“Normalizimi i punës së grupit parlamentar është thelbësor për kapërcimin e vështirësive të PD”. Kështu shprehet deputeti i PD Tritan Shehu, duke folur dhe për vizitën e ish-deputetit të PE Elmar Brok, dhe rolin e tij si negociator mes Berishës e Bashës.

Shehu thotë se Z.Basha duhet të liroje atë që nuk i takon, zyrën e një vule të skaduar tashmë.
“Ai është thjesht një deputet i PD si dhe ne të tjerët, asgjë më shumë. Kjo është një çështje e mbyllur, ndërsa uzurpimi i asaj që nuk i takon është një çështje tjetër për t’u zgjidhur.
PD u fut në një krizë mbas zgjedhjeve të 25 Prillit e me vendimet antistatuore të Bashës së mëtejshme. Aktualisht PD është duke dalë nga kriza: foltoret, Kuvendi, referendumi dhe rezultati i 6 Marsit po çojnë drejt kapërcimit të krizës.
Z.Brok nuk ka ardhur për negociata, ai ka ardhur i ftuar nga z.Basha duke qenë dhe lobist i tij, megjithatë mbajti një qëndrim real. Z. Berisha e takoi për kortezi.
Z.Basha nuk ka nga të japë dorëheqjen se ai është i shkarkuar, ky është një diskutim pa kuptim. Por z.Basha ka të drejtën si të gjithë të rikandidojë në qoftë se dëshiron në momentin e caktuar për t’u rizgjedhur kryetar. Aktualisht duhet të lirojë ato çfarë mban pa i takuar. Ndërsa normalizimi i punëve të PD duhet të fillojë nga normalizimi i grupit parlamentar”, deklaron Shehu.

Sipas tij, ky proces i normalizimit të punës së grupit parlamentar ka filluar.
“Ne jemi të gjithë një grup parlamentar dhe çdo tentativë për të përjashtuar e pezulluar deputetë e keqpërdorur atë është e dështuar.
Deputetët me shumë përgjegjësi duhet të realizojnë kohezionin e atij grupi, normalizimin e punës së tij, gjë që do të reflektohet pozitivisht në të gjithë PD.
Më tej do të kalohet në zgjedhjen e Kryetarit e forumeve të tjera në PD. Askush nuk mund të përjashtohet e as të përjashtojë nga ky proces. Kush dëshiron është i mirëpritur, edhe për të kandiduar, si u veprua me primaret. Më tej është vota e lirë e anëtarësisë që vendos pozicionet e kandidatëve.
Në një parti demokratike vendos shumica me votë. Ne kemi hapur edhe mundësinë e fraksioneve për pakicat”, tha Shehu në Abcnews.

Sipas tij, në qoftë se dikush nuk kupton e nuk respekton rregullat e demokracisë, dëmton, por në radhe të pare dëmton veten e tij, nesër do të jetë më vonë për atë.
“Në fakt këto janë të qarta tashmë nga anëtarësia si dhe elektorati i gjerë. Qenia kryetar partie nuk është një post i përjetshëm. Është një post i përkohshëm.
Mund të jetohet, punohet e kontribuar edhe pa qenë kryetar. Rëndësi ka që të gjithë ne të ndjekim anëtarësinë e PD, mbështetësit e saj”, deklaroi Shehu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: