NGA: VJOLLCA KONGJONI
TIRANE- 7 vite pas protestës së parë të fuqishme që nga krijimi i lëvizjes “Vetëvendosje”, kundër planit Ahtisari në Prishtinë, ish-lideri i saj vjen në Tiranë me një dokumentar, për ta fiksuar atë si një moment historik për Kosovën.

Por për Albin Kurtin pasojat e atij plani, Kosova po i vuan ende sot, me një qeveri të korruptuar që vijon t’i plotësojë kërkesat Serbisë. Ndaj sipas tij qëllimi i kësaj lëvizjeje bëhet edhe më i rëndësishëm në këtë vit zgjedhor duke mobilizuar qytetarët për betejat e ardhshme.

“Beteja e radhës është çështja e veriut të Kosovës. Sepse serbët kanë paralajmëruar që do ta shpallin në mënyrë të njëanshme Zajednicën, nuk dihet nëse do ta bëjnë në 15 shkurt, por beteja jonë do të jetë të mos lejojmë absolutisht ringjalljen e Zajednicës dhe demarkacionit dhe në anën tjetër ta rrëzojmë sa më parë qeverinë dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.”, tha Kurti.

Ndërsa akuzohet për qëndrimet e tij politike kundër liberalizimit të vizave, ndërkohë që fotografohet duke shëtitur rrugëve të Oslos, Albin Kurti thotë se qytetarët e varfër duhet të qëndrojnë në Kosovë për të protestuar ndaj gjendjes së mjerueshme.

“Por shtrohet pyetja përse i duan vizat qytetarët e varfër? Që të ikin nga Kosova sepse po bëhet një vend i pahetueshëm për shkak të kësaj qeverisjeje që më akuzon mua. Pra Kosova është vendi ynë, ne mund të dalim nga Kosova por duhet të rikthehemi. Ata të cilët në mënyrë dëshpëruese duan liberalizimin e vizave nuk duan që të kthehen ose duan të qëndrojnë në vendet europiane e të bëjnë punë që mbase europianët nuk duan ti bëjnë dhe të mbajnë familjet e tyre të varfra, por unë them që të shikojmë shkaqet dhe jo pasojat. Shkaqet e gjendjes së mjerueshme ekonomike e sociale.”, theksoi ai.

Ditë më parë mediat në Kosovë publikuan disa foto të ish-liderit të vetëvendosjes Albin Kurti me gruan dhe vajzën e tij në Oslo të Norvegjisë duke komentuar se “E tmerrshme: I la shqiptarët e Kosovës pa viza, Albin Kurti shëtitet me familjen e tij norvegjeze rrugëve të Oslos”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: