Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut tha se nuk ka detaje rreth njoftimit për një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve. Por, ai tha se një marrëveshje tashmë ekziston dhe ajo duhet të zbatohet në terren.

“Megjithatë, Beogradi nuk e njeh marrëveshjen që e ka pranuar. Tani e kanë kuptuar se kjo marrëveshje nuk i përshtatet ideologjisë të ‘Serbisë së Madhe’. Mendoj se duhet ta respektojmë Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit të kaluar dhe ta zbatojmë atë”, u tha Kurti gazetarëve në Mitrovicë të Veriut.

Në shkurt të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars u dakorduan për Aneksin e zbatimit të saj. Në ndërkohë, palët shprehën rezervat e tyre, gjegjësisht Kosova insistoi që marrëveshja duhet të nënshkruhet, ndërkaq Serbia paraqiti vijat e kuqe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndroi javën e kaluar në Prishtinë. Pas takimeve, ai deklaroi se ishte arritur pajtim për një rund të ri të dialogut midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, ai nuk dha ndonjë datë se kur do të mbahet ky takim.

Më 10 shtator, Lajçak qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me të bisedoi edhe për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në fund të qershorit, Kurti paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik. Një prej tyre ishte që Serbia të tërhiqte një letër që i dërgoi Brukselit vitin e kaluar, përmes së cilës shprehu rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Javën e kaluar, gjatë qëndrimit në Prishtinë Lajçak deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën që kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar Brukselit.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb