Deputetja kosovare Mimoza Kusari-Lila pas ngjarjes së djeshme, ku janë arrestuar gjashtë shtetas turq në Kosovë tha se duhet nisur procedura e shkarkimit të presidentit në momentin e konfirmimit të përfshirjes së tij.

Kusari-Lila në një postim në “Facebook” shkruan se as Kryeministri dhe as Kryetari i Kuvendit nuk janë duke i ditur punën dhe përgjegjësitë e detyrave që mbajnë, ndërsa në këtë mjegull, Presidenti i shtetit po e shfrytëzon momentin dhe i ka okupuar të gjitha pozitat qeverisëse të vendit.

“Po debatohet në Kuvend për ngjarjen e djeshme të deportimit të shtetasve të Turqisë. Kryeministri i vendit zyrtarisht e pranon se nuk ka qenë i informuar dhe se ende nuk po i ‘din’ procedurat e qeverisjes parlamentare.
Kryetari i kuvendit e pranon se sikur të ishte informuar me kohë, do të kishte shkuar në aeroport dhe do të ndalonte deportimin e tyre.
Përmbledhja: As Kryeministri dhe as Kryetari i Kuvendit nuk janë duke e ditur punën dhe përgjegjësitë e detyrave që mbajnë. Në këtë mjegull, Presidenti i shtetit po e shfrytëzon momentin dhe i ka okupu të gjitha pozitat qeverisëse të vendit.
E para, duhet nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit në momentin e konfirmimit të përfshirjes së tij në rastin e djeshëm.
E dyta, partitë politike të dakordohen për agjendën legjislative dhe politike afatshkurtër përfshirë këtu edhe afatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare deri në fund të 2018.
Në këtë katrahurë, asnjëri nga udhëheqësit institucional nuk janë duke qeverisë për Kosovën”, deklaron ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb