TIRANË

Vizita e kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës Albin Kurti në Tiranë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve me popullsi shqiptare janë në fokus të debateve në emisionin “Real Story” në News24.

Analisti Arian Vasjari mendon se takimi i sotëm reflekton një histori të gjatë distance me kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Sipas tij, të dy shtetet duhet të ndërtojnë axhenda nacionale të ndara.

“Ka qenë takimi me bilancin politik më të imagjinueshëm. Reflekton një histori të gjatë distance mes zotit Rama dhe Zotit Kurti. në tetor ka qenë një takim prej 5 orësh mes tyre që ka evidentuar diferencat e mëdha mes tyre. Ishte një takim i nevojshëm që të zbulonin hendekun e thellë të mosmarrëveshjeve. Gjithçka është e qartë dhe transparente. Për mua përfaqësojnë dy filozofi të ndryshme e dy pozicione të ndryshme.
Shpesh herë këtu tek ne kur qëllimet mund të kenë qenë pozitive, instrumentet që kanë përdorur palët e kanë delegjitimuar qëllimin e mirë.
Të dyja shtetet në dy anët e kufirit duhet të ndërtojnë dy axhenda nacionale të ndara, qartësisht, të cilat jo domosdoshmërisht përputhen me axhendat e shoqërive.
Çështja e nacionalitetit është një çështje shumë e diskutueshme dhe e debatueshme. Ne duhet të marrim në analizë një kontekst të caktuar”, tha Vasjari.

Madje sipas tij, ndarja shumë e gjatë që kemi pasur në fakt reflekton dhe një lloj diference dhe antropologjike në disa raste. Vasjari risolli deklaratat e Ramës dhe Kurtit për makro dhe mini shengenin dhe theksoi se ndryshe nga ajo që tha kryeministri shqiptar ndërvarësia është artificiale.

“Ajo se çfarë është e rëndësishme për mua, është kjo: që zoti Rama dhe zoti Kurti janë aq distantë në këndvështrimet e tyre dhe kjo distancë për mua e bën të panevojshëm përpjekjen qoftë për makroshengenin shqiptar, qoftë për minishengenin ballkanik.
Zoti Rama ndërtoi një ndërvarësi, vendosi të parin minishengenin ballkanik që do promovojë makroshengenin. Kjo ndërvarësi për mua është artificiale. Varet si ti e shikon. Kurti dhe Rama kanë dy vizione që nuk puqen në asnjë pikë.
Në qoftë se në deklaratat e tyre ishte ne do të përpiqemi të ndërtojmë një afinitet në politikën e jashtme, vizioni i tyre në politikat rajonale e asgjëson atë”, u shpreh Vasjari.

Sa i përket reciprocitetit mes Kosovës e Serbisë të kërkuar nga Kurti, Vasjari tha se njohja nga Serbia është e pamunudr.

“Z. Kurti po flet për reciprocitet. Çdo të thotë? Do të thotë njohje? Por nuk mund të ndodhë, është e pamundur. Ne mund të ndërtojmë fabula patriotike gjithë ditën e gjithë natën, procesi i rindërtimit të një reciprociteti mund të zgjasë”, deklaroi Vasjari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb