Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka pohoi se Komisioni Hetimor për çështjen ‘McGonigal’ i kërkuar nga opozita është një kërkesë e ligjshme dhe se duhet patjetër të ngrihet.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24’ Ndoka tha se Rama nuk duhet ta kishte deleguar interpelancën e tij te ministrja Elisa Spiropali. Ndër të tjera ai tha se Rama nëse nuk lejon opozitën të veprojë në Kuvend, që të flasë fjala e lirë apo dhe të mbizotërojë pluralizimi, duhet edhe të tërhiqet zvarrë.

“Ligji për Komisionin Hetimor i jep taksative minorancës për ta drejtuar komisionin dhe për të mos pasur asnjë pengesë nga ana e maxhorancës. Kjo është e njohur me ligj. Një rast kur u tentua, unë e kam kritikuar. Kur minoranca e kërkon ngritjen e komisionit për një çështje të caktuar, duhet të miratohet. Kryeministri mund të delegojë disa çështje, Por kur thirret personalisht, nuk mund të flasë me stomakun dhe gojën e Spiropalit. Kryeministri është fajtori i kapur që fshihet. Janë dyshime të përligjura dhe jo dyshime kot. Kryeministri përmendet disa herë në aktakuzë. Këtyre t’u japë përgjigje zotëria, s’po tentojmë ta bëjmë me faj. Rama ka tentuar të përdor atë zotërinë për t’i bërë dëm opozitës. Janë dhe shumë aktorë të tjerë që janë futur në këtë skemë, disa biznesmenë të fuqishëm. Dy personazhe shqiptare e kanë shirë lëmin, siç thuhet. S’po fajësoj Ramën për dredhitë që na kanë bërë. Por e fajësoj se e ka pritur McGonigal pa transparencë. Kur del në takim me Spiropalin nxjerr 7 fotografi, jo më kur takohet me McGonigal dhe s’ka asnjë njoftim. Nuk duhet të kemi një parlament që tregon përrallat. Duhet t’i kërkojmë llogari dhe ta tërheqim zvarrë, kur një kryeministër nuk të jep fjalën, kur nuk respekton liritë dhe të drejtat e deputetit.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb