Nga: JETA SHKURTI *
Në vendin tonë, ashtu si edhe në çdo vend tjetër, mund të ketë gjithfarë historish, të bukura apo të trishta. Rasti i publikuar në datën 8 shkurt në programin “E Diela Shqiptare” në “TV Klan”, ishte i trishtë, tronditës dhe solli në vëmendjen publike se ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendin tonë po aq sa edhe në Brazilin e Andresës. Ato kanë ndikim po aq të fortë sa edhe emergjencat civile, me ndryshimin e vetëm se në këto raste, shteti dhe OJF-të nuk bëjnë thirrje për ndihmë apo marrje masash, por vetëm mjaftohen me ndonjë reagim në rrjete sociale. Të njëjtën gjë bëra edhe unë sapo pashë rastin në televizor. Shkrova një status në “Facebook”, pati disa reagime dhe pëlqime… dhe aq. Por të nesërmen mendova se nuk duhej lënë me kaq kjo ngjarje.
Në një fshat të Shqipërisë apo edhe në një lagje të Tiranës mund të ndodhet një vajzë e vogël, adoleshente apo edhe më e rritur e cila vuan, ndjen se diçka nuk shkon në familjen e saj, por që ajo nuk di si ta quajë. Mund të ketë një grua diku, i shoqi i së cilës preferon të bijën në vend të saj dhe ajo pa kuptuar pse, i jep të drejtë. Mund të jetë një familje diku, me pjesëtarë të sjellshëm e të buzëqeshur me fqinjët, por brenda mureve të shtëpisë së tyre ndodhet dikush që natën vjedhurazi përkëdhel vajzën e tij të mitur sikur të ishte një femër tjetër dhe më pas shkon në shtratin e nënës së saj me pafajësinë dhe përkushtimin e shtirur.
Edhe pse viktimat e incestit nuk guxojnë të flasin publikisht, për shumë arsye, nuk do të thotë se joviktimat duhet të heshtin përballë një fenomeni të konsideruar prej kohësh tabu.
Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, neni 106, përcaktohet se “Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose të birësimit, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet”.
Studiuesit e ndryshëm i japin një përkufizim më të gjerë duke u shprehur se incesti është përvojë seksuale mes anëtarëve të familjes, përfshirë shfaqjen, përgatitjen, përkëdheljen seksuale, prekjen me duar, me gojë të organeve gjenitale, masturbimin e përbashkët si dhe kryerjen e aktit seksual. Incesti është çdo kontakt seksual ose sjellje (në një pozicion pushteti mbi viktimën) me qëllim stimulimin seksual mes një të rrituri dhe një fëmije që ka një vend në strukturën e familjes. Ky fëmijë mund të ketë një lidhje biologjike, mund të jetë i adoptuar ose nën kujdestarinë e personit incestuoz.
Janë disa tipe incestesh, si baba-djalë, nënë-djalë, nënë-vajzë, motër-vëlla, teze/xhajë/dajë/hallë-nip, mbesë. Por më i përhapuri ndër lloje është incesti baba-vajzë. Ai mund të jetë incest i përpunuar ku babai i kushton vëmendje të veçantë vajzës së tij, duke u afruar me kalimin e kohës me të si dhe incest dinak, ku babai ngacmon vajzat kur ato flenë, t’i përgjojë ndërkohë që zhvishen. Ai adopton rolin e shoqëruesit për të bijën kur dalin jashtë shtëpisë. Ndodh që padashur të zhvishet në prani të vajzës apo të lërë materiale pornografike nëpër vende ku mund të ketë akses vajza e tij.
Ka studiues si Sadock (2003), i cili nënvizon se në incestin baba-vajzë, mund të duket se vajza ndjen kënaqësi kur i ati i qaset seksualisht, duke qenë se ajo ka pasur marrëdhënie të ngushtë me të përgjatë gjithë fëmijërisë. Por De Young thotë se, edhe nëse vajza merr pjesë me vullnet të lirë, ajo është shumë e vogël për të dhënë konsentin, duke pasur parasysh se mosha e dhënies së konsentit prezumon një të kuptuar të plotë të aktit incestuoz si dhe pasojave të tij.
Sipas teorisë feministe, tabuja e incestit përforcon të drejtën absolute të babait në familje, duke theksuar shtypjen e gruas. Babai siguron mbështetje materiale për gruan, e cila në këmbim i siguron shërbime seksuale dhe kështu ai i sheh fëmijët si produkt të bashkimit seksual si pronën e tij të ligjshme. Fëmijët që rriten në këtë situatë shtypëse ndjejnë se babai ka pushtetin dhe nëna është e pafuqishme. Ata keqmësojnë se dashuria e babait dhe aprovimi i tij u jepet atyre që kënaqin dëshirat e tij.
Sipas teorisë së sistemeve, është shumë i rëndësishëm ndërveprimi mes familjes dhe mjedisit. Natyra e marrëdhënieve familjare me mjedisin përreth mund të luajë një rol në shfaqjen dhe vazhdimësinë e sjelljes incestuoze. Familjet me babain incestuoz janë zakonisht të mbyllura, ku mungon shkëmbimi i informacionit me mjedisin e jashtëm.

Lexuesit do të kenë kuriozitet se si mund të dallohet një baba i prirur ndaj incestit. Në fakt nuk ka një profil të saktë të babait incestuoz. Ai mund të ngjajë me këdo. Por në grupin e baballarëve incestuozë të marrë në studim nga psikologët në botë janë vënë re disa tipare të përbashkëta, si:
– Ata kanë një qasje ndaj jetës përgjithësisht me fantazi dhe varësi pasive, pa debate aktive veçanërisht në marrëdhëniet ndërpersonale. Babai incestuoz e sheh veten më tepër si viktimë të pashpresë ndaj forcave të jashtme sesa si një person me vetëkontroll dhe zot të jetës së tij.
– Ata kanë një ndjenjë të brendshme izolimi, ndarjeje dhe veçimi nga të tjerët. Ata e shohin veten si të vetmuar, me një jetë pa kuptim, pa ndjenja përkatësie.
– Kanë një gjendje shpirtërore të zbrazët, pikëllim dhe depresion, të cilat kombinohen me vetëvlerësim të ulët dhe pa vetëbesim.
– Ata kanë një mungesë komforti psikologjik, sigurie dhe kënaqësie nga jeta. Nuk kanë empati, dhe marrëdhëniet e tyre me të rriturit pësojnë regres. Për këtë arsye ata i zëvendësojnë me fëmijët.
Në literaturën e psikologjisë ligjore përshkruhen shtatë tipe të baballarëve incestuozë. Tipi endogamik, tipi psikopatik, tipi psikotik, tipi alkoolist, tipi pedofil, tipi me probleme mendore dhe tipi situacional.
Tipi endogamik nuk kërkon kontakte sociale ose seksuale me femra jashtë familjes. Këta janë ose me çrregullime personaliteti ose i përkasin një subkulture të izoluar. Për plotësimin e nevojave emocionale dhe seksuale ata drejtohen në familje. Kur dështojnë në plotësimin e kënaqësisë me gruan, e zëvendësojnë atë me vajzën. Ata përdorin seksin intrafamiljar si një përpjekje për të kënaqur nevojat të cilat kurrë nuk kanë mësuar t’i përmbushin përmes kontaktit ndërpersonal. Baballarët endogamikë me çrregullime personaliteti mund të kenë vuajtur mungesën e figurës prindërore si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Mund të jenë kujdesur këta për prindërit e tyre sesa vice versa. Një mungesë e tillë mund të çojë në zbehjen e vlerës së marrëdhënieve prind-fëmijë, duke bërë që babai i ardhshëm ta shohë vajzën e tij si një femër tjetër.
Baballarët incestuozë mund të kenë qenë të refuzuar nga baballarët e tyre në fëmijëri. Ata kanë pasur frikë dhe adhurim për të atin, por u ka munguar lidhja me të. Sjelljen incestuoze ndoshta mund ta kenë mësuar në familjen e tyre. Baballarët incestuozë mund të kenë qenë viktima të baballarëve të tyre, duke pasur kështu një histori disfunksionale të të mësuarit, mbi bazën e së cilës kanë ndërtuar sistemin e identifikimit disfunksional.
Ajo që dallon baballarët incestuozë me rregullim personaliteti është përdorimi i disiplinës strikte në familje, ushtrimi i një autoriteti të ashpër dhe kontrollues duke u kthyer në tiranë të vërtetë. Ndërkohë që jashtë shtëpisë, sidomos përballë figurave që kanë pushtet në një situatë të caktuar si polici, prokurori, terapisti, ata papritmas duken zemërbutë, të respektueshëm.
Ata shfaqin sjellje seksuale obsesive patologjike. Manifestojnë para fëmijëve, eksperimentojnë fantazitë e tyre seksuale me fëmijët.
Dallohen gjithashtu për paranojë, dyshime, armiqësi dhe ngritje të strukturave mbrojtëse për veten.
Ndërsa baballarët endogamikë me subkulturë të izoluar dallohen për qasjen e tyre ndaj vajzave pas fazës së pubertetit. Ata janë të devotshëm ndaj fesë, moralit. Janë intolerantë ndaj sjelljeve deviante seksuale dhe dëshirojnë shumë të martohen me vajza të virgjëra.
Baballarët incestuozë psikopatikë janë të ngurtë, egoistë, manipulues, të papërgjegjshëm, impulsivë, imoralë dhe antisocialë. Ata kanë paaftësi për të krijuar lidhje të drejta me gruan dhe fëmijët dhe i shohin ata si objekte. Këta kërkojnë stimulime, risi dhe emocione. Nuk kuptojnë dhe nuk vlerësojnë dashurinë dhe nuk kanë ndjenja faji. Ata abuzojnë me fëmijën, sepse besojnë se ka më shumë rëndësi kënaqja e impulsive të tyre më tepër se pasojat negative për viktimën-fëmijë.
Patjetër që duhet të ketë mes baballarëve incestuozë të tipit psikotik, me simptoma klinike të psikozave. Por persona të tillë duhet të gjenden në spitale psikiatrike apo burgje, ku vështirë të diagnostikohen e të merren në studim.
Vihet re se baballarët incestuozë përdorin në masë të madhe alkoolin, si një mjet për të justifikuar veprat që kryejnë.
Tipi pedofil i baballarëve incestuozë tregon për një varësi ndaj fëmijëve. Ata janë të motivuar nga interesi seksual për fëmijët. Vetë dallohen për mungesë zhvillimi dhe arritjeje; për këtë arsye e shohin si më pak kërcënuese lidhjen me një fëmijë.
Ekzistojnë edhe baballarët incestuozë për shkak të problemeve mendore. Ata janë martuar e riprodhuar, por për shkak të koeficientit të ulët të inteligjencës nuk bëjnë dallime mes anëtarëve të familjes.
Dhe së fundi janë baballarët incestuozë për shkak të situatës, gjë që nuk përjashton pjesën e personalitetit. Ndodh që këta të ngacmojnë vajzën ose thjeshtrën gjatë kohës kur janë përballur me një ngjarje traumatike si divorci, vdekja, një sëmundje apo aksidenti.

Pas shpjegimeve të mësipërme rreth incestit, tipeve të tij dhe karakteristikave të baballarëve incestuozë, do doja edhe njëherë ta sillja në vëmendje rastin e vajzës që rrëfeu historinë e saj në “TV KLAN”, përmes një përmbledhjeje të shkurtër.
“Ajo kishte shtatë vjet që dhunohej seksualisht nga babai. Fillimisht ishte vajzë e vogël ende e pazhvilluar, sot e kishte lënë pas adoleshencën. E kishte kuptuar që atëherë se afërsia e të atit me të nuk ishte normale, por kujt t’i tregonte?! Babai e kërcënonte me jetën e saj e të familjes. Nëna nuk e shihte më si vajzën por si shemrën e saj. Mendoni pak një vajzë të vogël, të re, me dhe pa prindër. Ajo nuk kishte shoqe klase, qëndronte vetëm në bankën e fundit në klasë. Ndoqi vetëm 7 klasë, pasi i ati ishte xheloz për djemtë që mund të pëlqenin vajzën e tij “të dashur”, dhe e largoi nga shkolla. E dëshiruar të largohej sa më parë nga shtëpia, provoi të martohej me djalin e parë që e propozoi. Por e ngrata vajzë, mezi kishte pritur t’i rrëfente vuajtjet e jetës së saj, traumat e viteve tek i vetmi njeri që besoi për herë të parë. Burri i ardhshëm e përbuzi dhe e flaku në pragun e banesës së zezë ku ajo nuk do donte të shkelte kurrë. Dhe sot ajo ha një kothere lëmoshe në atë familje ku ndihet e huaj. Guxoi të flasë, të tregojë… ndoshta me shpresën e fjetur se dikur do ketë shpëtim për të.”
* Psikologe ligjore

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: