TIRANE-Para se të urdhëronte arrestimin e babait të ministrit të Brendshëm, oficeri në karrierë i Policisë së Shtetit, pat shërbyer në poste kyçe, ku spikat Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Ervin Dalipaj, 37-vjeçari që akuzohet si një nga 4 rrëmbyesit, torturuesit dhe vrasësit e Gazmend Çollakut, ka një CV tepër të pasur për sa i përket shërbimit në polici. Shenjat për implikime në botën e krimit ai i kishte dhënë që kur u shkarkua sepse u akuzua se lajmëronte pronarët e lojërave të fatit, pasi i lajmëronte para kontrolleve.

Kështu, Dalipaj ka mbajtur një pozicion tepër të lakmuar në ish-SHKB-në (Kontrolli i Brendshëm që tani njihet si Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në polici).

Ai ka shërbyer aty para vitit 2012 dhe më tej, me ikjen e shefit të këtij shërbimi, transferohet në Sektorin e Antikrimit Ekonomiko-Financiar, pranë Drejtorisë së Qarkut të Tiranës. Më 25 mars të vitit 2013, kur u arrestua babai i Saimir Tahirit, ai ishte në krye të këtij sektori. Bashkim Tahiri, babai i ministrit, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga u prangosën në kuadër të operacionit të koduar “Rispedal”. Sipas njoftimit të asaj kohe, ata akuzoheshin se barnat kontrabandë importoheshin nga Italia, hynin nga Porti i Durrësit e tregtoheshin nëpër farmaci të ndryshme në vend. Vlera e barnave që iu sekuestrua të atit të Saimir Tahirit kap vlerën e mbi 10 mijë eurove.

Dalipaj ka qenë shefi i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me gradën komisar deri në tetor të vitit 2013. Nga kjo detyrë ai u shkarkua në dhjetor të vitit 2013, me motivacionin për dekonspirimin e operacionit për lojërat e fatit “Fundi i Marrëzisë”. Në këtë kohë, thuajse i gjithë sektori i antikrimit ekonomik i Policisë së Tiranës u shkri dhe u zëvendësua me efektiv tjetër. Ervin Dalipaj, më herët, ka qenë edhe shef i hetimit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Po ashtu ai ka shërbyer edhe pranë Komisariatit numër 4 në Tiranë. Më herët, para vitit 2009, ai ka mbajtur poste të larta në Antidrogën e Tiranës.

Nga ana tjetër, pas shkarkimit të tij nga policia, në dhjetor të vitit 2013, ai ka paditur strukturat shtetërore. Ende nuk dihet sesi vijoi rrjedha e jetës së tij pas largimit nga policia, por grupi hetimor që po merret me vrasjen e Çollakut dyshon se duke përfituar nga njohjet e shumta që Dalipaj krijoi gjatë punës në polici, ai mund të ketë rilidhur kontaktet me ta. Njollat e gjakut në makinën ML e implikojnë në vrasjen e Çollakut dhe tashmë emri i Ervin Dalipajt do t’i përcillet Interpol Tiranës, pasi mendohet se është larguar jashtë shtetit. I implikuari tjetër, Denis Shtraza, u kap në Rinas, teksa po ikte për në Itali. Ende nuk dihet roli konkret i këtyre dy personave për sa i përket vrasjes së Gazmend Çollakut, po fakti që njollat e gjakut të tij u gjetën në makinën ku udhëtonin Dalipaj dhe Shtraza, i ka bërë hetuesit të dyshojnë se kanë marrë pjesë në rrëmbim dhe vrasje. Nga hetimet intensive pritet të dalin detaje të tjera rreth vrasjeve në Durrës dhe mënyrës së operimit të rrjeteve kriminale në qytetin bregdetar.

Dalipaj informonte pronarët e kazinove: Po vijmë

Zbulimi i dekonspiruesit të aksioneve

Më 15 tetor të vitit 2013, gjatë operacionit të Policisë së Shtetit “Fund Marrëzisë” për sekuestrimin e lojërave të fatit dhe kazinove të paligjshme, janë bllokuar 536 subjekte të paligjshme. Sakaq, janë vënë nën hetim për rrjedhje informacioni dhe shpërdorim detyre, pesë punonjës policie, nga të cilët dy drejtues: Ervin Dalipaj dhe Olsi Muçi. Burime nga policia thanë asokohe se pak para nisjes së operacionit, inspektorët janë përgjuar teksa njoftonin pronarët e kazinove për kontrollet e kolegëve të tyre në terren. Dy muaj më vonë Dalipaj u përjashtua nga strukturat e Policisë së Shtetit, pasi SHKB-ja i kishte gjetur shkelje të rënda në detyrë.

(d.b/GazetaShqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: