Nga: Mentor Nazarko

Mediat e huaja kanë raportuar mbi ekzistencën e një propozimi të BE-së për të vendosur në Shqipëri kampe të refugjatëve sirianë. Për fat të mirë, ngjan se ky propozim ka qenë vetëm i një pjese të shteteve europiane apo vetëm austriake dhe Bashkimi Europian është kundër. Madje, edhe dy austriakë janë kundër njëri-tjetrit- kancelari Kurz me komisionerin Hahn, megjithëse të së njëjtës parti.

Kjo ide ka ngjallur polemika, veçanërisht nga ana e opozitës, e cila është duke i bërë jehonë si kalin e ardhshëm të një beteje të saj kundër qeverisë, madje e ngjashme me atë të armëve kimike, tha ish-Kryeministri Berisha. Kjo përpjekje e opozitës për të dobësuar qeverinë është një lojë e përligjur, sikurse ndodh zakonisht nga të gjitha palët politike në Shqipëri, por për opinionin publik duhet të kuptohet më parë se çfarë prapavije ka pas këtij aksioni dhe cilat mund të jenë eventualisht pasojat e një veprimi të tillë.

Një ditë më parë, Konica.al ju solli titujt e parë të gazetave më të mëdha italiane të periudhës së eksodit shqiptar në vitet 1990-‘91. Tituj të ngjashëm mund t’i gjeni edhe në mediat greke në këtë periudhë. Në to pasqyrohen përpjekje të organizuara, por edhe spontane, të shtetit italian dhe grek, për të mirëpritur emigrantët shqiptarë që u derdhën në territoret e tyre nga deti dhe toka, në kapërcyell të ndryshimit të regjimit, krejt pa paralajmërim.

Shoqëria civile e këtyre dy vendeve fqinje, të frymëzuar nga mëshira kristiane: katolike dhe ortodokse, mikpritën afro 1 milion e gjysmë shqiptarë. Sigurisht që edhe në historinë e Shqipërisë gjejmë shembuj të ngjashëm mikpritjeje dhe mbrojtjeje të vizitorëve të ardhur befasisht në viset tona; sikurse italianët, shqiptarët e Kosovës gjatë vitit 1999. Këta emigrantë kanë prodhuar mirëqenie për vete dhe familjarët dhe janë nga popullsitë më të integruara, duke ofruar dhe shembuj të veçantë suksesi kombëtar në territoret ku veprojnë.

Realiteti i përmbysur. Pse europianët na propozojnë ne?

Sot realiteti është përmbysur. Italianët vijnë ndër ne. Ndërkohë që sot po flitet nëse vendi ynë i ka kapacitetet për të pritur në kampe, sipas një kërkese-propozimi eventual të Bashkimit Europian, për të pritur sirianët që po i largohen luftës nga atdheu i tyre. Për t’u saktësuar: jo ish-luftëtarë të ISIS-it, që dhe SHBA-ja i dërgon diku afër Kubës, pra larg territorit të vet. Për ta, ne nuk kemi kurrfarë kapaciteti. Diskutimi për këtë çështje shtrihet në dy plane: së pari, për përfitimet e kësaj mikpritjeje, dhe së dyti, sa sirianë përllogaritet të vendosen në këto kampe?

Për të kuptuar dobinë, do të duhet të nënvizojmë se BE-ja ndodhet në një situatë delikate, pasi viti që vjen është vit zgjedhor për institucionet europiane. Duke pasur parasysh se sondazhet tregojnë një rritje të mbështetjes në elektorat të partive populiste, antieuropeiste, qeveritë e Francës, Austrisë, Gjermanisë apo edhe vendeve të tjera pjesë e Bllokut, janë të prirura të shkarkojnë sadopak tension në popullsitë e tyre, duke përdorur “bombën” e emigrantëve, të cilën duan ta hedhin sa më larg vetes. Rasti më i fundit ishte refuzimi që Italia i bëri një anijeje me mbi 600 emigrantë klandestinë, duke përdorur si argument ligjin ndërkombëtar.

Në të njëjtën linjë, edhe Malta refuzoi anijen humanitare “Aquarius”, që përfundoi në Spanjë. Në këto kushte, një vit përpara zgjedhjeve në Parlamentin Europian, ndonjë shtet anëtar i BE-së mund t’i ketë propozuar palës shqiptare mikpritjen e një numri të caktuar të emigrantëve, që janë në pritje të përgjigjes së kërkesës për azil apo që u është refuzuar kërkesa për azil. E vërteta është se ende nuk ka të dhëna për statusin e emigrantëve sirianë, që do të kërkohet të strehohen dhe nuk ka kurrfarë propozimi. Megjithatë, përpara çdo vendimmarrjeje, është e udhës të analizohen fillimisht benefitet që burojnë nëse pranohet eventualisht kjo kërkesë nga autoritetet shqiptare, duke vendosur si kusht numrin e atyre që do të vijnë në Shqipëri.

Së pari, Shqipëria është e detyruar të marrë përsipër ndonjë detyrim që ndihmon BEnë, pikërisht për shkak të borxhit që ka ndaj BE-së. Ne nuk kemi si ta ndihmojmë tjetër Unionin apo vendet e tij. Unioni e asiston çdo vit vendin tonë me grante që variojnë nga 200- 500 milionë euro. Për më tepër, kur afro 1 milion e gjysmë shqiptarë janë mikpritur nga vende si Italia, Greqia, Anglia, Gjermania etj., vjen dhe momenti kur shpagimi, qoftë edhe në vlerë simbolike, duhet të merret në konsideratë.

Së dyti, në qoftë se kemi një lëvizje masive të shqiptarëve diktuar nga lëvizja e lirë në zonën Shengen, forca thithëse e tregut europian, pagave më të larta, do duhet të hamendësohet se edhe në Shqipëri ka mungesë krahu pune për sektorë të caktuar, sikurse ndërtimi apo punëra të konsideruara si të rëndomta. Atëherë, përse mos të përfshihet një numër i kufizuar rreptësisht emigrantësh në tregun e punës vendës?

Së treti, ardhja e tyre do të jetë një mundësi e mirë ristrukturimi të ishreparteve ushtarake apo fabrikave të braktisura, të cilat do t’i nënshtrohen rikonstruksionit për t’u shndërruar në qendra pritëse. Një investim që do të mbetet në vend.

Para të tjera mund të përdoren për stafin, ushqime etj., etj.. Së katërti, në varësi të negociatave që do të bëjë Shqipëria me BE-në, mund të marrë bonuse financiare për secilin prej emigrantëve që mund të strehohet në territorin tonë. Së pesti, kjo mund të konsiderohet si një tjetër sjellje e mirë përballë BE-së, teksa kërkon që të hyjë në gjirin e saj. Sigurisht që Shqipëria do të fitonte më shumë pikë përballë çeljes eventuale të negociatave. Dhe kjo çelje, nëse ndodh këtë vit, ndodh.

Vitin tjetër duket e dyshimtë. Dhe së fundmi, në një këndvështrim disi më pragmatist, këta njerëz, që do të vendosen në Shqipëri, do të kërkojnë të shkojnë drejt Perëndimit. Ata do të treten si kripa në ujë, kjo falë edhe ndërhyrjes së mafies shqiptare, e cila do të gjejë rrugë poroze për t’i trafikuar ata. Prapë do prodhojë para shtesë.

Problemi është: sa mund të prisnim ne? Sigurisht, shumë pak. Por për këtë duhet studim.

Por gjithë këto benefite kushtëzohen, sikurse u përmend edhe më sipër, nga numri. Sa sirianë do të vijnë? Një numër i madh do të ishte shkatërrimtar. Shqipëria ka kapacitete të kufizuara mikpritjeje, ndaj dhe numri i tyre optimal do të ishte i vetmi faktor që do të përcaktonte nëse vendi, falë ardhjes së tyre, do të mund të përfitonte marrjen e “energjive të reja” në një shoqëri që po plaket sikurse e jona, për shkak dhe të një lindshmërie të ulët.

Nuk duhet harruar se sirianët në mesin e popullsive të Lindjes së Mesme janë edhe më të arsimuarit. Kancelarja Merkel hapi dyert më së shumti për ta pikërisht për t’iu përgjigjur nevojës së Gjermanisë për krah pune të kualifikuar. Ndonëse çdokush ka lirinë e shprehjes së opinionit të tij, që ky debat të jetë i fokusuar te kapacitetet që vendi ka për të trajtuar emigrantët sirianë. Kjo është një kauzë që duhet të shfryhet nga ngjyresat tragjike, por të trajtohet për atë që është, duke dëshmuar se shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri urrejtëse ndaj të huajve, sepse, në fund të fundit, sirianë kemi qenë edhe ne.

Për ta përforcuar kujtesën, mjafton të sjellim ndërmend disa nga titujt e të përditshmeve italiane të kohës së eksodit të viteve ’90, të cilat e motivonin mikpritjen e shqiptarëve me sloganin “shqiptarë kemi qenë edhe ne”, në shenjë mirënjohjeje për atë mikpritje, që atyre iu bë pas kapitullimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore… Por dhe se vetë italianët ishin mikpritur nga amerikanët apo nga Gjermania dhe Franca, në vitet ’50./Konica.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: