PRISHTINE- Lëvizja Vetëvendosja është tronditur kohët e fundit ka dorëheqjet e njëpasnjëshme. Burime brenda VV i siguruan RTK dokumentet që paraqesin ndarjen në këtë parti tashmë me emra dhe mbiemra, ndonëse zyrtarisht ende nuk ka ndonjë deklarim. Në mesin e atyre që pritet të largohen është edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Grupi i të dorëhequrve në VV pritet që shpejt të zyrtarizojë formimin e një subjekti të ri politik. Kështu thonë burime të televizionit publik të Kosovës, në krye të së cilës mund të jenë Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe të tjera figura të rëndësishme. Në këtë dokument thuhet se ndarja e VV-së dhe krijimi i një subjekti të ri politik e po ashtu kalkulohet edhe ndarja e pushtetit të tanishëm. 17 deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje e 15 krahu i të dorëhequrve nga kjo parti me në krye Visar Ymerin e Dardan Molliqajn.

Në këtë dokument janë të shkruar edhe inicialet e partisë së re që veten planifikojnë ta quajnë Socialëdemokrat. Emri i kryetarit aktual të Prishtinës Shpend Ahmeti figuron i pari në këtë listë e që janë grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje. Renditja është bazuar në votat e secilit që ka fituar në zgjedhjet e fundit nacionale në vend e që Shpend Ahmeti ka 76.020 vota, transmeton Express. I dyti renditet ish-sekretari i VV-së Dardan Molliqaj me 49.026 vota i pasuar nga ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri. Në grupin e të dorëhequrve nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë listë figurojnë shumica e deputetëve të Kuvendit nga kjo parti por aty janë edhe disa të cilët ende zyrtarisht nuk janë larguar nga Vetëvendosje. Emra si Ali Lajçi, Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili, Saranda Bogujevci janë disa që janë të vendosur në listën e Social Demokratëve. Por përveç 15 deputetëve në listën e të dorëhequrve figurojnë edhe emrat e dy kryetarëve të komunave. Përveç të Prishtinës Shpend Ahmeti është edhe ai i Qëndron Kastratit, kryetar i Kamenicës.

Këta deputete e kryetarë komunash bashkërisht fituan 357.281 vota në zgjedhjet e qershorit . Ndërkohë në listën tjetër, të atyre që janë në Vetëvendosje figuron emri i kryetarit aktual të VV-së, Albin Kurti i përcjell nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Glauk Konjufca. Albulena Haxhiu, Rexhep Selmi, Smail e Sami Kurteshi e Adem Mikullovci janë vetëm disa nga deputetët që do t’i qëndrojnë besnik kryetarit të rizgjedhur të VV-së Albin Kurtit. Në këtë listë është edhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka që do të qëndroj në taborin e Kurtit. Këta 17 deputetë e një kryetar komune në zgjedhjet parlamentare kishin arritur të fitojnë 316.868 vota e që i bie më pak se grupi i të dorëhequrve në subjektin politik Vetëvendosje. Për planet për ndarje të VV-së nuk kanë pranuar të flasin asnjëri kamp.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: