Me e-pjesëmarrjen time ndoqa me shumë interes në kohë reale një platforme online komunikimi, ku u shkëmbyen ide dhe mendime mjaft interesante nga një panel elitar profesionistësh në fushën e biznesit, të cilët diskutuan rreth krizës globale të krijuar nga virusi “Covid-19”, që ka çoroditur dhe kyçur më shumë se gjysmën e botës.

Këta përfaqësues të njohur të sferës së biznesit ishin CEO (Chief Execute Officer) të pesë kompanive që kanë një shtrirje globale veprimtarie tregë
tare dhe që përfishihen në listën e sipërme të kompanive më të mëdha të botës.

Ata ishin Nigel Higgins (Group Chairman, Barclays Bank Plc), Bernard Looney (CEO, British Petroleum Plc), Michael Dell (Chairman and CEO Dell Technologies), Carmine Di Sibio (Global Chairman and CEO, EY) dhe Alan Jope (CEO, Unilever Plc). Një bio e tyre dhe përshkrimi i veprimtarisë së kompanive që drejtojnë për ata që kanë interes, gjendet me një kërkim të thjeshtë në google.

Në këtë periudhë kur pa pushim gëlojnë lajme për pasojat tragjike apo negative të situatës së krijuar, mendoj se shumë nga ne duhet të përqëndrojmë interes dhe energji edhe për t’u informuar mbi shtigje të reja mendimi e veprimi, për atë sesi duhet të dilet nga kjo situatë, madje duke qënë edhe më të fortë, më të sigurtë e pse jo edhe më të përgjegjshëm sesa kur hymë.

E gjitha kjo që po kalojmë ngjan me një rrugëtim atipik të jetës sonë nga një normale e zakonshme (i referohem periudhës para krizës), në një fazë normaliteti të pazakonshëm (periudha që po kalojmë aktualisht), drejt një “normaliteti të ri” i cili do i përkojë të ardhmes postkrizë.

Shkrimi im lidhet me mesazhet që unë u përpoqa të përthith nga arsyetimet e shprehura gjatë diskutimit të tyre, të cilat më dhanë një shtysë motivuese për t’i ndarë edhe me lexuesit e këtij shkrimi.

Padyshim, idetë e tyre përfaqësojnë një qasje e botëkuptim të sofistikuar në raport me rolin që bizneset dhe sipërmarrjet e suksesshme kanë në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërive, apo siç unë preferoj t’i quaj, të habitateve njerëzore anë e mbanë botës. Kompani të këtyre përmasave, padyshim që japin një kontribut shumë të madh në ekonominë e shteteve dhe progresin shoqëror.

“Webcast”-e apo platforma të kësaj natyre e me tematika që nxisin të menduarit ndryshe, të cilat ftojnë e-pjesëmarrje të gjerë njerëzish nga gjitha bota për t’u ndjekur në kohë reale, vlerësoj se kanë për qëllim të inspirojnë një shikim përtej faktorëve financiarë dhe operacionalë që ndikojnë akivitetin e sipërmarrjeve dhe bizneseve, duke shkuar deri në analiza konkrete sesi periudha tranzitore e kësaj krize dhe ajo post-Covid, do të ndikojë shoqëritë tona, apo sesi pasojat e kësaj pandemie botërore do ridimensionojnë pritshmëritë e njerëzve dhe shoqërive në raport me punën, jetën dhe liderët e tyre.

Ka sot një tendencë të natyrshme që të gjitha bizneset dhe sipërmarrjet e mëdha, të marrin masa operacionale dhe financiare sa më efektive për përballimin me sa më pak dëme të kësaj ndodhie me shtrirje globale të paparashikuar, që po shkakton një shkundje ekonomike të paprecedentë në GDP-në e botës, qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Padyshim që ky lloj reagimi i bizneseve është i natyrshëm dhe i domosdoshëm, për të garantuar fillimisht mbijetesën. Por mendimi që prevaloi edhe gjatë bisedës së pesë CEO-ve, ishte sesi në fakt duhet që bizneset dhe sipërmarrjet e mëdha të mos harrojnë gjatë sfidës së përballimit të kësaj situate faktorin human. Pra, se si duhet që në të ardhmen të planifikojnë më mirë kurbën e veprimtarisë së tyre, në raport me analizat e riskut që duhet të zbatojnë, pa përjashtuar në këtë skemë analize ndihmën që duhet të parashikojnë në kohë krizash për zinxhirin e punëtorëve në radhë të parë, por për ta shrirë edhe pak më tej edhe ndihmën në adresë të komuniteteve të caktuara të shoqërisë.

Nga sot e tutje, sipas edhe këndvështrimit të diskutantëve në panelin online, duhet që veprimtaria e sipërmarrjeve të orientohet jo vetëm kah fuqizimit dhe zmadhimit eksponencial, por paralelisht edhe kah garantimit të një rritje ekonomike që shkon në linjën e një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë. Ky zhvillim duhet që të marrë në konsideratë ekuibrat ekosistemit tone natyror, por edhe të sigurojë mekanizima humanë e dobiprurës të të bërit biznes, duke vendosur në sistemin e funksionimit ekonomik disa “valvula” sigurie financiare dhe sociale, për të cilat teknologjia dhe inovacioni do të ndihmojnë edhe më shumë se sa dje, për të mbrojtur më mirë “qelizën” e çdo sipërmarrjeje dhe biznesi, që përfshin gjithë zinxhirin horizontal e vertikal të punonjëseve, duke fiilluar nga punëtori më i thjeshtë në hierarki dhe deri te ai më i lartë, siç është CEO.

Unë mendoj se kjo krizë e përgjithshme që ka prekur thuajse çdo sektor të ekonomisë por edhe fushat sociale të jetës, nxori në pah më së miri “varësinë” që të gjithë kemi nga njëri-tjetri, në përpjekjen e përbashkët për të realizuar objektivat e vendosura në punë apo në jetë. Askush sot nuk mund të garantojë i vetëm nga karantina ndryshimet e shumëpritura, pa qënë i lidhur me tjetrin për t’iu përshtatur nevojave të reja të të punuarit në një kontekst të ri dixhital. Këtë e them jo në kuptimin e situatës thuajse “hibride” që duket se ka zëvendësuar për momentin shkëmbimin tonë human me atë nëpërmjet teknologjisë, por e them më së shumti në kuptimin e çmimit dhe vlerësimit të duhur që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit, edhe kur në kushtet jashtë karantinës nuk na nevojitet të jemi kaq të ndërlidhur.

Mbase jo të gjithë do të kalojmë simptomat e virusit Covid-19, por të gjithë ama jemi të ndikuar prej pasojave që ai ka krijuar, dhe kjo është arsye e mjaftueshmë për të na bërë më të lidhur, më solidarë dhe më mirëkuptues me njëri-tjetrin.

Ndaj, secila forcë e shoqërisë duhet të luajë pjesën e saj në këtë shfaqje të vënë në skenë nga ky armik i padukshëm i kohëve moderne. Kryesisht këtë duhet ta bëjnë më shumë se kurrë qeveritë dhe bizneset e mëdha, pikërisht për të zbutur defiçitin e besimit që mund të kenë grumbulluar në të shkuarën, dhe duke e përmirësuar rolin e tyre jo vetëm tani në të tashmen e krizës, por edhe në të ardhmen kur prej saj të kemi dalë, me shpresën se do kemi nxjerrë edhe mësimet e duhura.

Kjo mund të tingëllojë disi teorike apo abstrakte, por ajo që po përpiqem të shpreh, spunton për të cilën e mora nga diskutimi i panelistëve të mençur, ishte se si kjo filozofi nuk duhet të jetë më vetëm teori, por edhe një realitet në praktikë i menduar deri në detaje. Nëpërmjet kësaj qasjeje të re operimi mund të evitohen kolapse drastike të jetës ekonomike dhe shoqërore në raste pandemish apo situatash të paparashikueshme që globalizimi gjithmonë e më shumë po i paraqet si risk, për garancitë jetësore të individit në veçanti, por edhe lidhur me garancitë e nevojshme për zhvillimin dhe progresin e përgjithshëm shoqëror.

Ka ardhur koha të ridimensionohet me një vetëdije më të lartë humanizmi kauza e solidaritetit njerëzor më së pari, padyshim pa shmanguar atë të fuqizimit ekonomik të domosdoshëm, por gjithmonë duke mbajtur në vëmendje aplikimin e prirjeve humane që mundësojnë shpërndarjen më të drejtë të të ardhurave për një mirëqënie më barazitare, ne emër të një bashkëjetese ekonomike dhe sociale më drejtë të ekuilibruar.

Në linjën e këtij arsyetimi, të pestë përfaqësuesit e lartë të botës së biznesit përmendën shembujt e tyre inspirues dhe vunë theksin se sot është koha e duhur që kompanitë e mëdha të kenë një sjellje më humane drejt njerëzeve, pasi të gjithë ata që kanë patur nevojë për ndihmë më shumë në përfundim të kësaj krize, do kujtojnë se si u ndihmuan ose jo, nga ata që mundësinë e kishin por nuk e shfrytëzuan sa duhet.

Ky mesazh duhet të kuptohet i tillë edhe në realitetin shqiptar, nga kasta e të pasurëve që shpesh harrojnë se jeta është jo aq e gjatë, por emri mund të mbetet i përjetshëm, falë një sjellje e cila duhet të reflektojë një ndjeshmëri më zemërgjerë në raport me ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Kjo duhet të ndihet jo vetëm nëpërmjet thirrjeve me fjalë për fushata ndërgjegjësimi, por edhe nëpërmjet shembujve që dëshmojnë kontribute të mirëfillta në ndihmë të më të dobtëve a më të pamundurëve, si një përpjekje e koordinuar mes faktorëve të shumtë që ndërtojnë sistemin e plotë të funksionimit shoqëror, ashtu siç sistemi imunitar i organizmit biologjik garanton jetën e njeriut apo çdo krijese të gjallë.

Ndaj në mbyllje dua të shtroj pyetjen:

Në vitin 2030 kur të kthejmë shikimin mbrapa në kohë për ta vlerësuar këtë përiudhë të vështirë që po kalojmë, çfarë roli do të donim të kishim luajtur?!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb