Nga: BLERTA BALILAJ*
Një prind i divorcuar nga bashkëshortja vret vajzën 17-vjeçare pak ditë më parë, ndërsa plagos vajzën tjetër në mes të Tiranës; nëse ky nuk është fundi, atëherë çfarë është? Nesër viktima e radhës do të zërë pak rreshta gazetash, 1 metër tokë dhe asgjë tjetër. Viktimat e dhunës janë me dhjetëra e qindra të pashpresa të ngujuara në varfërinë e mjerimit. Puna shpesh me viktima të dhunës më ka bërë të kuptoj se shpesh viktima e pranon si një gjendje natyrore dhunën, ndërkohë dhunuesin nuk e ndalon asgjë për t’u sjellë dhe vepruar si të dojë. Ky fenomen, sidomos në zonat rurale vazhdon të trajtohet nga shumica e popullsisë si një problem privat, që i përket vetëm familjes, dhe jo shoqërisë. Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon dhunën në familje si një akt që rezulton, ose ka shumë mundësi të rezultojë në dëmtim fizik, seksual ose mendor, duke përfshirë kërcënime ose akte të ngjashme, shtrëngimet ose heqjen arbitrare të lirisë etj. Sot viktimat denoncojnë vetëm kur janë pak minuta larg vdekjes, pra mbas vitesh e vitesh të tëra në bashkëjetesë me dhunën dhe varfërinë. Sot mbi 85% e viktimave në strehëza dhe dhunuesve janë me më pak se 4 klasë shkollë dhe fëmijët e tyre kanë gjasa të jenë të dhunshëm si pasojë e bashkëjetesës me dhunën për shumë vite.

Me gjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit për të sensibilizuar publikun, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë. Dhuna në familje është një fenomen mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe si rrjedhojë, është përgjegjësia e shtetit, komunitetit dhe individëve të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta ndaluar atë. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë iniciativat e duhura kundër këtij fenomeni, në mënyrë që të respektojë dhe plotësojë të drejtat themelore të grave dhe fëmijëve si pjesë e të drejtave të njeriut.

Vështirësia e studimit të fenomenit rritet edhe më shumë po të kemi parasysh se fenomeni ndodh “prapa dyerve të mbyllura”. Si i tillë, ai është i vështirë për t’u vëzhguar dhe studiuar nga afër. Një numër shumë i ulët i grave të dhunuara në familje e denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. I vetmi burim informacioni mbetet në shumicën e rasteve vetë viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipat që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku jeton. Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes, duke mos u paraqitur kështu në statistikat zyrtare. Sot të dhënat mbi përhapjen e fenomenit të dhunës në familje vazhdojnë të jenë të kufizuara. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë sesa marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera, që i ka rrënjët në qëndrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënies martesore. Për fat të keq, në realitetin shqiptar, viktimat edhe pasi marrin shërbime, si ndihmë psikologjike apo shëndetësore, ligjore apo emocionale, janë të detyruara të kthehen te realiteti dhunues ku kanë jetuar, si e vetmja mundësi, sepse ato nuk mund t’ia dalin të vetme. Ligji “Për lehtësimin e mbrojtjes ligjore të grave” është në fuqi, por nuk jepen të dhëna nga Ministria e Drejtësisë se sa gra dhe vajza marrin mbështetje, pra sa është zbatuar ky ligj në vite. Me gjithë udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka sot një numër se sa gra dhe vajza të dhunuara marrin shërbim shëndetësor dhe sa funksionon raportimi i këtyre rasteve në polici.

Në nenin 5 të Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas (CEDAW) thuhet se: Shtetet palë marrin të gjitha masat e përshtatshme me synimin që: a) Të ndryshojnë skemat dhe modelet e sjelljes shoqërore dhe kulturore të burrit dhe të gruas, në mënyrë që të arrijnë të zhdukin paragjykimet dhe praktikat zakonore, ose të çdo lloji tjetër, që mbështeten në idenë e inferioritetit ose të epërsisë së njërit apo të tjetrit seks, apo në rolin stereotip të burrit dhe të gruas; b) Të sigurojnë që edukimi i familjes të përfshijë kuptimin e duhur të amësisë si një funksion shoqëror dhe njohjen e përgjegjësisë së përbashkët të burrit dhe të gruas në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre, duke bërë të qartë se interesi i fëmijëve është kushti parësor në të gjitha rastet.

Ndërkohë, socializimi i grave dhe burrave në shoqërinë tonë dhe caktimi i grave në role dhe pozita inferiore që i mbajnë gratë të varura ekonomikisht, i bëjnë gratë më vunerabël ndaj dhunës së burrave me të cilët jetojnë. Pra në çrrënjosjen e dhunës konsiderohet e rëndësishme mbajtja e aktiviteteve për të promovuar barazinë me bazë gjinore dhe për të sfiduar stereotipat gjinorë, përveç pjesës së asistencës ndaj grave dhe viktimave të dhunës.

Studimi i dhunës në familje vështirësohet po të kemi parasysh edhe një numër mitesh që nuk lejojnë depërtimin në thelbin e problemit. Sot viktimizim i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja e mjerueshme ekonomike, mentaliteti i prapambetur dhe mungesa e vëmendjes aktive e të gjithë institucioneve përgjegjëse për parandalimin, referimin apo dhe riintegrimin e viktimave të dhunës.
Sot komisariatet e policisë, zyrat juridike, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe ato të shërbimeve sociale janë të detyruara me ligj të grumbullojnë dhe prezantojnë të dhëna mbi dhunën. Nuk ka asnjë informacion zyrtar të publikuar kombëtar dhe nuk ka asnjë institucion të besueshëm që këto shifra t’i përkthejë në hapa konkretë për zgjidhje afatshkurtra apo afatgjata. Sot nuk ka qendra kombëtare shtetërore që rehabilitojnë dhunuesit; është e nevojshme të ketë prezencë të një punonjësi shtetëror në profil psikologu në çdo qendër shëndetësore në Shqipëri, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë të punojmë edhe për viktimën, edhe për dhunuesin. Sado i fortë të jetë dënimi i gjithë dhunuesve, duhet të kuptojmë që një ditë sërish rifitojnë lirinë dhe kurrsesi nuk janë të rehabilituar për të mos dhunuar, për të mos folur për rastet që nuk denoncohen në gjykatë dhe që janë të lirë të dhunojnë çdo ditë. Llogaritja e kostove social-ekonomike të dhunës në familje, përbën një ndërhyrje strategjike në ndërgjegjësimin e politikëbërësve për rëndësinë dhe efektivitetin e parandalimit të saj. Sot ka më pak kosto kjo lloj zgjidhjeje për parandalimin sesa kostoja për të mbajtur në institucionet e vuajtjes së dënimit dhjetëra burra dhunues, që edhe kur mbarojnë dënimin vazhdojnë hakmarrjen dhe dhunën. Minimalisht, sot duhet të pranojmë që dhunuesit nuk marrin shërbim këshillimi dhe rehabilitimi, dhe kjo është një domosdoshmëri. Vetëm linja e këshillimit për djemtë dhe burrat është duke u mbështetur në këtë drejtim, por rrënjët e dhunës janë në çdo skaj të vendit dhe ndaj kërkohet mobilizim real në nivel kombëtar.

Mekanizmi i referimit të viktimave, i cili është i parashikuar brenda ligjit të dhunës në familje, edhe pse është një detyrim ligjor për bashkitë e vendit, në fakt zbatohet vetëm në pak bashki, prandaj duhet të ndërhyhet edhe këtu për të plotësuar kuadrin e institucioneve përgjegjëse. Ndërkohë që sot në botë, 40-60% e fondeve për një pjesë të mirë të shërbimeve për viktimat e dhunës kryhen nga nënkontraktimi i organizatave joqeveritare dhe humanitare në Shqipëri, një eksperiencë e tillë nuk është inkurajuar dhe nuk është parë e arsyeshme për t’u zbatuar. Viktimat e dhunës në familje, përveç të tjerash sot ndeshen edhe me pamundësinë reale për shërbim strehimi dhe pamundësinë për t’u punësuar dhe për të pasur një pagë mbi atë minimale, e cila i hap një mundësi drejt një strehe të mundshme. Nga ana tjetër, media luan një rol të rëndësishëm në formimin e qëndrimeve dhe vlerave të individëve si dhe shërben si një instrument i dobishëm për ndryshimet sociale, prandaj çdo bashkëpunim i medias apo qëndrim i përbashkët për këtë çështje u hap rrugë sensibilizimit dhe denoncimit të rasteve, por edhe është një presion për institucionet përgjegjëse për rehabilitimin e viktimave apo dhunuesve në familje. Mbi të gjitha, ndërhyrje e menjëhershme e arsimit me kurrikula të posaçme në zona të veçanta, për të edukuar fëmijët dhe të rinjtë me virtyte dhe jo me dhunë.
*Kryetare e WDN (Woman Democracy Network) në Shqipëri.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: