Një të dielë, ndërsa po ecja në zonën e liqenit artificial që është edhe zona më e frekuentuar e Tiranës, rastisa një pankartë interesante. Zakonisht në vende të tilla uleshin shitësit ambulantë, por këtë herë ishte diçka ndryshe. Para një pankartë, anash një kuti e madhe me paketime të vogla brenda dhe dy të rinj, të heshtur e të zymtë, në pritje të kalimtarëve që do t’u përgjigjeshin mesazhit të tyre.

Në pankartë shkruante “më bëj të qesh, një dhuratë do të kesh”. Ishte e pazakontë, më bëri përshtypje e u bëra kurioz. U ula pak më larg dhe vendosa të shihja se çdo të ndodhte me të rinjtë.

Njerëzit kalonin e kalonin. Disa prej kalimtarëve qeshnin, disa shihnin çuditshëm e të tjerë ndalnin për t’i bërë të rinjtë të qeshnin. Kur qeshnin, ata nxirrnin një paketim nga kutia dhe ua dhuronin kalimtarëve “të suksesshëm.”

Nuk durova më tepër dhe u afrova t’i pyesja “cfarë qëllimi keni?”. Përgjigjen dua ta ndaj me ju tekstualisht:

“Ne kemi menduar shumë se si t’ua rikujtojmë njerëzve që disa ndjenja të natyrës njerëzore janë domosdoshmëri për ne dhe pavarësisht të gjitha ngjarjeve që po e mundojnë njerëzimin kudo nëpër botë, sidomos këto kohët e fundit, njeriu ka nevojë të qeshë, të buzëqeshë e edhe sikur për një moment të vetëm, t’i harrojë të gjitha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Menduam se kjo ishte mënyra e duhur. Duhej shtuar pakëz ëmbëlsirë në fytyrat tona. Prandaj duke dhuruar ëmbëlsirë synuam të jepnim mesazhin se buzëqeshja na e ëmbëlson jetën pavarësisht të gjitha hidhërimeve. Bashkëqytetarët na dhuruan buzëqeshje, ne u dhuruam ëmbëlsirë. Mendojmë se ishte shpërblimi i duhur.

Për sa i përket llojit të ëmbëlsirave, kishim shumë alternativa por zgjodhëm diçka tradicionale, bakllavanë. Gjejmë rastin të falenderojmë shefin e Meva Patisserie, z. Ekrem, i cili na mbështeti në këtë nismë në mënyrë të pakushtëzuar. Mendoj se do të na shihni shpesh me projekte të ndryshme sociale nëpër Tiranë, do ta vazhdojmë përpjekjen për t’i rikujtuar njerëzve që lumturia dhe pozitiviteti vlejnë më shumë se cdo gjë tjetër.”

As emrin e pasticerisë e as të shefit të saj nuk e kisha dëgjuar më parë. Pas një kërkimi të shpejtë në rrjetet sociale pashë se ishte një pasticeri dixhitale që prodhonte ëmbëlsira origjinale turke. Për të vijuar me pyetje të tjera për të shuar kuriozitetin, lashë një takim me shefin e pasticerisë. Në formë respekti kishte sjellë edhe disa nga produktet që vetë ai i përgatiste. Edhe pse nuk ngjajnë me ëmbëlsirat tona, më pëlqeu shija e tyre.

Kur e pyeta se pse e kishte mbështetur këtë nismë, z. Ekrem foli shumë gjatë rreth jetës duke u shprehur se e qeshura me të vërtetë është kthyer në luks në ditët e sotme. “Janë të pakët ata që qeshin, por edhe ata që bëjnë për të qeshur. Njeriu tashmë e ka humbur sensin e të qeshurit, I cili lidhet drejtpërdrejtë me formulën e lumturisë. Këtë boshllëk njeriu mundohet ta mbushë në mënyra të tjera.” – tha ai.

Ai vetë nuk e zotëronte shumë mirë shqipen, por ne ia dolëm të kuptoheshim mirë falë një përkthyesi. Pas asaj bisede më lindi nevoja për të menduar më tej rreth kësaj teme dhe për të ndërruar temë I drejtova pyetje rreth punës që ai bënte.

Nuk mu duk shumë i hapur për të folur, u mjaftua duke thënë “duhet shumë punë” dhe kështu i dhamë fund takimit tonë. E falenderoj për kohën që ndau me mua.
Gjithashtu dua t’i falenderoj të rinjtë për iniciativën. Është për t’u vlerësuar! Të qëndrojmë pozitivë dhe të qeshur. Cdo gjë do të bëhet më mirë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb