TORINO- Mediat italiane kanë publikuar sot edhe dëshmitë e para për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur një vajzë shqiptare, që sipas tyre dyshohet të ishte prostitutë në Torino është dhunuar barbarisht brenda një makine dhe është hedhur prej saj ndërsa ishte në ecje e sipër.

Ka qenë dëshmia e një tjetër drejtuesi mjeti ajo që ka alarmuar policinë italiane. Ai është shprehur se ka parë të hidhet një person nga një makinë. “Dikush hodhi një person nga makina e tij dhe u arratis”, ka thënë dëshmitari.
angela
Kaq ka mjaftuar që policia italiane të shkojë në vendngjarje dhe të gjejë vajzën e re, shqiptaren Anxhela Meçani 20-vjeçe në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me plagë në gjithë trupin.

Ajo është transportuar menjëherë në spitalin Santa Croce në Moncalieri të Torinos, por mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:00 ka ndërruar jetë. Mjekët thanë se nga fluturimi në ajër ajo kishte pësuar dëmtime në organet e brendshme, por të shumta ishin edhe shenjat e dhunës që i ishin shkaktuar më herët.

Sipas “La Repubblica”, dyshohet se vajza e re që vdiq vetëm në një shtrat spitali në Moncalieri, bënte prostitutën. Pikërisht në këtë drejtim po hetohet edhe nga policia. Çfarë ndodhi mbrëmjen e së shtunës?
Mos vallë hyri në makinën e gabuar? Apo dikush ka dashur që ajo të ketë këtë fat?

Mediat italiane shkruajnë me tej se nga mënyra se si është hedhur duket qartë që personat në fjalë kanë pasur qëllim ta vrisnin, pa dyshuar se dikush mund t’i kishte parë.

Hetuesit ndër të tjera po mundohen të rindërtojnë të gjithë ngjarjen, se në çfarë vendi mund të jetë ngjitur ajo në makinë. Ata shpresojnë që duke identifikuar makinën të marrin edhe pamjet e para të kamerave të sigurisë, brenda së cilës ndodhet edhe agresori.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb