Skulptori Agim Rada ka hapur shtëpinë për të kujtuar artistët e dënuar e vrarë nga regjimi komunist. Një memorial ku bashkohen vepra e dokumente sjell në vëmendje ata që ju pre jeta në mes nga diktatura.

Ngjyrat e ndaluara të Edison Gjergos dhe vargjet e ndaluara të Blloshmit e Lekës rivijnë në një vepër homazh. Skulptori Agim Rada ka hapur shtëpinë për të kujtuar artistët e dënuar e vrarë nga regjimi komunist. Një memorial ku bashkohen vepra e dokumente sjell në vëmendje ata që ju pre jeta në mes nga diktatura është realizuar në bashkëpunim me Dritan Gremin.

“Kam krijuar në kujtim të atyre artistëve që dhanë jetën për lirinë e tyre. Diktatura ua preu rininë në mes duke i burgosur e pushkatuar. Këtu në mur kamë vënë dëshmi, dokumente e poezi të atyre që dhanë jetën. Kjo vepër është për fëmijët tanë që nuk dinë çfarë ka ndodhur. Ndonjëherë më duket se me qëllim bëhet kjo që e kaluara jonë të fshihet sikur nuk ka ekzistuar e sikur ne kemi jetuar në parajsë”, tha artisti Agim Rada.

Salla e ekspozitës në shtëpinë e artistit është veshur me një afresk mural ku mandej dokumente dhe foto të artistëve të dënuar ekspozohen bashkë me një material filmik që sjell historitë e tyre të trishta dhe historinë e madhe të një vendi të dënuar. Duke kujtuar poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, aktorja Margarita Xhepa pasi recitoi ‘Saharanë ’ e Vilson Blloshmit tha:

“Kënaqësi që jemi mbledhur për një çështje të paharruar emocionale, për një çështje që ka mbetur mes nesh e në shpirtin tonë, por mbi të gjitha në shpirtin e artistëve që nuk harrojmë. Kohë e keqe, pse të vritet poeti e artisti? Nuk vritet”!

Shtëpia e artistit është një nismë e Agim Radës dhe Dritan Gremit për t’i shërbyer kujtesës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb