Marklen Haka, një prej të arrestuarve nga aksioni i RENEA-s, i zhvilluar gjatë natës së kaluar në disa qytete të vendit, rezulton një emër i njohur për drejtësinë.

Marklen Haka është pjesë e “Bandës së Niklës” dhe në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Marklen Haka arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah.

Atentatorët kishin mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetonin anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush.

E gjithë rruga për të mbërritur tek 3 vilat e fisit Haka ishte e monitoruar 24 orë me kamera sigurie. Objektiv i atentatit ishte vetë Marklen Haka, ndërsa halla e tij dyshohet se ishte qëlluar aksidentalisht. Ajo kishte hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Haka ishte në oborr kur filluan të shtënat. Në vendngjarje u sekuestruan më shumë se 100 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb