Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për identifikimin e emrave të përveçëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviç dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se ky grup është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve” , tha Kurti.

Më tej theksoi se vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, u shpreh tutje.

Kurti tha se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare.
“Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkroi në fund Kurti.

Millan Radoiçiç, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç, Srgjan Vulloviç, Zhelko dhe Andrija Bojiç dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb