësh kështu i kanë bërë llogaritë gabim, se ty të njeh gjithë Shqipëria që je njeri me shumë fytyra e i ke shërbyer çdo lloj udhëheqjeje, qoftë zbulimeve të vendeve të huaja, ashtu edhe klasave të ndryshme që kanë drejtuar vendin tonë, prandaj nuk ta beson njeri. Kurse unë kam punuar me ndershmëri, e kam dashur partinë dhe kam punuar pa rezerva për të pavarësisht se më sheh këtu, kjo i ka interesuar dikujt.

KADRI HAZBIU SULMON MIHALLAQ ZIÇISHTIN

Po ashtu veproi Kadri Hazbiu dhe para deponimeve të Mihallaq Ziçishtit. Të gjitha deponimet që ky bëri para trupit gjykues, Kadriu i dëgjoi me qetë si dhe me vëmendje të madhe, duke mbajtur shënime për çdo gjë. Pastaj kur mori fjalën iu kthye: Sa për ato që thotë Mihallaqi se paskam qenë unë që i kam mbajtur lidhjet e ngushta me këshilltarët jugosllavë që ishin në Sigurimin e Ushtrisë në vitin 1947, nuk është e vërtetë. Këtë e di shumë mirë dhe vetë Mihallaqi, pasi porsa erdhën këtu këshilltarët jugosllavë, unë nuk i takova fare për faktin se një grup i kuadrove kryesore të Ministrisë së Brendshme ku ishte edhe Mihallaqi, shkuam në shkollën e KGB-së në Moskë, ku u specializuam për një vit. Punën me këshilltarët e bëri Llambi Peçini. (Llambi i përgjigjet se e vërteta është siç thotë Kadriu, pasi unë kam punuar deri në fund me jugosllavët).

***

Nga ana tjetër, Mihallaqi thotë se kur ishim në BS në vitin 1947-1948 për specializim, qenkam rekrutuar nga KGB-ja si agjent i saj. Sipas tij, menjëherë sa jam kthyer në banesën ku rrinim, i paskam thënë se mua më rekrutuan agjent të KGB-së. Kjo që thotë Mihallaqi është shumë injorante. Jo vetëm kaq, por ësh të e ndërtuar shumë keq dhe në mënyrë shumë diletante. Kështu që ata njerëz që i kanë formuluar këto akuza i kanë bërë të pa besueshme. Unë po e pyes Mihallaqin që është marrë me punë operative, por që nuk është shquar ndonjëherë, sesi ka mundësi që një agjent i porsarekrutuar të shkojë dhe t’i thotë tjetrit, sidomos nga kuadro të sigurimit, ose kushdo qoftë ky, dhe t’i thotë “shiko se unë u bëra agjent i huaj dhe do të jap informacione kundër vendit tim”. Me këtë akuzë ju e ulni veten shumë poshtë dhe vërtetoni më shumë pastërtinë time që gjatë gjithë jetës i kam shërbyer me ndershmëri partisë. Ju, duke nxjerrë një dëshmitar si Mihallaq Ziçishti, që nuk është gjë tjetër vetëm një ku*vë e vjetër, nuk bëni gjë tjetër veçse s’keni asnjë bazë që të vërtetoni akuzat kundër personit tim.

***

Akoma më e turpshme dhe e mbushur me shpifje është deponimi, gjoja, i lojës me zbulimin amerikan e italian për t’i hapur rrugë babait të Halim Xhelos që ishte kuadër i zbulimit amerikan për të na dërguar bandën e Ethem Çakos. Këto janë përralla me mbret, pasi i ati i Halimit kishte ikur duke kaluar kufirin shumë vite më parë se në kohën kur na flet Mihallaqi. Kurse për bandën e Ethem Çakos dhe të gjitha bandat e tjera, duke filluar nga Zenel Shehu dhe deri te Hamit Matjani, ka dokumente të sakta që vërtetojnë format e metodat që kanë përdorur organet e sigurimit, të cilat ndodhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe që me gjithë kërkesat e mija të përsëritura, juve nuk m’i sollët këtu, pasi kini frikë se çdo akuzë kundër meje bie poshtë dhe do të vërtetonte se të gjitha këto janë shpifje e trillime.

MBRON ORGANET E SIGURIMIT TË SHTETIT

Organet e Sigurimit të Shtetit për kapjen e këtyre bandave të rrezikshme kanë përdorur organizimin dhe forma më të përparuara. Ato kanë punuar në mënyrë të tillë që kishin të dhëna të sakta nga qendra nga ku niseshin këto banda dhe vendin ku do të desantonin ato. Këto i di shumë mirë Mihallaqi, i cili ka punuar edhe vetë në këtë drejtim.

Ai e di mirë se nuk ishin vetëm këto banda që dërguan zbulimet amerikane dhe italiane e jugosllave, por ishin qindra banda të tjera të dërguara nga këto zbulime dhe që desantonin në zonat e Veriut për t’u lidhur me bandat e tjera që vepronin brenda territorit të vendit tonë ku kryenin vrasje kuadrosh, sabotonin dhe terrorizonin popullin e këtyre zonave. Prandaj të thuash se dërgimi i këtyre bandave ishte lojë e zbulimeve amerikane për të më bërë mua dhe Mehmetin njerëz të suksesit për të fituar besimin e udhëheqjes së lartë, kjo ka qëllime të caktuara për të hedhur poshtë gjithë punën vetëmohuese dhe plot sakrifica të organeve të Sigurimit, të heronjve e dëshmorëve të këtyre organeve që ranë në përpjekje kundër këtyre bandave.

Duke qenë se akuzat kundër meje nuk kanë asnjë bazë ku të vërtetoni qoftë edhe një gjë, sado e vogël qoftë. Kapeni pas bandave që puna kundër tyre ka qenë krenaria e Sigurimit dhe që vetë udhëheqja e lartë na ka përgëzuar me dhjetëra herë për këto suksese. Atëherë pasi iu bëra këto sqarime dhe saktësime që, për hir të së vërtetës, jeni të detyruar t’i pranoni unë pyes se nga doli kjo akuzë se e gjithë puna për kapjen e bandave paska qenë lojë e zbulimit amerikan dhe e Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut?

Unë nuk çuditem për këtë, pasi kuptohet që dikush lart ka interesa për t’i përdorur këto akuza për t’i mbushur mendjen popullsisë se unë gjithë jetën paskam qenë agjent i zbulimeve të huaja dhe se paskam punuar kundër popullit. Dhe për t’i lexuar këto akuza gjen një njeri si Mihallaq Ziçishti që është i detyruar t’i lexojë me pika e presje siç janë shkruar.

Mua më vjen turp kur i dëgjoj këto akuza, por ama më vjen shumë keq kur nga lart injorohen me paturpësinë më të madhe organet e Sigurimit, që ata vetë i kishin quajtur “Heronj të heshtur” dhe i kishin përdorur sipas qejfit të tyre. Por do të vijë një ditë që historia do të hedhë dritë mbi të vërtetën se si ka qenë…

VIJON NESER…

Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb