SHBA- Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari–Lila, është duke vazhduar vizitën zyrtare në Shtetet të Bashkuara të Amerikës, ku ndër tjerash ka rrëfyer edhe për planin për eliminimin fizik të saj.

Me ftesë të ish–Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, kryetarja Kusari–Lila sot ka marrë pjesë në Konferencen ndërkombëtare të nivelit të lartë të organizuar nga NDI, “Stopping Violence Against Women in Politics” (Ndalimi i Dhunës ndaj Femrave në Politikë), si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, e ftuar në këtë aktivitet.

Siç njofton Komuna e Gjakovës, në këtë konferencë kryetarja Mimoza Kusari–Lila ka pasur një prezantim para një auditoriumi të gjerë, ku ka folur për përvojën e saj që nga inkuadrimi i parë në politike e deri në ditët e sotme.

Ajo ka përmendur të gjitha vështirësitë që si femër i ka hasur gjatë rrugëtimit të saj në politikë, vështirësi të llojeve e niveleve të ndryshme. Para të pranishmëve, Kusari–Lila ka rikujtuar humbjen e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2009, humbje e cila erdhi, siç thuhet në komunikatë, si pasojë e manipulimeve të mëdha të rezultatit zgjedhor.

“Përballja ime e parë me zgjedhjet lokale ishte e tmerrshme. Pavarësisht entuziazmit të madh të njerëzve që më mbështesnin, kishte shumë kërcënime, frikësime fjalime dhe gjuhe urrejtëse, te cilat vinin kryesisht nga partia në pushtet, e kryetarit ne detyrë dhe mbështetësve të tyre. Unë, gjithashtu kam hasur në njerëz të armatosur që kanë ardhur në zyrën time që të na kërcënojnë për tu tërhequr. E gjithë kjo situatë nuk ka ndryshuar aspak edhe në ditën e zgjedhjeve. Ne u mashtruam keq duke pasur vjedhje masive të votave, edhe pse shumica e rasteve ishin të regjistruara, asnjë veprim për përsëritje të votimit nuk është marrë”, citohet të ketë thënë kryetarja Kusari–Lila.

Më tej, Kusari–Lila ka rikujtuar se probleme dhe kërcënime të tilla ka hasur edhe pas 4 vjetësh, kur për herë të dytë vendosi të konkurroje për postin e kryetares së komunës së Gjakovës. Megjithatë, falë një organizimi më të mirë dhe vetëdijesimi më të madh të trupës elektorale, fitorja e dytë ishte e pacenueshme.

“Kam arritur të fitoj dhe të bëhem kryetarja e parë femër në Kosovë. Pavarësisht problemeve të mëdha financiare që unë i trashëgova, pa procedura të vendosura dhe pa kredibilitet për institucionet lokale, ja arrita që të bëj ndryshimin”, ka thënë ajo.

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, gjithashtu e ka përmendur edhe rastin e fundit, konkretisht përgatitjen e një plani për eliminimin e saj fizik, akt të cilin e ka quajtur si një veprim të ulët e aspak human.

“Ky rast është ende në gjykatë, me ndërmjetësuesin e arrestuar, por që asnjë motiv për vrasjen time nuk është shpalosur ende”, ka rikujtuar ajo.

Një fjalë rasti në këtë konferencë e ka mbajtur edhe ish–Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright, e cila në cilësinë e drejtoreshës së Organizatës NDI edhe e ka organizuar tërë aktivitetin. Ajo ka thënë se gratë në politikë duhet inkurajuar deri në maksimum, ndërsa që dhuna që shkaktohet ndaj tyre është veprim kriminal që duhet të ndërpritet sa më parë./telegrafi/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb