TIRANË

Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish kundër kërkesës së PD-së bazuar në rekomandimet e OBSH-së për rritjen e testimeve në popullatë për koronavirusin. Në një bashkëbisedim me ndjekësit në “Facebook”, Rama përfitoi nga rasti për t’iu kthyer përgjigje opozitarëve duke theksuar se ‘kurrë, as në këtë botë e as në tjetrën nuk mund të marrim kurrë mendjen e PD-së për teste’.

Përgjigjja erdhi pas një qytetari me emrin Ndrecë që u shpreh i pakënaqur nga masat. Rama tha se nëse komiteti i ekspertëve do na thoshte që na duhen 2 mijë teste në ditë do kishim 2 mijë teste në ditë apo dhe 3 mijë e 5 mijë.

I bindur kreu i qeverisë u shpreh se në këtë rrugë nuk kemi hyrë qorrazi dhe se është përgatitur për gjithçka.

“I morëm masat të forta si në pak vende të tjera. Prandaj jemi këtu sot, prandaj nuk duhet të lëshojmë por të rezistojmë që të dalim kryelartë nga kjo histori.

Sot partia e Ndrecës kishte dalë dhe thoshte që unë paskam gënjyer që kemi 2 mijë teste, kjo është kulmi. Jemi në një fazë ku ka një mungesë të madhe vëmendje edhe për të lexuar gjërat që thuhen. Unë kam thënë testet janë çështje e komitetit teknik të ekspertëve, nuk janë çështje e politikës, nuk janë çështje e  qeverisë e lëre më çështje e PD-së. 7X7, 42. Nuk mund të jenë. Kurrë, as në këtë botë e as në tjetrën nuk mund të marrim kurrë mendjen e PD-së për teste, kurrë. Kjo është strategji e përcaktuara nga komiteti teknik i ekspertëve, ne do e zbatojmë. Nëse komiteti i ekspertëve do na thoshte që na duhen 2 mijë teste në ditë do kishim 2 mijë teste në ditë, 3 mijë, 3 mijë. Në këtë rrugë nuk kemi hyrë qorrazi dhe unë nuk kam hyrë të dalë ku të dalë, jam përgatitur për gjithçka. Në çdo moment që do të duhet diçka, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do t’u mungojë edhe sikur të jetë prapë diellit sot që flasim.

Për fat të mirë deri sot nuk na mungon asgjë. Natyrisht na mungon sensi i mirëkuptimit dhe sensi logjik i atyre që i thonë vetes opozitës. Vazhdojnë të njëjtin avaz të vjetër, athua se këtu nuk jemi në një luftë apo në një përplasje me një armik të padukshëm, por a thua se jemi në kohën e historive që nuk po ua kujtoj se i përkasin një periudhe paqeje dhe një periudhe kur krijoheshin artificialisht përplasjet. Jemi në një konflikt fatal”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb