Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku si student i lëvizjes studentore të dhjetorit të 90-ës, që solli edhe ndryshimin e sistemit në vendin tonë, ka sjellë disa impresione të asaj periudhe.

Gjatë fjalës së tij në kuadër të një ceremonie të organizuar në nder të 8 Dhjetorit, Marku analizoi dhe situatën brenda PD-së, ndërsa shtoi se kjo parti nuk ka luftuar ende komunizmin brenda saj.

Mes të tjerash ai tha se për të Lulzim Basha ka qenë i njëjti njeri, me të mirat dhe të këqijat e tij, edhe para 9 shtatorit, kur ky i fundit shpalli vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së.

“Ndihme mirë kur, bashkë me miqtë e mi studentë, në dhjetor të 90, kemi marrë pjesë në ndryshimin më të madh të regjimit, një ndryshim të sistemit pa dhunë. Kjo ditë është bërë ditë kombëtare që duhet ta transmetojë këtë mesazh. Të ndryshojnë gjerat, ndryshojnë për mirë dhe ndryshojnë pa dhunë. Ky është mesazhi. Nëse nuk kuptojmë këtë mesazh, vazhdojmë të thellojmë gabimet tona historike. Kam qenë student, siç ishte Iliri, Spiro, Azemi. Është paradoks. Unë vihem, jam protagonist i një ngjarje dhe duhet të gjykojë veten. kam qenë një student që doja të lexoja libra, shkruaja poezi. Isha në vit të parë, doja të kisha një të dashur. Doja revolucion. Nuk kisha në plan të bëja revolucion, të bëhesha hero dhe të vritesha. Duhet ta humanizojmë historinë. Ishim njerëz norma,, studentë normal. Kishim ëndrra, por mendoj se dy gjera që bëjnë të mundur ndryshimin, nga njerëzit normal siç jemi të gjithë këtu, nuk kishim frikë. E vramë frikën. Kishte një periudhë gati 1-vjeçare ku gjykohej në mënyrë kritike regjimit. Të mos kesh frikë, të mendosh në mënyrë kritike. Mbi të gjitha të mendosh. Atmosfera ishte krijuar në dhomën e studentëve, para 8 Dhjetorit. Ishim nga 6 studentë në dhomë. Në dhomë kisha një djalë të Sekretarit të Partisë së Lushnjës, diskutonim. Atyre s’ju pëlqente që të flisnim kështu, pasi thonin; ‘jeni armiq, reaksionarë’, por diskutonim. Kur vritet frika, rrëzon dhe kultet mbi të cilat ishte ngritur sistemi. Për ne nuk ishte më Enver Hoxha idhulli i brezave të mëparshme, më pas na dukeshin qesharakë dhe drejtues të tjerë, apo dhe pedagogë tanë. Shoqëria shqiptare se ka kultivuar demokracinë në këto 30 vite, ndaj jemi këtu.

Ne po bëjmë refleksion. Dy gjëra kanë ndodhur të tmerrshme në Shqipëri. PD e rrëzoi komunizmin, por e futi brenda vetes. PD nuk ka luftuar komunizmin brenda vetes. Sot po vuajmë pasojat. Sot PD që është një parti me të cilën jemi lidhur, për mua është pasion, jo interes. Është pasion pasi megjithëse je i përfshirë në jetën politike. që e gjykoj se është sakrificë, është gjë që ka lindur pas lëvizjes ose në valën e lëvizjes së dhjetorit. PD i përkujton shumë heronjtë e dhjetorit, por i ka vrarë. S’kemi pse të kemi heronj ne. Askush nuk është vrarë nga ne, veç Azem Hajdarit. Frymën e kësaj lëvizje, duhet ta kishte bërë frymën e vetë. Se të vret kur t’i shkon edhe me frymën e dhjetorit. Në momentin që ti flet, konsiderohesh armik. Në momentin që nuk je dakord me liderin, ti konsiderohesh armik. Unë mendoj që të largojmë frymën komuniste dhe të menduarit në mënyrë komuniste. Im at thoshte që; u nisa nga Mirdita, në Ulzë dhe do të prisnin Hurshovin. Ai nuk kishte ardhur dhe u kthyen në Mirditë. Dhe unë iu thashë; po pse budallenj ishit ju që shkuat?! Unë po të më ngjallet Shekspiri dhe të më vinte në Tirana, unë se prish një kafe me një mik për të parë nga afër Shekspirin. Individi është individ. Unë se adhuroj individin. Duhet ta rimarrë misionin PD, se e ka humbur. Këtu mund të bashkohemi bashkë, me pjesën tjetër të shoqërisë. Kështu do të kem unë interes që të vijë në PD, Spiro, apo të rinj të tjerë, kushdo që të bashkojë kontributet me PD. Nëse PD merr misionin e saj, asnjëherë nuk është vonë. As për të kërkuar falje, as për të bërë analiza, dhe kauza të lirisë. PD duhet të rimarrë dhe t’i lërë budallallëqet të Partisë së Punës që mendon së dikush vjen si Zoti.

Duhet të rifitojmë kauzën e lirisë. Do e mbyll me një detaj të vogël që thotë një poet rus; Po bisedoja me një plak gjeorgjian 100 e ca vjeç, shumë i zgjuar. E pyes dhe i them; çfarë mendimi ke për drejtësinë? Përgjigja e tij ishte; drejtësinë në jetë s’e kam gjetur kurrë, por lufta për drejtësi, është drejtësia vetë.. Dhe unë ashtu mendoj, lufta për demokraci dhe liri, është demokracia dhe liria vetë. Po nuk e mbajte këtë dhe aftësinë për të menduar kritikë, mendoj se do të shkojmë nga dështimi në dështim si politikë dhe si shoqëri. Do e bëjmë Shqipërinë një vend me banorë që nuk mendojnë që të jetojnë këtu. S’mund të ndërtosh plane afatgjate dhe as vlera, ku 95 % e njerëzve e mendojnë vendin e tyre si vendkalim. Të gjithë mendojnë që mos t’i kenë fëmijët këtu. Është e tmerrshme! Askush nuk mendon se këtu do të kthehet sistemi i së drejtës. Ndaj nuk kemi besimin.

Se nuk besojmë as vetë dhe nuk mendojmë si të tillë. Kur na kthehet kundër demokracia themi; Lulzim Basha ishte i mirë para 9 shtatorit (Brohorasin emrin e Bashës). Pas shtatorit doli si njeriu që i ka të këqijat e botës. Për mua Lulzim Basha është ai që kam njohur, me të mirat dhe të këqijat, para shtatorit, para-para shtatorit. Ku e di unë! është i mirë dhe i keq aq sa jemi dhe në këtu. T’i lëmë këto gjëra. Unë mendoj se thelbi nuk është ky. Me komunizmin brenda nesh kemi punë. Ta largojmë nga brenda vetes dhe nga PD dhe nga shoqëria.”, tha Marku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb