Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe përfaqësues të disa prej bizneseve të kryeqytetit, mbollën sot pemë në zonën e Lumit të Tiranës. Veliaj tha se nga një zonë që dikur përmbytej e ku qytetarët kalonin me çizme, ajo është kthyer në një hapësirë të mbushur me investime në shkolla të reja dhe rrugë të reja.

“Tani duket tani si përrallë nga e kaluara sepse nuk ka më përmbytje. Autostrada po merr shtrat në anën tjetër, në zonën e Paskuqanit, por kemi një urë të madhe dhe po përgatisim edhe katër të tjera. Nga dallimi dhe kufizimi klasik i Tiranës me vijën e verdhë, sot kufizimi i Tiranës po bëhet gjithmonë e më shumë natyror. Po rindërtojmë për tërmetin, kurse sipërmarrjet private, 3-4 shtëpi të ndërtuara ndoshta në mënyrë primitive, janë bashkuar për të bërë një pallat që akomodon ata banorë që kanë pasur tokat, por sigurisht akomodon edhe banorë të rinj. Një zonë që nuk përmbytet, që ka kanalizim, që ka shkolla të reja si “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi”, të cilat sapo i hapëm, bëhet një zonë tërheqëse edhe për biznesin. Për sa kohë që ka infrastrukturë, çerdhe, kopësht, shkollë, nuk ka asnjë arsye pse Tirana të mos jetë një histori suksesi në qendër dhe në periferi”, tha Veliaj.

Ai falenderoi bizneset që u bënë pjesë e kësaj fushate dhe ftoi edhe bizneset e tjera që të japin shembullin e tyre, duke theksuar se Tirana është qyteti i të gjithëve

“Ky është qyteti i të gjithëve. Secili prej nesh e ka një histori, ose të brezit të parë, ose të brezit të dytë, të ardhur në Tiranë. Për sa kohë Tirana ka prodhuar sukses sepse i ka hapur dyert për të gjithë, atëherë edhe urat dhe lumi mes nesh dhe Kamzës nuk duhet të jetë aty për të na ndarë, por për të na bashkuar dhe për t’u siguruar që ekonomia zhvillohet me të njëjtin ritëm, si këtu, si në anën tjetër të lumit. Te gjurma ku jemi, me mbjelljet që po bëjmë sot, me qindra pemë në çdo aksion, sidomos nga tani deri në prill, kur kemi hapësirën për të mbjellë, na krijohet një shans fantastik për të formuar atë që quhet park linear. Për banorët që janë këtu do kemi hapësirë të gjelbërt. Kur Tirana ecën mirë, jemi mirë të gjithë, kur Tirana çalon, atëherë të gjithë paguajmë çmimin. Tirana po kalon ditët e saj më të mira, por siç thamë, më e mira është përpara”, u shpreh Veliaj.

Drejtuesit e bizneseve falenderuan Bashkinë e Tiranës për nismat e ndërmarra dhe ftuan biznese të tjera që të dhurojnë pemë për kryeqytetin.

Mirsad Haliti, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank tha: “Faleminderit bashkisë që na kanë mundësuar zbatimin e kësaj nisme, e cila nuk është e para, dhe e këtij lloji, por dhe llojeve të ndryshme siç janë karikuesit elektrik, ndihma sociale për komunitete të ndryshme. Me këtë gjest, sado modest, ne shpresojmë që të nxisim edhe bizneset e tjera, persona që kanë mundësi të kotribuojnë për një të ardhme sa më të mirë.”

Drejtori i Klinikës “Keit”, Skerdi Faria u shpreh: “Unë jam i mendimit që nuk ka kompani të shëndosha nëse nuk ka një qytet të shëndoshë, nëse nuk ka njerëz të shëndoshë. Të gjithë bashkëjetojmë në një komunitet dhe kemi detyrimin tonë, dikush mos të hedhë një letër në tokë dhe dikush që ka ca mundësi të tjera të mbjellë një pemë për ta gjelbëruar këtë qytet, për të dhënë më shumë oksigjen për veten tonë dhe për fëmijët tanë.”

Legjenda e basketbollit shqiptar, Gazmend Çaçi tha se ndihet mirë kur sheh që Bashkia e Tiranës i kushton kaq shumë rëndësi edhe gjelbërimit të kryeqytetit. “Është një kënaqësi e madhe të mbjellësh pemë, Prandaj duhet ta vazhdojmë. I ftoj të gjithë prindërit dhe fëmijët të vijnë me kënaqësi në palestrat e reja, që sa vijnë e bëhen më të mira”, tha ai.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: