Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka hedhur poshtë deklaratat e zëvëndësit të tij, Heinz-Christian Strache për Kosovën, shkruan nachrichten.at. Ishte zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, që kishte deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë.

Megjithatë, ishte kancerlari Sebastian Kurz që gjatë mbledhjes së ministrave austriakë ka kërkuar sqarime për këto deklarata, ku besohet se është sqaruar edhe qëndrimi i Strache, dhe më pas ishte vet kancelari Kurz që para mediave e qartësoi qëndrimin zyrtar të Austrisë.

“Unë jam mik dhe përkrahës i Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari austriak para gazetarëve në një konferencë për shtyp, raporton tg.

Në pyetjen e gazetarëve nëse deklaratat e Straches i kanë bërë dëm raporteve të Austrisë me Kosovën, kancelari Sebastian Kurz hodhi poshtë këto aludime.

“Unë kam kontakt shumë të mirë si me Serbinë ashtu edhe me Kosovën. Është synim i Austrisë ashtu sikurse i Bashkimit Evropian që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përkrahen në rrugën e tyre drejt BE-së”.

“Austria e ka njohur Kosovën. Ky është qëndrimi zyrtar i Austrisë dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen”, përfundoi Kurz duke sqaruar se pozicioni i Austrisë nuk do të ndryshojë pavarësisht pikëpamjeve politike të partisë së Straches.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb