PRISHTINE- Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli, ka marrë vendim që Bejtush Gashi të jetë pasardhës i Flamur Sefajt në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili dha dorëheqje javë më parë.

Pacolli ka konfirmuar gjatë ditës së sotme se Gashi do ta zëvendësojë Sefajn në postin e ministrit. Ky i fundit i cili dha dorëheqje pas kërkesës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, lidhur me rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi.

Ministri i Punëve të Brendshme që do të emërohet në Qeverinë Haradinaj kishte pasur një të kaluar të dyshimtë. Bajtush Gashi sa kishte qenë zëvendësministër në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kishte dhënë dy tenderë të dyshimtë, ish-kompanisë ku kishte punuar më parë, shkruan “Insajderi”.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe zëvendësministri i atëhershëm në atë ministri, Bajtush Gashi, i kishin dhënë tenderë kompanisë, Poligoni i Shenjëtarisë “Katana”, ku Çeku dhe Gashi kishin qenë të aferë me pronarin e tyre.

Xhafer Gashi, tash kryetar i Obiliqit që ishte themelues i kompanisë “Katana”, kishte qenë i afërt me Çekun dhe Gashin. Ai kishte qenë sigurim i Agim Çekut në kohën sa ky i fundit kishte qenë kryeministër i Kosovës. Çeku kishte mohuar se ndonjëherë kishte qenë pjesë e kësaj kompanie, por Agron Jusufi, drejtor i Poligonit të Shenjtarisë “Katana”, me bazë në Obiliq pranonte se Çeku ka qenë pjesë e kësaj kompanie.

Xhafer Gashi, përveç se kishte pasur një lidhje të kahershme me Çekun, ai kishte pasur të kaluar të përbashkët edhe me ministrin e ri të Kosovës, të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashin.

Gashi prej vitit 2007 deri më 2011 kishte drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”.

Nën ministrin Çeku dhe nën zv/ministrin e atëhershëm, Gashi, tani ministër i Brendshëm, i ishte dhënë tender për furnizimin me uniforma në vlerë prej mbi 1.2 milionë eurosh kompanisë “Katana” aty ky Gashi dhe Çeku kishin punuar.

Agjencia Kundër Korrupsion, kishte filluar hetimet për këtë rast, që kishte ndodhur në vitin 2013.

Por vetëm një vit më vonë kompania “Katana”, kishte fituar përsëri tender nga Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. Me ministër Çekun dhe zv/ministër, Gashin, “Katanës” i ishte dhënë një tjetër tender tjetër milionësh.

Tenderi i dhënë në vitin 2014 nuk kishte kaluar fare në procedura të hapura. Për blerjen e tre autoblindave të blinduar nga MFSK-ja ishte zgjedhur përsëri kompania “Katana” e Xhafer Gashit. Ky tender kishte peshuar mbi 1 milionë e 490 mijë euro.

“Katana”, do të furnizonte ministrinë me tri autoblinda të tipit Cobra të standardizuara me pajisjet përcjellëse për nevojat e FSK-së.

Gashi, që u emërua sot në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, ishte ligjërues në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, në atë të Arkitekturës, atë të Elektroteknikës, si dhe ligjëroi edhe në disa kolegje private.

Gjatë vitit 2006 – 2007, Gashi u zgjodh në postin e drejtorit në Departamentin e Politikave të Sigurisë së Brendshme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme./Insajderi/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb