Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas situatës së krijuar në Kakavijë ku qytetarët duhet të presin me ditë të tëra për të kaluar, ndërsa sot humbi jetën dhe një fëmijë 10 vjeç.

PDIU i sheh të gjitha si pasojë e një shteti ‘rrumpallë’ dhe deklaron se prej dy dekadash pikërisht në çdo muaj Gusht, emigrantët shqiptarë përballen me racizmin, ksenofobinë e shtetit grek, që i trajton qytetarët shqiptarë si qytetarë të dorës së dytë, me cinizëm e racizëm.

MESAZHI I PLOTË
Kur “Pirati bëhet Papë”
Kjo është koha e mallkuar që jetojmë ku “Pirati bëhet Papë”
PDIU reagon me forcë për situatën katastrofike humanitare të krijuar prej disa ditësh në kufirin me Greqinë, e cila kulmoi sot me humbjen e jetës së një fëmije nga autoambulanca e një shteti rrumpallë që dhe kur bën sikur të vjen në ndihmë më shumë shton kaosin.
Radhë të gjata kilometrike, njerëz që kanë nevojë për ndihmë humanitare, ujë, ushqime e shërbim mjekësor, që duken sikur janë refugjatë të zonave në luftë, turpësisht për të gjithë ne janë në territorin shqiptar.
Prej dy dekadash pikërisht në çdo muaj Gusht, emigrantët shqiptarë përballen me racizmin, ksenofobinë e shtetit grek, që i trajton qytetarët shqiptarë si qytetarë të dorës së dytë, me cinizëm e racizëm.
Fatkeqësisht në këtë kohë të mallkuar që po jetojmë, shteti rrumpallë i Rilindasit autokrat është si gjithmonë inekzistent.
1. Ku është Ministria e Brendshme që e di prej vitesh që në Gusht ka fluks të shtuar në pikat e kalimit kufitar? Ky shtet rrumpallë, me kohë duhet të merrte masat për të shtuar bashkëpunimin dhe sportelet me palën greke.
2. Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte marrë masat në pikat kufitare, por edhe në qytetet kryesore që të hapnin vendet e dedikuara për bërjen e testeve COVID-19 vetëm për emigrantët.
3. Ministria jonë e Jashtme duhej me kohë të komunikonte me palën greke për këtë situatë, që do të ishte e tillë si çdo vit, duke shtuar dhe situatën e Covid-19.
Ministria jonë e Jashtme duhet të kërkojë urgjent ndërhyrjen e Kryetarit të radhës së OSBE-së, të lërë pushimet në Dhërmi e të angazhohet me palën greke për zgjidhjen e krizës humanitare.
Shteti rrumpallë i paaftë i Ramës është si gjithmonë inekzistent në raste emergjencash e fatkeqësish.
Kjo është vërtetë një kohë e mallkuar për shqiptarët, koha kur : “Pirati bëhet Papë”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: