Zëvendësrektorja e Universitetit Luarasi, Prof. Asociuar. Dr. Ani Dasho Sharko, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për kursin e sigurisë kibernetike, që nis për herë të parë tetorin e këtij viti në Universitetin Luarasi.

Zv.rektorja e Luarasit zbardhi detaje të reja nga ky kurs, që sipas saj, zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë më të mirë izraelite të sigurisë kibernetike, duke thënë se gati 90% e lektorëve të këtij kursi do të jenë izraelitë. Sipas saj, kursi do të ketë gjithsej 100 orë, do të zhvillohet online dhe do të jetë i gjithi në anglisht.

“Është kënaqësi ta fillojmë si Luaras me Akademinë e Sigurisë Kibernetike, që ka prej një vit negociata, diskutime dhe punë të të dy palëve, të dy ekipeve, Luarasit dhe kompanisë më të mirë izraelite në fushën e sigurisë kibernetike. Kemi punuar fort për të sjellë më të mirën për Shqipërinë, jo vetëm për studentët e Luarasit, por për Shqipërinë dhe vendet e rajonit te Ballkanit Perëndimor. Interesi për këtë kurs ka qenë përtej pritshmërive, dhe jo vetëm nga studentët tanë, por edhe nga studentët e universiteteve të tjera private e publike në Shqipëri.

Kemi pasur bashkëpunime edhe me universitetet në Kosovë, të cilët kanë një kërkesë të studentëve atje, të studentëve nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina. Kursi është i gjithi online, në anglisht, lektorët përkatës janë izraelitë. Gati 90% e tyre, në raundin e parë do të jenë të gjithë izraelitë. Kursi është gjithsej 100 orë, do të jetë dy herë në javë. Kemi parashikuar që kursi të zhvillohet në pjesën e dytë të ditës, pasi shumica e studentëve janë në punë. Pas raundit të parë, po përgatitemi për disa kurse të tjera, që janë të nevojshëm për të gjithë sistemin bankar. Ky është i pari, por jo i fundit. Kemi disa në pritje, për t’u lançuar nga janari i vitit që vjen”, tha ajo.

E pyetur se çfarë përfitimesh do të kenë studentët nga ky kurs, numri dy i Universitetit Luarasi deklaroi se “Gati 100% vend pune, pas kursit, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Këta studentë marrin certifikatë ndërkombëtare brenda Luarasit. Izraelitët vijnë me vizionin për të bashkëpunuar me Luarasin dhe për ta zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej. Ata kanë ekspertizë në disa vende të Evropës”.

Po kërkimet shkencore…
Edhe pse në vite pandemie, të paktën ky vit aktual u mbyll me sukses me një nga projektet me bashkëpunëtorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Luarasi ishte lider i këtij projekti dhe sapo e kemi përfunduar në mënyrë të suksesshme. Pjesëtarë të këtij përvec Laurasit janë edhe tre universitete të tjera, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë. Ky bashkëpunim solli një risi për ne dhe bashkëpunëtorët tanë, pasi realizuam me sukses katër konferenca shkencore online, duke finalizuar me një revistë të kërkimit shkencor. Realizuam leksione të hapura, duke shfrytëzuar platformat tona online. Zyrat e këshillit të karrierës në universitetet respektive shkëmbyen eksperiencën përkatëse në ndihmë të studentëve, qoftë dhe për të ideuar një mini-projekt në vazhdim. Të katër universitetet janë shprehur pozitivisht për të vazhdueshmërinë, për vijueshmërinë dhe për të rritur network-un e të gjithë universiteteve të Ballkanit Perëndimor, për të sjellë një vizion ndryshe dhe për të rritur kërkimin shkencor për tema të nxehta dhe tematika që janë domosdoshmëri për Ballkanin Perëndimor.

Sa i rëndësishëm është kërkimi shkencor?
Është i vështirë për t’u realizuar. Kërkon fonde, ekipe bashkëpunuese. Ne po mendojmë të ideojmë dhe projekte doktorale më pas, duke ndryshuar totalisht koncepti i doktoraturave.

Sa e vështirë ka qenë të bëhej mësimi online?
Universiteti Luarasi kishte implementuar platformën që një vit më parë. Pra, ne kishim menduar për një platformë ndryshe, duke aksesuar online leksionet, librat, duke shfrytëzuar çdo lloj informacioni nga lektorët tanë. Kështu, që pandemia na gjeti më të përgatitur, dhe në një kohë rekord për gati një javë studentët kanë marrë informacionin, janë trajnuar nga ekipet tona. Procesi është i vështirë si për studentët, edhe për pedagogët, edhe pse ja kemi dalë me sukses. Në fillim, studentët ishin skeptikë, por pozitiviteti i tyre na bëri të mendojmë se si t’ua bëjmë më të thjeshtë dhe më të kapshme e të arritshme çdo gjë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb