Nga: Ilir Çumani
Kjo është një foto interesante, njëkohësisht edhe një kujtim i bukur dhe i veçantë për mua… Jemi në qytetin e Sarandës, me një grup xhirrimi të ish “Kinostudio Shqipëria e Re, atje, tek shkëmbijtë që lagen në brigjet e detit Jon, sipër Hotel “Butrinti”…
Tek cepi i fotografisë, ai fëmija i ulur në shkëmb, (me shikim kureshtar, jam unë, në moshën 12 vjeçare), duke kundruar dhe ndjekur me orë të tëra mizanskenën dhe dublat në sheshxhirim për filmin Artistik Shqiptar “Ballë për Ballë”, me skenar të Ismail Kadaresë, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1979.
Bashkë me shokun tim, Lulëzim Trenin, (djali i ulur në mes të trupës së xhirrimit), jemi duke ndjekur aktorin e madh Kadri Roshi, i cili përsëriste për të disatën herë dublin e një prej episodeve të këtij filmi, nën drejtimin e regjisorëve Piro Milkani dhe Kujtim Çashku, (të pranishëm në këtë foto), operatorit Ilia Terpini dhe grupit teknik të zërit dhe ndriçimit….
Përballë meje, ulur në shkëmbin që e rreh vala e detit, është i madhi Kadri Roshi, (me kapelen e bardhë prej shajaku të një fshatari lab dhe regjisori Piro Milkani, (në këmbë, me pardesynë e bardhë, që i jep porositë aktorit para xhirimit.
Kadriu më magjepste me lojën e tij kaq të bukur dhe të vërtetë….
Shumë skena të këtij filmi të xhiruar në Sarandë i kam ndjekur dita ditës dhe ruaj kujtime shumë të bukura për atë kohë kur ky qytet kishte mysafirë të veçantë këta artistë të mëdhenj si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, etj.
Sarandë, 1979