KURBIN- Një ngjarje e rëndë është arritur të shmangej mëngjesin e sotëm në Kurbin. Sipas raportimeve nga terreni një fugon me pasagjerë është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të lumit në fshatin Skuraj. Fugoni udhëtonte nga fshati Vinjoll në drejtim të Milotit po por është marrë nga rrjedha e lumit, për shkak të prurjeve të shumta.

Në fugon përveç banorëve ka pasur edhe disa nxënës, të cilët po shkonin në shkollën e fshatit Skuraj. Fatmirësisht ndërhyrja e banorëve të zonës e ka mbyllur këtë ngjarje pa të lënduar. Fugoni ka mbetur në ujë por nxënësit, shoferi dhe pasagjerët kanë dalë prej mjetit. Ngjarja ka ndodhur pranë urës së shembur afro 2 muaj më parë ku gjeti vdekjen një i ri 20-vjeçar që udhëtonte me motor dhe shoku i tij arriti të shpëtojë.

Në mungesë të urës prej më shumë se dy muajsh banorët janë të detyruar të kalojnë përmes lumit, duke rrezikuar edhe jetën, pasi ky lum malor ka prurje të menjëhershme, aq sa për disa minuta niveli i tij mund të rritet disa metra sidomos në sezonin e dimrit.

Që nga koha që ura u shemb banorët e fshatit i kanë kërkuar vazhdimisht komunës së Milotit dhe deputetit të zonës ndërtimin e saj por përveç premtimeve asgjë konkrete nuk është bërë, e për pasojë ata janë të detyruar të marrin parasysh rrezikun dhe të kalojnë përmes lumit. Momentalisht funksionon vetëm një urë e vogël për këmbësorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: