TIRANE- Ndërsa biznesmeni Enver Shala është arratisur, pasi policia e ka shpallur në kërkim për shembjen e 3 kateve të pallatit 22-katësh që ka ndërtuar tek “Shkëmbi i Kavajës”, në pyetje është marrë edhe djali i tij 19-vjeçar. E. Shala.

I riu është shoqëruar në polici pasi gjeti në katin e 18-të të pallatit 6 kallëpe tritoli të vendosur 3 në njërën kolonë dhe 3 në një tjetër. Gazetarja Klodiana Haxhaij duke iu referuar burimeve policore bën me dije për “BalkanWeb” se ka dyshime që tritoli në pallat mund të jetë vendosur për të tërhequr vëmendje, dhe një nga të dyshuarit është djali i biznesmenit.

Policia thotë se lënda plasëse e gjetur në katin e 18-të të pallatit ishte e mbështjellë me natriban dhe se ka gjetur shenja gishtash në të, të cilat janë çuar për ekspertizë,

Sipas tyre është i dyshimtë fakti, se as dera kryesore e pallatit nuk rezulton e shqyer, apo e dëmtuar, duke shtuar dyshimet se tritolin mund ta ketë vendosur një person që e njihte pallatin.

Policia thotë se djali i biznesmenit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me ta dhe të tregojë se çfarë ka dashur në katin e 18-të të pallatit, aty ku janë rrëzuar edhe konstruksionet metalike të kateve të mësipërme.

Nga ana tjetër banorët që jetojnë afër pallatit 22-katësh ankohen vazhdimisht se sa herë fryn erë në qytet, bien pjesë inertesh nga pallati, duke u kthyer në një rrezik për jetën e tyre. Ata thonë se deri më tani nuk është marrë asnjë masë, për heqjen e tyre.

“S’dimë ku të futemi se po na bien llamarinat në kokë po na vrasin”,- deklaroi Saimir maloku, një qytetar i kësaj zone për gazetaren Klodiana Haxhiaj.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: