Nga Mata Hari te shkolla sovjetike, si funksionon joshja e ‘spiunazhit seksual’! Histori agjentesh ruse dhe viktimat e tyre

Në anglisht quhet “honey trap”, që do të thotë “kurthi i mjaltit”: ku lëngu i ëmbël është një metaforë për joshjen seksuale, që përdoret për t’u afruar me një burim armik dhe për të marrë informacion konfidencial.

Në Moskë, në vitet e para pas revolucionit bolshevik, gratë e specializuara në këto operacione quheshin “mozhno”, që në rusisht do të thotë “është e mundur”, në kuptimin “lejohet të bëhet”. Natyrisht, duke iu afruar një shtetasi të huaj dhe duke e çuar në shtrat për të mësuar sekretet e tij..

Duke dëshmuar para një komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 1975 gjatë Luftës së Ftohtë, atëherë zëvendësdrejtori i CIA-s, William Sullivan, e tha troç: “Përdorimi i seksit është një praktikë e zakonshme midis agjencive të spiunazhit në mbarë botën. Është një biznes i ndyrë dhe i rrezikshëm, por funksionon. Ne e përdorëm këtë teknikë kundër sovjetikëve, ata e përdorën kundër nesh”. Në zhargon quhet “sex-spionage”: spiunazh-seksual.

Maria Adela
Maria Adela

“Maria Adela”, ose Olga Kolobova, rusja e zbuluar ditë e fundit si një spiune me njohje dhe joshje zyrtarësh të lartë në bazën e NATO-s në Napoli

Kurthi i mjaltit
Spiunia ruse e njohur si Adela, e cila kishte depërtuar në bazën e NATO-s në Napoli, ka një traditë të gjatë pas saj.

Së bashku me paratë dhe ideologjinë, seksi ka qenë gjithmonë një nga armët kryesore në duart e një spiuneje për të bindur një kundërshtar që të tradhtojë atdheun e tij.

Ekzistojnë tre mundësi për këtë lloj operacioni: ta bësh objektivin e joshjes të dashurohet duke e shtyrë atë të japë vullnetarisht informacion; përfitimi nga intimiteti i arritur për të vjedhur dokumente dhe sekrete pa e vënë re personi i joshur; ose shantazhimi, duke e paralajmëruar se, nëse nuk bashkëpunon, “rreziku i tij ndërlidhës” do të bëhet publik, duke e vënë martesën në krizë ose duke rrezikuar karrierën.

Napi 4
Napi 4

Rasti Mata Hari

Rasti më i përmendur, i cili është bërë sinonim i joshjes për qëllime spiunazhi, është ai i Mata Harit, pseudonimi i Margaretha Geertruida Zelle, një balerinë bukuroshe ekzotike holandeze, e cila pasi bëri bujë me shfaqjet e saj të rrezikshme në teatrot e Parisit, dënohet me vdekje dhe u ekzekutua në vitin 1917 me akuzën se ishte spiune e gjermanëve gjatë Luftës së Parë Botërore.

Megjithëse disa historianë, përfshirë biografin e saj Pati Shipman, besojnë se ajo ishte e pafajshme dhe u shpall fajtore vetëm sepse Francës i duhej një “kokë turku”.

“Bilbili i Kurskut”

Jo më pak aventureske është historia e Nadezhda Plevitskaja, një këngëtareje ruse e operës me nofkën “Bilbili i Kurskut”, e rekrutuar gjatë luftës civile ruse të viteve 1918-1920 nga Cheka, shërbimi sekret sovjetik, pararendës i KGB-së.

Falë famës së saj, këngëtarja u zhvendos nga zonat nën kontrollin e të kuqve, bolshevikëve që kishin kryer revolucionin, në ato në duart e trupave të bardha antikomuniste, duke mbledhur informacion mbi lëvizjet dhe planet ushtarake të këtyre të fundit, të cilat ajo më pas i transmetoi në Moskë.

Napi 3
Napi 3

Selia bazë e NATO-s në Napoli të Italisë, ku është infiltruar edhe falë bukurisë së saj rusja “Maria Adela”
Kur disa nga mesazhet e saj përgjohen nga të bardhët, zbulohet, dënohet me vdekje dhe sillet para skuadrës së pushkatimit.

Por në atë moment ajo nuk pranon t’i lidhin sytë dhe një oficer i bardhë i kalorësisë, Nikolaj Skoblin, i magjepsur nga bukuria dhe guximi i saj, urdhëron ushtarët të mos qëllojnë dhe ta lirojnë si të burgosur personale.

Skoblini bie në dashuri me Nadezhdën, ata martohen, emigrojnë së bashku në Paris, ku Cheka i kontakton sërish dhe i rekruton të dy për të vazhduar spiunimin e qarqeve të emigracionit rus të bardhë në Francë.

Akua
Akua

Selia qendrore e GRU-së (Shërbimi Inteligjent Ushtarak Rus) në Moskë, i quajtur ndryshe “Akuariumi”

Viktimat

Shumë ranë në “kurthin e mjaltit”, duke përfshirë dy diplomatë perëndimorë në Moskë: ambasadori francez Maurice Dejean, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit De Gaulle, i cili kishte një prirje për gratë dhe KGB-ja e shfrytëzoi me sukses; dhe ambasadorin britanik Geoffrey Harrison, i cili ra në grackën e ngritur nga një shërbëtore e pashme, e quajtur Galya.

Gruaja i tha se ishin fotografuar bashkë dhe se marrëdhënia e tyre do të zbulohej nëse ai nuk jepte informacionin e kërkuar.

Skandali shpërtheu, por Ministria e Jashtme nuk mori asnjë masë ndaj ambasadorit, ose të paktën jo në publik.

Shkolla ruse e joshjes

Sipas James Matthews, një ish-agjent i CIA-s, i cili më vonë shkroi një roman mbi këtë temë të titulluar “Red Sparrow”, BRSS kishte një shkollë speciale për spiunët e tillë, Shkollën Shtetërore Numër 4, në Kazan, në rajonin e Tatarstanit, në brigjet e Lumit Vollga.

Që atëherë, këto aktivitete i kanë kaluar FSB-së, shërbimi që ka zënë vendin e KGB-së, për të cilin punonte Anna Chapman e njohur si “kuqaloshja” ose Anna Vasilevna Kuscenko, e reja ruse e arrestuar në Nju Jork nga FBI në vitin 2010 si pjesë e një celule agjentësh “të fjetur”, gjithashtu me sa duket e angazhuar për të takuar burra të fuqishëm në Wall Street dhe Uashington, për t’i joshur me bukurinë e saj.

Ana Chapman
Ana Chapman

Rusja Anna Chapman në Nju Jork. Ajo dhe nëntë spiunë të tjerë rusë u arrestuan në SHBA në qershor 2010

Në vitin 2018, romani i Matthews, u vu në skenë në një film me të njëjtin emër nga Hollivudi, ku protagoniste ishte aktorja e njohur Jennifer Lawrence.

Balerina Dominika Egorova rekrutohet në “Sparrow School”, një shkollë e shërbimit të inteligjencës ruse, ku detyrohet që të vërë jo vetëm mendjen në lëvizje, por edhe trupin si armë të fortë.

Lawrence dhe Joel Edgerton vijnë në rolin e dy agjentëve të rinj, që krahas misoneve në shërbim të agjencisë ruse, ndajnë mes tyre edhe pasionin për njëri-tjetrin.

Spiunazhi seksual i “Stas”-it

Por, siç theksoi zëvendësdrejtori i CIA-s në deponimin e tij në Kongres, sovjetikët nuk ishin sigurisht të vetmit që praktikonin “spiunazh”.

Markus Wolfe, kreu i famshëm i “Stas”-it, policia politike e Gjermanisë Lindore komuniste, kishte krijuar një departament special, të përbërë nga agjentë të të dy gjinive të quajtur “Romeo”, i specializuar për joshjen e gjermano-perëndimorëve dhe perëndimorëve të tjerë.

Të paktën dyzet gra u akuzuan për operacione të ngjashme në Gjermaninë Perëndimore. Dhe sigurisht që operacionet e spiunazhit seksual nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet heteroseksuale: agjentët homoseksualë, ushtarakët dhe diplomatët janë vënë shpesh në shënjestër për t’i joshur ata në një “kurth mjalti”.

Bina
Bina

Aktorja Jennifer Lawrence, në filmin “Red Sparrow”, ku luan rolin e një spiuneje ruse me mision sekret në SHBA, ku ka në fokus CIA-n.

Spiunazhi kinez
Kohët e fundit, në këtë ndeshje që luhet “nën çarçafë”, ka hyrë në fushë një lojtar i ri, i egër: Kina. Në vitin 2009, MI5, shërbimi britanik i kundërzbulimit, shpërndau një dosje prej 14 faqesh në qindra banka, kompani financiare, të titulluar “Kërcënimi i spiunazhit kinez”, i cili përshkruante iniciativat e spiunëve të Pekinit për të shantazhuar biznesmenët perëndimorë me marrëdhënie seksuale.

Dokumenti thoshte qartë se shërbimet e inteligjencës së Kinës synojnë të kultivojnë “marrëdhënie afatgjata për të shfrytëzuar dobësitë si marrëdhëniet seksuale, me qëllim të nxitjes së individëve që të bashkëpunojnë me ta”.

Sigurisht që është një lojë ekuilibrash delikate, e ndjeshme ndaj ngjarjeve të papritura, siç e dëshmon historia e këngëtares ruse të quajtur “Bilbili i Kurskut”.

Por në spiunazh, si në dashuri, gjithçka lejohet. Kështu që do të vazhdojmë të dëgjojmë edhe për pak kohë për “seks-spiunazh”./Gazeta Si/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb