Nga: BLENDI FEVZIU*
Nuk i kam shkruajtur kurrë letra Plakut të vitit të ri! Ka gjëra që po nuk i mësove në fëmijëri nuk i mëson më kurrë në jetë, thotë Kadare. Ne nuk na mësonin të shkruanim letra; as të shprehnim dëshira. Dëshirat dhe ëndërrat duhet t’ja shprehnim partisë. Hera e parë që tentova t’i shkruaja atij ishte në Dhjetor 1990. Plot 25 vjet nga sot. Ishte një letër që më shumë se sa plakut abstrakt ja shkruaja gjithë atyre që ëndërronin ato ditë. E gjeta atë letër këtë fundjavë.

Ngujuar diku mes leksioneve të Leksikologjisë, artikujve të parë të RD dhe 2 – 3 gazetave të huaja që një gazetar më kish sjellë nga Roma. E lexova disa herë pa qeshur me naivitetin; pa u tallur me shpresën dhe duke rijetuar sërish atë kohë. Një kohë magjike kur besonim se e nesërmja do ishte fantastike dhe problemet do merrnin fund atë ditë. I rrëfeja plakut se unë isha 20 vjeçar dhe se udhëhiqesha nga disa burra pa shkollë e pa mend që zinin ato ditë karriget e Byrosë Politike. Ca “pleq” të mykur e demode. Në fakt më shumë se sa t’i kërkoja, i kisha shkruajtur Plakut të Vitit të ri një leksion të gjatë mbi atë që vendi im do ishte shumë shpejt, madje brenda atij viti. I kujtoja se kur të kthehej vitin tjetër do t’i shihnim një nga një të gjitha ato që i kisha kërkuar ose menduar atë fund viti.

Ka mundësi që Plaku të jetë kthyer sërish në Dhjetorin 1991, por ishte koha e rrëzimit të Qeverisë së Stabilitetit, unë isha aq i ngarkuar e kam vënë re. Nuk e vura re as në Dhjetorin e 1992; as për 25 vjet rresht, deri ditën, që në dosjet e vjetra të vitit 1991 gjeta letrën për të. Mendova a mund t’i shkruaja sërish një letër Plakut të Vitit të ri?! Nuk e di nëse më mban mëri që nuk folëm për 25 vite me rradhë. Po me siguri kisha shumë për t’i thënë.

Do t’i thoja se padyshim jemi më mirë, shumë më mirë se sa ishim atë dimër të vitit 1990; do t’i thoja se së paku sot jemi të lirë dhe liria është një dimension i madh për të gjithë; do t’i thoja se sot kemi një Shqipëri tjetër krejt ndryshe nga ajo që kishim ato kohë. Më moderne, më normale, më të hapur. Me shumë probleme, por jo një kavje që për 45 vite kishte shërbyer si një eksperiment i izolimit.

Por më duhej t’i thosha edhe shumë gjëra të tjera. P.sh duhej t’i thoja se kjo Shqipëri që kemi sot është kaq po kaq larg asaj që mendonim atë dimër plot shpresë. T’i thoja se sot, ashtu si 25 vjet më parë sërish jemi të fundit.

Të fundit për integrimin në BE. Gjithë vendet e tjera ish Lindore janë bërë pjesë e Europës së Bashkuar që në 2004 dhe 2007 ndërsa ne jo. Kemi mbetur me ish Republikat Jugosllave që deri në 2000 ishin në luftë. Edhe pse nuk kishim asnjë lidhje me to.

Të fundit për të ardhurat për frymë. Më pak edhe se Bosnja që një dhjetëvjecar e kaloi në luftë. Më pak se Maqedonia e Mali i Zi.

Të fundit ekonomikisht. Vendi më i varfër në Europë sot, ashtu siç ishim dhe vendi me më pak investime të huaja se gjithë të tjerët.

Të fundit në dëshirën për të ndërtuar vetë vendin tonë. Vendi me emigracionin më të madh në Europë. Me 1/3 e popullatës në mërgim dhe me afro 300 mijë të tjerë që po tentojnë po ashtu të ikin. Që plotësojnë llotarinë amerikane apo futen nëpër Kampe.

Të fundit për nivelin e arsimimit në Europë. Madje të fundit edhe për nivelin e arsimimit të politikanëve. Nuk po flas këtu për deputetë që shkollën në kuptimin e mirëfilltë të fjalës e kanë zëvendësuar me shkollën e jetës. Atë të rrugëve dhe bandave të gangove të Europës; atë të prostitucionit dhe drogës. Jo, nuk po flas për këto.

Zakonisht gjërat maten me objektivat jo thjeshtë më atë që ishte. Jemi më mirë se sa ishim, por jemi shumë më keq se sa duhej të ishim.

Lexoja letrën dhe mendoja se çfarë mund t’i thosha plakut 25 vjet më pas?! T’i thoja se këto vite nuk ishte më as Byroja politike e atrofizuar, dhe as ndonjë njeri pa shkollë.

T’i thoja p.sh se këto vite Shqipërinë e kishte drejtuar Sali Berisha, Profesor Doktor, Kardiolog i famshëm dhe artikullshkruesi rebel i vitit 1991?!

E kishte drejtuar Fatos Nano, Profesor Universiteti, ekonomisti liberal i 1990 që shquhej për batuat dhe mendjen e hapur.

E kishte drejtuar Ilir Meta, ai djali që ëndërronte të bëhej komentator Futbolli dhe që mori pjesë në takimin me Ramiz Alinë atë Dhjetor?

E drejton Edi Rama, basketbollisti i Ekipit Kombëtar me tutat Champions, me diplomën e Profesorit të Universitetit dhe që gjithnjë fliste për ndryshim?

Apo Lulzim Basha, ai gjimnazisti i Sami Frashërit që u diplomua shkëlqyeshëm dhe u edukua në Hollandë?!

Kujt t’ja vë fajin dhe çfarë t’i them sot, 25 vjet më pas plakut të Vitit të ri?!

T’i them se e kam gënjyer apo se më kanë gënjyer?! T’i them më mirë se kaq dinim në atë kohë dhe realisht shpresonim.

Në fakt nuk i shkruajta dhe nuk i thashë asgjë nga këto. Thjeshtë lexova letrën me ëndërrat e atij viti. Dhe përsërita një shprehje të vjetër të fëmijerisë. Endërrat janë ëndërra dhe prandaj janë të bukura! Sepse mbeten kështu!
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: