Greta Thunberg është 16-vjeçarja që ka arritur të nominohet për çmimin prestigjioz Nobel për paqe.

16-vjeçarja e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi, por që prej atëherë ajo ka inspiruar nxënës e studentë në të gjithë botën. Greva e të Rinjve për Klimën fton nxënësit që çdo të premte të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë për ndryshimet klimatike.

Deputeti socialist norvegjez, Freddy Andre Ovstegard, deklaroi se veprimi i Thunberg është një kontribut i madh për paqen.

“Ne e kemi nominuar Greta Thunberg sepse nëse ne bëjmë asgjë për ndryshimet klimatike, kjo do të bëhet shkaktare për luftë, konflikte dhe refugjatë”, tha ai. Përmes Twitter, Greta u shpreh falënderuese për nominimin e saj. “Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë kandidim. Nesër ne do të bojkotojmë mësimin për të ardhmen tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të jetë nevoja”, shkroi ajo.

Bojkotimi i mësimit, ndryshe si greva apo protesta për ndryshimet klimatike, pritet të ndodhë në 1,659 qytete në 105 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë qindra mijë nxënës e studentë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb