GJERMANI- Dhjetëra mijëra kurdë kanë protestuar të shtunën në disa qytete gjermane kundër ofensivës ushtarake turke në Afrin, në veri të Sirisë.

Mijëra kurdë protestuan të shtunën (17.03) kundër ofensivës së Turqisë në veriun sirian, Afrin. Në Hanover pjesëmarrësit në demonstratën e organizuar protestuan kundër marshimit të vazhdueshëm të trupave turke në qytetin ku banojnë me shumicë kurdët, Afrin. Në kryeqytetin e landit të Saksonisë së Poshtme ishin regjistruar dy marshime. Sipas të dhënave të mediave në protesta morën pjesë rreth 11.000 vetë.

Të dyja marshimet e protestës duhej të bashkoheshin në një të vetëm në fund të demonstratës. Disa herë u desh të ndalej njëri prej marshimeve, sepse pjesëmarrësit mbanin lart simbole të organizatës së ndaluar kurde, PKK. Pas kërkesës së përsëritur për t’i hequr simbolet dhe mosreagimit të demonstruesve, policia ndërhyri. Demonstruesit reaguan duke hedhur shishe mbi policët. Një person u arrestua. Protestat organizohen në kuadër të festës së vitit të ri të kurdëve, festës së Novruzit./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb