Një ditë pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet masive të shiut, kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në grykëderdhjen e Lumit Vjosa, për të parë nga afër situatën.

Rama ka vlerësuar punën e bërë këto vite, teksa është shprehur se “falë investimeve të kryera për argjinaturat e reja dhe mirëmbajtjen e sistemit të rivendosur prej disa vitesh në punë të kullimit, bilanci i dëmeve nga prurjet tejet masive të lumit është minimizuar shumë ndjeshëm, ndërsa tërheqja e ujërave nga fushat ka ndodhur në kohë rekord”.

Edhe banorët e pranishëm kanë vlerësuar punën e bërë, teksa janë shprehur se argjinaturat e reja i kanë shpëtuar nga përmbytja këtë vit.

Diskutimi i kryeministrit Rama me banorët:
Banori: Na keni nderuar.

Rama: Falë gjithë investimeve të bëra dhe punës së bërë me kanalizimet, por edhe punës fantastike që u bë sidomos në 72 orët e fundit, gjërat kanë kaluar më së miri, po të kemi parasysh ku ishim. Me këtë lloj prurje, shiu deri para disa vitesh dilte deri në qendrën e Fierit dhe përmbyste gjithë dynjanë. Darëzeza që ishte gjithmonë nën ujë, sot nuk është prekur. Ky do që të mbahet lumë i egër dhe ne duam ta mbajmë kështu.

Banori: Neve sivjet na ka shpëtuar kjo puna që keni bërë ju. Nuk na hyri uji në shtëpi. Është për t’u admiruar kjo punë që është bërë këtu, të rrimë shtrembër e të flasim drejt.

Rama: Është problemi i asaj punës që u bë sprapthi, që u ngushtua gryka e Vjosës. Tani duhet parë pjesa e elementëve që duhen shtuar. Aty te pikat ku ka pasur problematikë duhet adresuat, në mënyrë që një rast më pas ta ngushtojmë maksimalisht atë rrezen e dëmit. Kur pashë ato milimetrat e reshjeve dhe situatën në Përmet poshtë, u tmerrova, thashë kushedi çfarë prurjesh do vijnë këtu. E rëndësishme është të adresohen ato dy-tre pika që kanë nevojë për ndërhyrje dhe me gjithë këtë nivel reshjesh është për t’u përgëzuar puna e të gjithëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb