Nga Ferdinand Dervishi

Pjesa e tretë

Vijon nga numri i kaluar
Në dy numrat e shkuar, bëmë një panoramë të plotë të ngjarjes së bujshme të viteve 1984-1985, të falsifikimit të biletave të trenit, nga dy grupe të ndryshme. Sipas dokumenteve të hetimit dhe të gjykimit, biletat false, që kishin një vit në treg ishin diktuar nga dy faturino të linjës së Shkodrës. Më tej policia kishte arrestuar një shitëse të biletave të trenit në stacionin e Tiranës, të quajtur Bukurie Gjeçi. Menjëherë më pas hetimit të policisë i ishin konfiguruar dy grupet e falsifikatorëve.

Njëri drejtohej nga ish-muzikanti i njohur, Gasper Çurçia, tjetri nga inxhinieri i Drejtorisë së Përgjithshme të Postave, Shkëlzen Doçi. Të dy grupet, ishin joshur dhe futur në këtë lojë me rrezik nga shitësja, e cila që nga viti 1973, kishte futur duart në xhiron e arkës, duke shkaktuar një deficit, prej afër 2 milionë lekësh të vjetra, të kohës.

Sipas llogarive të ekspertëve të gjykatës, i lakuari i madh, Gasper Çurçia, ishte i treti në listën e përfituesve nga shitja e biletave false, me 40 mijë lekë të rinj, ndërkohë që, shuma më e madhe, prej 215 mijë lekësh, ishte përvetësuar nga shitësja Bukurie Gjeçi, ndërsa i dyti në radhë, ishte inxhinieri, Shkëlzen Doçi, me 116 mijë lekë të përfituara.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Shumëkush prej nesh, ka një ngjarje nga jeta që e veçon. Një ngjarje që mbetet thellë, rezistente ndaj çdo lloj lavazhi të trurit, e që të mundon për gjithë jetën. Që të fanepset edhe në gjumë, që të përcillet në ëndërr në versione nga më të pabesueshmet, që të bën ty protagonist, të bën të ndihesh fajtor pa qenë i tillë, që e detyron shpirtin të zvarritet, të jetë kundër dhe të protestojë deri në pështirosje, që të shton makthet dhe të bën të zgjohesh i terrorizuar…!

Kjo përshtypje, të mbetet në mendje pas takimit prej gati dy orësh me një ish-punonjës të sistemit të Drejtësisë në kohën e komunizmit, që ka marrë pjesë në pushkatimin e dy protagonistëve të vjedhjes së famshme, me anë të falsifikimit të biletave të trenit. Një ngjarje që tronditi jo pak Tiranën e vitit 1985, edhe pse përpikmërisht, në të njëjtën kohë vdiq, duke shkaktuar një zhurmë edhe më të madhe, edhe më eklipsuese, Enver Hoxha, diktatori komunist i shqiptarëve.

Njeriu përballë i cili, në atë kohë që e takuam sapo kishte kaluar të gjashtëdhjetat, ishte pensionist, vuante nga shqetësimet në zemër dhe nisi të na rrëfejë se si dikur, gjatë kohës së diktaturës, paguhej për të vërtetuar paudhësitë e krimet e pjesës që quhej popull. Dhe është pikërisht, një nga ata që kanë emrin e firmën, përfund një proces-verbali të datës 9 prill 1985, që vërteton pushkatimin e muzikantit Gasper Çurçia, inxhinierit të postës Shkëlzen Doçi, që të dy të dosjes së falsifikimit të biletave si dhe një tjetër të burgosuri, të dënuar për vrasje.

Gjashtëdhjetëvjeçari, hoqi rrugën që të çonte në një lokal të qetë diku pas “Hotel Tirana”, zgjedhja e të cilit, dukej se kishte lidhje me faktin se, frekuentohej nga njerëz të së njëjtës moshë. Duket njeriu, që rezistoi deri në fund të mos ishte një protagonist me emër në këtë shkrim, ndihej më ngrohtë, më komod, mes të njohurve të vjetër. Në temë nis të futet vetëm pasi rrufit gllënjkën e parë të kafes, të trazuar me një grimcë sheqer.

“Ishte prilli i vitit 1985. Bënte acar. Nuk mbahet mend të jetë përsëritur më një i ftohtë i tillë si atëherë. Mbase edhe për këtë shkak, një ditë më pas, do të vdiste Enver Hoxha. Kohën nuk e gaboj sepse, kjo është ngjarja më e rëndë, më e tmerrshme e gjithë jetës. Ishte një periudhë kur shqiptarët, ishin katandisur për bukën e gojës dhe sistemi, u bë shumë agresiv në dënime, për çdo lloj vjedhjeje. Prandaj edhe i dënuan me vdekje, këta të biletave të trenit.

Mesa mbaj mend, vjedhjen e të hollave, nëse kapërcente një shumë të caktuar, në mos gaboj, 70 mijë lekë të vjetra, Kodi Penal i kohës, e dënonte me burg, që shkonte deri me vdekje. Kështu që këta të gjorët, i shkuan në plumb. Nuk më harrohet fjala e fundit e Gasper Çurçisë, para pushkatimit, që tha se, po e vrisnin për 20 mijë lekë, por më shumë përshtypje, më ka bërë ai më i riu, Shkëlzen Doçi. Atë e vranë fare kot…”, nisi të na rrëfejë, njeriu që dukejn se ende ushqente veten dhe vendoste këtë ngjarje, jashtë apo përmbi ish-detyrën e tij të dikurshme, në një hallkë jo pak të rëndësishme të shtetit komunist.

Për më tepër, gjithçka ka nisur e përfunduar natën, nën dritën e zbehtë të elektrikëve të dorës. Natën, për t’u mbështjellë edhe më shumë nga enigmat. Por edhe fatmirësisht natën, për t’i lënë udhë ndonjë vegimi nga ata që sjell ndonjëherë mendja e stërlodhur, që për të gjetur pak prehje e veçon, e vendos te raftet e sipërme të magazinës, aty ku stivohen të gjitha jo realet, të gjitha të pavërtetat, të gjitha ato që rëndom quhen pjella të imagjinatës.

“Të them të drejtën, ato dy orë të kaluara natën, diku në afërsi të Linzës, në rrëzë të malit Dajt, në ndërrimin e datave 9 e 10 prill 1985, përveçse më lanë nën shok psikologjik për 15 ditët në vazhdim, më kanë lodhur gjatë gjithë jetës së mëpastajme. Madje, jam i bindur se, edhe kjo ngjarje, duhet të ketë ndikuar në shëndetin e rrënuar…”!

Një mision i kundërshtuar

Njeriu që na rrëfehej, dukej se ishte nga ata që janë djegur keqas nga ndjekja pas, pa u menduar dy herë, e rutinës së diktuar. Ndodh kështu, me qeniet njerëzore, kur ndihen komod në një detyrë ku, e kuptojnë vonë, se janë nxituar për të bërë protagonistët. Në një detyrë që ka të bëjë, me ndërhyrjen në jetët e të tjerëve, apo me vetë ekzistencën e mëtejme të këtyre jetëve.

Kur për shkak të statusit të tyre, e vendosin veten larg shumicës, sipër saj, në rolin e barinjve, rojeve, kontrollorëve, gjykuesve, gjykatësve dhe në fund, kur nuk ka më kohë, kur nuk e kuptojnë menjëherë se çfarë janë duke ndërmarrë, kur nuk kanë as fuqi, sepse gjithçka diktohet nga shumë shkallë përmbi ta, pranojnë, qoftë me rritje agresive të frenimit, edhe rolin e ekzekutorëve. Kështu që vetëgjykimi për këtë situatë, kaptuar dekada, rëndohet.

“Çështja e falsifikimit të biletave të trenit, nuk ishte imja. Atë e kishte hetuar, duke e çuar në gjyq, kryetari, S. Baboçi. Ishte data 9 prill 1985, kur shefi na mblodhi dhe na komunikoi se, një nga stafi, duhet të ishte prezent në pushkatimin e dy të dënuarve, për falsifikimin e biletave të trenit, si dhe të një të treti. Sipas një rregulloreje, në të tilla raste duhet të ishte një përfaqësues i akuzës, një njeri që të përmbushte prezencën e shtetit. Kur shefi pa se asnjë nuk po dilte vullnetar, drejtoi gishtin nga unë.

Fillimisht, m’u duk se po bënte shaka, sepse, e kisha ose e konsideroja mik, sepse më dukej se kishim respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Menjëherë më pas, u trazova dhe i kërkova me ngulm, që të ndryshonte vendimin, duke u justifikuar se nuk kisha zemër, për të parë skena të tilla. Por shefi, për të cilin gjithsesi kam ruajtur respekt, nuk lëvizi nga e tij. Të them të drejtën, m’u duk e rëndë ajo që më ngarkuan të bëja, por po ta dija se çfarë do të më shkaktonte në të vërtetë, mbase do kisha kundërshtuar, deri në atë pikë sa, të ndryshoja rrjedhën e ngjarjeve. Qoftë duke marrë pasoja mbi supe”!

Po atë ditë, sipas personazhit në fjalë, në Prokurorinë e Tiranës, kishte ardhur një vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, që mbante datën 8 prill 1985, dhe që thoshte se; tre të dënuarve, një vrasësi ordiner, Gasper Çurçisë e Shkëlzen Doçit, nuk u ishte falur jeta. Kështu që ekzekutimet, sipas një rregulli tashmë të vjetër, duhet të bëheshin të nesërmen, më 9 prill 1985, në prezencë të një ekipi të përbërë prej; përgjegjësit të forcave të policisë, një hetuesi, një prokurori, një mjeku dhe një sekretari, që duhet të fiksonte gjithçka në një proces-verbal, sidomos fjalën e fundit të së dënuarve, para pushkatimit, një formalitet i detyrueshëm.

“Siç kishim rënë dakord më pare, mua më morën me makinë diku të kryqëzimi i “Farmacisë nr. 10”. Kujtoj se ngriva nga të ftohtët, duke pritur. Makinat ishin disa, ndërsa në njërën prej tyre, që më është fiksuar se ishte e blinduar, mbaheshin tre të dënuarit. Ishte ora rreth 23:00 e datës 9 prill 1985 dhe kur kalova pranë makinës, që m’u duk e blinduar, dëgjova psherëtima të rënda, të njëjta me ato që ende më fanepsen në ëndrra. Nuk e dija më parë, sepse, nuk kisha pasur rastin as të më rrëfenin për histori të ngjashme, se ato ishin psherëtimat e shpirtrave që ndienin se pak minuta më pas, do të pushkatoheshin…”!

Te varri i përbashkët…!
“Makinat nisën të ngjiteshin rrugës së Dajtit dhe unë, vura re se të gjithë në kabinë, nuk flisnin. Vetëm shoferi pinte cigare dhe shkundte hirin jashtë dritares, gjysmë të hapur. Kujtoj se ato ditë, kishte rënë edhe dëborë. Ose gabohem. Po kështu nuk jam i saktë, por më duket se dikush pëshpëriti se, njëri nga të dënuarit, kishte ditëlindjen. Pasi u ngjitën në Linzë, makinat u futën në oborrin e Batalionit të Sigurimit, e përshkuan atë në të gjithë gjatësinë dhe në fund, ndaluan.

Më tej, duhej bërë një copë udhë në këmbë. Kujtoj se, terreni vinte me ngritje. Nisëm të ngjiteshim varg, njëri pas tjetrit, me hapa të ngadalta, pasi të dënuarit, që i kishin duart të lidhura, mezi i hidhnin hapat. Me siguri që kishte nisur t’u helmohej gjaku, të mpiheshin, prej mendimeve se, pak minuta më pas, do të qëlloheshin për vdekje.

Dikur, ndaluam rreth 100-150 metër më lart, pranë një grope të madhe të hapur. Duhet të ketë qenë mesi i natës, kur nisëm nga procedurat. Kujtoj se, në afërsi nuk pamë asnjë varrmihës, vetëm policë të armatosur. Varri i përbashkët, ishte hapur gjatë ditës. Ata të togës së shoqërimit, që duket nuk e kishin për herë të parë, i ulën të dënuarit në tokë, me këmbët varur poshtë në gropë. Syprina e sipërme e varrit, ishte stoli, karrigia e fundit ku u ulën…”!

Ish-nëpunësi i shtetit, pushoi për pak dhe sërish mbushi gotën me ujë, me dorën që i dridhej. Ndërsa kafes, i kishte nxjerr fundin, me tre të kthyera.

“Në këtë kohë, dëgjova për herë të pare, zërin e Gasper Çurçisë. I’u drejtua atij të dënuarit për vrasje, që gjatë gjithë kohës, qahej e na lutej për mëshirë. Ishte një djalë nga veriu, që kishte vrarë një qytetar, për t’i grabitur treqind lekë. Ngjarja kishte ndodhur në një hotel të vogël, në qendër të Tiranës. “Vjosa”, mos gaboj. Gasperi i tha, me pak fjalë, se, tashmë nuk kishte më kohë për lutje e mëshirë, sepse, gjithçka kishte përfunduar, ishte vendosur. Kujtoj se përdori ca fraza, si; ‘hajt mor burrë, mjaft dërdëllite… kjo punë ka marrë fund…’ Dhe për çudi, fjala i bëri vend, pasi tjetri nuk e hapi më gojën”.

Në këtë kohë, procedura e kryer në errësirë, nën dritën e kufizuar të elektrikëve të dorës, parashikonte futjen në lojë të një përfaqësuesi të akuzës. Të njeriut që duhet të ndiqte dhe të garantonte atë që quhej vullnet i shtetit.

“Kishte ardhur radha ime. Para se të dënuarit të thoshin dëshirën e fjalët e fundit, unë duhet t’u komunikoja vendimin, apo më saktë mos ndryshimin e vendimit të dënimit me pushkatim, nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në ato kohëra, pasi gjykatat vendosnin për ekzekutime, të dënuarit kishin një mundësi të fundit, që t’i falte Presidiumi i Kuvendit. Por këta të zinjtë, nuk i kishte falur.

Me sa më kujtohet, kishte falur vetëm atë gruan e përfshirë në rrjet, ajo që shiste biletat e falsifikuara…”, nga shpjegonte njeriu përballë, duke porositur edhe një tjetër gotë ujë, me copa akulli. Kamerieri, që duket e njihte, nuk vonoi. Ndërkohë, tjetri rinisi ligjërimin: “Për të shënuar fjalën e fundit, por edhe për të hartuar gjithë proces-verbalin, bashkë me ne, ishte edhe një sekretar, D. Mata.

Kujtoj se, ai shkruante duke ndriçuar fletën me anë të një feneri. Kujtoj gjithashtu se, ishte shumë i saktë. Një ditë më pas, kur më solli proces-verbalin e daktilografuar për firmë, pashë se, nuk kishte ndryshuar asnjë germë nga fjala e fundit e të dënuarve. Po le të kthehemi aty ku e lamë. Me ndihmën e një elektriku dore, u lexova të dënuarve, vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kujtoj se, letra nisi të më dridhej në dorë, se u ndjeva keq dhe se i shtrëngova fort muskujt, por pa ndonjë ndryshim të dukshëm. Në vazhdim, u kërkova që të thoshin dëshirën e fundit…”!

“Kur zhvarrosëm eshtrat e babait, pamë se e kishin lidhur me tel”

“Gropa ishte gërmuar në një vend me shtuf që kishte ruajtur mirë kufomat…”! Një nga familjarët e muzikantit Gasper Çurçia, të pushkatuar pas akuzave për falsifikimin e biletave të trenit, pohon se, pas përmbysjes së diktaturës, për ta nuk kishte qenë e lehtë të shkonin deri tek varri i njeriut të dashur. Shtatë vjet më pas, më 1992, me mbështetjen e një oficeri të autorizuar të policisë, djemtë e Gasper Çurçisë, nuk kishin lënë asnjë gur pa luajtur, që të gjenin eshtrat e të atit.

“Në atë kohë, shumë njerëz kërkonin të afërmit e tyre të pushkatuar dhe ndodhte që, pas zbulimit të varreve, në mungesë të ekspertëve, të merrnin me vete eshtrat e gabuara. Por ne na ndihmoi fati”, na rrëfente njëri prej djemve të muzikantit të talentuar. Sipas tij, dikur, dikush, u kishte dhënë informata të sakta, për vendvarrimin e të atit dhe ata ishin nisur bashkë me oficerin e policisë, të ngarkuar me atë detyrë. Kufomat ishin gjetur pikërisht atje, ku thoshin informatat, rreth 150 metër sipër ish-repartit të Batalionit të Sigurimit, në afërsi të Linzës.

“Nisëm të gërmonim dhe kujtoj se, dikush na tha se shtufi i ruan më mirë kufomat. Por unë nuk mund të gaboja për eshtrat e babait edhe pse varri ishte i përbashkët. Kujtoj se, sapo hasëm eshtrat, punuam me kujdes, duke pastruar gjithë vendin, me qëllim që të mos ngatërronim, qoftë një grimcë prej tyre. Ja kisha çuar vet në burg babait, atë bluzën e leshtë me ngjyrë bezhë, me të cilën e keni paraqitur edhe ju në gazetë, këto ditë të fundit, madje njihja mirë edhe pantallonat e tij prej stofi, këpucët, që i bënte me porosi, pasi anash, gishtit të madh kishte një gungë, syzet…! Prandaj nuk u gabuam”, rrëfen një nga djemtë e muzikantit Çurçia.

Po sipas tij, eshtrat e të atit, ishin të padëmtuara, madje të futura në brendësi të bluzës së leshtë dhe të pantallonave prej stofi, edhe këto pothuaj të padëmtuara. “Vetëm vendet ku ishin qepur pantallonat, duket me penj pambuku, ishin kalbur dhe shqepur, por pjesa tjetër e rrobave, ishin të padëmtuara. Por edhe eshtrat e dy pushkatuarve të tjerë, ishin kompakte. Kujtoj se, morëm me vete edhe eshtrat e Shkëlzen Doçit dhe ua dhamë familjarëve”, na rrëfente një nga djemtë e muzikantit Çurçia, duke shtuar se, ajo që i kishte mbetur më shumë në mendje, ishte pikërisht fakti se në varr, pranë kufomave, kishin gjetur copa teli.

“Ishin copa teli jo më të gjata se 40-50 centimetra, që dukej qartë se kishin shërbyer për të lidhur të dënuarit, para se t’i pushkatonin. Kuptohej se, kishin shtrënguar mes tyre forma të rrumbullakëta, që përftohen nga kyçet e duarve. Kjo lidhje me tel e të dënuarve, është çnjerëzore, por të paktën, pasi i kishin vrarë, ua kishin hequr”, përmbyllte rrëfimin e tij, djali i Gasper Çurçisë. /Memorie.al/

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb