Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, priti në takim Kampionin Absolut Mbarëkombëtar në Bodybuilding dhe Fitness, Marin Meksi, njëherit diplomat me përvojë në misione diplomatike të Republikës së Shqipërisë.

Kurti e përgëzoi Meksi për të arriturat e tij në karrierën sportive e diplomatike në afirmimin e kombit shqiptar. Në veçanti Kryeministri uroi për medaljen e artë të fituar në “IFBB Pro Diamond Cup” në kategorinë “Men’s Classic Bodybuilding up to 180cm”, garë e zhvilluar në muajin nëntor 2021 në Portugali.

Meksi falënderoi Kryeministrin Kurti për këtë pritje, që pason dekorimin nga Presidenti Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Ai përgëzoi kryeministrin për punën, siç tha ai të jashtëzakonshme që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe sukseset e përbashkëta të federatave të Bodybuilding dhe Fitness të Shqipërisë dhe Kosovës dhe angazhimit në promovimin e sportit.

Po ashtu, Kryeministri Kurti shpalosi përkushtimin e qeverisë për zhvillimin e sportit në vend. Kurti potencoi: “Përveç përkushtimit për konsolidimin e rezultateve sportive në arenën ndërkombëtare, me theks të veçantë jemi duke punuar në zhvillimin e konceptit të sportit për të gjithë”.

Për më tepër, ai shtoi: “Me dinamikën e jetesës në ditët e sotme, dhe zhvillimin e ndikimin e teknologjisë, sporti është aktiviteti përmes së cilës do të mundësojmë dhe sigurojmë zhvillimin e mirëqenies fizike, emocionale dhe mentale të shoqërisë tonë. Këtë synojmë ta bëjmë përmes ndërlidhjes së sportit me sistemin e arsimit në vendin tonë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: