Gazetarja Dorjana Bezat zbulon për “BalkanWeb” emrat e dy “ të fortëve” të Lezhës, që OFL iu kërkon të deklarojnë pasurinë brenda 48 orëve.

Bëhet fjalë për shtetasit Astrit Nimani (Limani) dhe Edmond Sufja, të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Por, kush është Astrit Nimani (Limani), i cilësuar si “Titi i Ukës”?
Astrit Nimani (Limani) është arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga Gjykata e Milanos me 13 vite burg për “Organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”. Ai njihet ndryshe në Lezhë edhe si “Titi i Ukës” dhe është një emër i njohur për drejtësinë.

“Titi i Ukës” është arrestuar më 15 nëntor 2013 në Serbi dhe më pas është ekstraduar në Itali, ku ishte dënuar për trafik droge. Por, pas lirimit në Itali, ai ishte kthyer në Shqipëri, dhe në vitin 2013 rezulton anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës.

Në vitin 2015, Gjykata Lezhë do të vendoste sekuestrimin e një pasurie prej 10 milion eurosh të Limanit, ku përfshiheshin tre pallate me 230 apartamente banimi dhe një hotel.

Policia e Lezhës tha atëherë se sekuestrimi ishte në kuadër të Procedimit Penal nr. 615, në ngarkim të shtetasit Astrit Nimani, banues në Lezhë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb