Pas dorëzimit zyrtarisht të kërkesës së deputetëve të opozitës për djegien e mandateve, topi i kalon Kuvendit. Nënkryetarja e këtij institucioni Vasilika Hysi sqaron se do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që do të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave të zëvendësimit të deputetëve me kandidatët e listës së partive opozitare. Vetëm pasi KQZ të njoftojë Kuvendin, do të mblidhet Këshilli i Mandateve për vendimmarrje.

Por a do mundet Këshilli i Mandateve të funksionojë, pasi përfaqësuesit e opozitës në përberje të tij tashmë mungojnë?

Nënkryetarja e Kuvendit nuk mund të thotë se sa kohë do të duhet për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr. Vasilika Hysi shprehet se gjithçka varet edhe nga KQZ, e cila ndërkohë punon për organizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Pikëpyetja që ngrihet është nëse socialistët do të pranojnë mandatet e opozitës, në rast të refuzimit të të gjithë kandidatëve të partive opozitarë. Vasilika Hysi thekson se do të jenë strukturat partiake që do vendosin për këtë situatë. Por ajo thotë se me tepër është e shqetësuar mbi fatin e proceseve integruese të vendit.

Me opozitën jashtë Kuvendit mazhoranca është familjarizuar. Dhe mungesa e saj, sipas zonjës Hysi nuk ndikon në legjitimitetin e funksionimit të Parlamentit.

Pavarësisht zyrtarizimit të procesit për djegien e mandateve, kryeministri Rama ka lënë një shteg të hapur për të gjetur mundësinë e dialogut me opozitën, duke refuzuar zgjedhjet e parakohëshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb