Nga qyteti i Durrësit, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj kundërshtarëve të tij brenda partisë, teksa deklaroi se “kur s’ma ka bërë për gënjeshtrat e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, nuk ma bën për askënd tjetër”.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se të gjithë ata që gënjejnë nuk kanë për qëllim asgjë të mirë për qytetarët, por vetëm të mbrojnë veten e tyre nga paudhësitë, si dhe të dobësojnë e shkatërrojnë PD-në.

“E vërteta po vonon, por nuk do të mungojë. Edhe drejtësia që e kanë kapur e spërdredhur këto vite, ka munguar, por në fund një gjë do të qëndrojë, demokratët për aferën e inceneratorëve, por edhe të tjerat, sepse ne nuk do t’i braktisim kurrë shqiptarët. Ka nga ata që janë fshehur dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë, jo se ju mungon kurajo, por janë në pazar me Edi Ramën. Janë ata që më akuzojnë sot mua nga mëngjesi deri në darkë. Po kur s’ma ka bërë për gënjeshtrat e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, nuk ma bën për askënd tjetër. Ata i lidh gënjeshtra, si mjet i vjetër i propagandës komuniste. Po ju them sot se ata që gënjejnë nuk kanë për qëllim asgjë të mirë për qytetarët, ata nuk i mbledh bashkë asgjë e mirë për qytetarët, ata mblidhen për dy qëllime, të mbrojnë veten e tyre nga paudhësitë dhe nga frika që kanë për koston, dhe së dyti përpiqen me cdo kusht të dobësojnë apo shkatërrojnë PD.

Kushdo qofshin, njerëz që i kemi pasur përballë si Edi Rama, apo të tjerë si Sali Berisha, që shpifin kundër njerëzve më të shquar, që i ka pasur në krah, vetëm se nuk pranuan të flijohen në një zonë të zezë, ku donte ta fuste PD, të gjithë atyre ju themi se gënjeshtrat po ju bien ditë pas dite. Të gjitha gënjeshtrat do të bien, sepse sa më shumë të gënjesh, aq më shumë populli e kupton që gënjen për një hall tëndin personal, një hall që nuk ta zgjidh dot PD dhe për të cilin nuk do ta marrësh kurrë peng PD. Këto që themi sot janë të dhimbshme, por duhen thënë. Projekti ynë i parë është t’i kthejmë shqiptarëve parlamentin dhe qeverinë legjitime me zgjedhje të lira. Ju kam thënë se masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të pranohet kurrë. Beteja jonë është të ndajmë politikën nga krimi e korrupsioni dhe kjo mund të bëhet vetëm kur politikanët e lidhur me krimin, si Vangjush Dako, të mos caktojnë kandidatët, siç po bëjnë sot, por të shkojnë pas hekurave.

Unë e di që të gjithë ju i mbështesni iniciativat tona. E mbështesni edhe vettingun e politikanëve, jo vetëm ju, por të gjithë shqiptarët. Vetëm tre njerëz nuk e duan vettingun e politikanëve, sepse kjo ndan shapin nga sheqeri. Deputetët e PD dhe unë si kryetar denonconim aferën e bulevardit, ku i pari i bandës sunduese dhe i pari i kryeqytetit janë të dy të përfshirë, disa të tjerë heshtnin. Ata që heshtnin, sot akuzojnë drejtues të PD si pjesë të aferës korruptive”, u shpreh Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb