Breshëri arme, natën dhe të maskuar, zhdukja e katër burrave të familjes Sejko, lidhur këmbë e duar, vrasje në teqe a në kishë, bukë dhe plumb, presione, shtrëngime, përhapje lajmesh të rreme, maskime ekzekutimesh e fshehje të tyre. Dhe deri vrasje me tank e një kundërshtari. Ekspozita Sigurimi në fjalët e veta çelur nga Autoriteti i Dosjeve në lulishten “Fadil Kokomani e Vangjel Lezho” pranë kryeministrisë sjell panoramën e veprimtarisë së ish Sigurimit të shtetit, duke shpërfaqur një hartë krimesh që nis në vitet 40 dhe shitet si sukses.

“Ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta” zbërthen historikët e 19 degëve të Sigurimit të Shtetit dhe gjeografia e saj përfshin të gjithë Shqipërinë. Ta shohësh ekspozitën nga fillimi deri në fund, është një kalim i dhimbshëm në vuajtje njerëzore ose në makabritetin me të cilin mendohet të realizohen veprime të caktuara që konsistojnë në krime. Unë mendoj se historia më e fortë që na tronditi të gjithëve është ajo e përdorimit të antitankut për të zhdukur kundërshtarin.”, tha Ardita Repishti, Autoriteti i Dosjeve.

Mes kundërshtarëve gjejmë emrat e ish-kryeministrave, ish kryebashkiakëve, deputetë, shkrimtarë, artistë, intelektualë të vendit që në një moment të jetës së regjimit komunist përfundojnë të vrarë dhe të zhdukur ende sot.

“Arsyeja pse janë të gjithë këtu është se Sigurimi i përmend dhe merr përsipër autorësinë e eliminimit të tyre. Janë të gjitha kategoritë e shoqërisë të konsideruara armike ose të rrezikshme për pushtetin dhe të godita prej tij.”, pohoi Repishti.

Të gjitha këto krime janë njollat tona të zeza si riformulim i pyetjes së Primo Levit, “A është vallë Njeri”. Njolla të zeza janë edhe qëndrimet mohuese që si atëherë edhe sot, duke justifikuar krimet, glorifikojnë qarqet e pushtetit dhe zbërthejnë strukturën shoqërore, ku gjenden xhelatët, viktimat, simpatizantët e të parëve të pavendosurit dhe ata që gjithnjë përshtaten. Ky, ishte njeriu i ri, në gjithë format e tij.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb