Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga takimi i 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pret që të ketë diskutime mbi bazën e propozimit evropian, por tha se për gjërat e tjera nuk mund të flas tani “edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësuesit e dialogut”.

“Pas ditës së hënë do të dimë më shumë se çka e ku”, tha ai pas një ngjarje në Prishtinë.

I pyetur nëse në takimin e së hënës do të ketë diskutime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se beson se duhet “t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë, e jo interesit të njërës palë”.

Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiç do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën 10 të karakteristikave të propozimit evropian, të cilat Kurti i lexoi në Kuvendin e Kosovës më 13 shkurt, thuhet se “të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.

Kurti kundërshton themelimin e asociacionit njëetnik, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Por, SHBA-ja ka thënë se kundërshton “krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë”.

Propozimi evropian u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit të kaluar. Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb